Violeta Murati
Ta zëmë që nuk e njohim fare autorin e veprës që e ka marrë për shfaqjen e tij regjisori i ri, nga Kërçova e Maqedonisë, Qëndrim Rijani. Ky i ri prej kohësh qëndron në Tiranë, si gjithë studentët pa dallim, duke u tunduar karriera këtu.
“Ne vijmë për ajër”, na detyron të shtrojmë pyetjen, çfarë ka vëzhguar ky i ri në skutat e kryeqytetit; drogë, perversitet, shthurje, amoralitet, vrasje pa dallim se në dorë të kujt është kama, gjak, ajër helmues…? Çfarë flasin të rinjtë mes tyre, cili është shqetësimi? Në këto dilema a shqetësime do ishte e mirëqenë që magazina e Teatrit Kombëtar duhet të shpërthejë nga publiku, i gjithë pa dallim. Madje duhen marrë përkrahu me dhunë nga rruga, ashtu siç janë të veshur e ti rrasnin atje në magazinë për t’ju treguar fytyrës se, ç’bëhet në “jetët e fshehta”, netët vonë, ajo që nuk duket kur dielli del në mëngjes.
Qëndrimi rri te oborri i Teatrit para se të fillojë shfaqja duke pritur të mblidhen të gjithë, e për t’ju treguar rrugën ku luhet.
I shkojmë teatrit nga pas, nëpër një derë prej druri, ku gjithçka kërcet. Është prej druri të vjetër. Është improvizuar salla, sajuar ndenjëset për publikun. Është liruar pak shesh. Ajo magazinë ishte e ftohtë, mbushur plot me rrangullina. Erë e ftohtë përzier me erë të athët myku, e çdo zhurmë nga jashtë vinte brenda si zëra larg (për rastësi ishte një miting që për pak menduam se ishte kolonë zanore e vendosur nga regjisori, brohorima, shpërthime…). Ideale për të kuptuar fundin e botës tek njerëzit, si paniku vjen nga jashtë brenda, brenda shtëpisë, brenda njeriut me tmerr. Ndërkohë zhurma e krismave, brohorimat, ulërimat krijuan atmosferën natyrale në magazinë.
Aty ka guxuar të vendosë skenën Qëndrim Rijani. Them “guxim” pasi regjisorët rrallë, madje fare, nuk e kanë përdorur imagjinatën për të përmbysur, eksperimentuar me skenën. Ca raste sporadike u takojnë më shumë të rinjve të varfër, pa para për t’ia dalë “izolimit” artistik që u jep mungesa e tyre. Në të kundërt me “sulltanët” e teatrit që bëjnë projekte të mëdha, që mbushin xhepat, dhe nxjerrin produksione krejt skematike në raport me shqetësimet e kohës.
Po ta përjashtojmë autorin që e ka shkruar, pa dhënë asnjë detaj mbi natyrën e tekstit të tij, dhe të lexojmë vetëm çfarë katër aktorë profesionistë dhanë do ishte e mjaftueshme për të hyrë në kontekst shqiptar.
Pamja e zymtë, e varfër sipas një modeli klasik të teatrit të varfër, intim, ka një adaptim perfeksion për ta bërë moderne pjesën.
Pa ngjyra, akull ftohtë, tre femra që lëvizin nëpër labirintin e fundit të imagjinuar të botës, ku gjithçka është përthyer në perversitet, shthurje, drogë, seks, vrasje, mbajnë të gjitha bashkë deformimin njerëzor. Tre aktorët, Armela Demaj, Marsela Lena dhe Klodiana Keço është zinxhiri transportues që vulos destinin e njeriut.
Të tria në pozicionet e tyre racionale, duke ruajtur mentalen përballë publikut shqiptar. Vendosur mundësinë artistike në fate individësh, krijimi i profileve në një orë spektakël u bë menjëherë. Shpesh vuajnë aktorët për t’u nxehur nga afria që u propozojnë regjisorët. Këtu ishte tejkaluar ky moment. Ndihej dirigjimi i regjisorit, po aq sa potenca e aktoreve për ta sfiduar publikun me hakmarrjen artistike.
“Në luajmë teatër” – do ishte ndoshta nga pasthirrmat më të sinqerta, nëse do provokoheshin nga ndonjë kritikë. Ky pohim do ishte nga më të rrallët sepse tre aktoret ia kanë mbërritur atij qëllimi.
Melody (Armela Demaj) dhe Laurel (Marsela Lena) dy motra, që babai i ka lënë të vogëla, dhe nënën e kanë të shtruar në çmenduri janë justifikimi i plotë pse jetët e të dyjave kanë deformime psikike. Dy motrat janë lezbike bëjnë dashuri së bashku; ushqejnë njëra-tjetrën me drogë. Janë të dehura gjithë kohën. Befasia dy motra, si kulm të daljes së qenies jashtë normalitetit.
Ndërpritet biseda e tyre nga një vrasëse, Mrs. Wormwood, aktorja Klodiana Keço që gjaku dhe kama në duart e saj janë një lloj “Elektre” apo “Lady Makbeth” nëpër vendet më të ndyra të kryeqytetit. Kjo aktore mban kulmin e tensionit artistik; gjak, orgazëm dhe dehje totale nënë efekte drogash psikike deri afër vdekjes. Është e keqtrajtuar, përdhunuar, e rrahur dhe prapë nuk ngopet me të keqen.
S’mund të pohosh se ishte mistike, me gjithë dëshirën për ta veshur këtë në konceptin e tij regjisorial. Në këtë rast Rijani krijon një farë kontradikte duke ju afruar më shumë lojës së gjallë skenike, dhe jo teatrit sikur! Në natyrshmërinë e saj, aktorja Demaj rolin e kishte në lëkurë, ashtu si karakter por dhe si gjuhë e ngjitur mirë në stilin e saj artistik. Ndoshta nga rolet më të mira të cilën e kemi parë deri tani. Keço ka pasur një interpretim të arrirë. Është në dallim kjo; kur një aktoreje roli i ngjit si nënlëkurë dhe është mjeshtëri një anë tjetër kur aktorja e interpreton mirë. Ndërsa Marsela Lena në tentativë për t’u larguar nga rolet e mëparshme me një farë komiciteti dhe ironie në fytyrë, këtë – pak herë nuk ka arritur ta shmangë në pjesë. Ndonëse ishte në nivel profesional. Aktori i ri Genti Deçka është nga ato zbulime të rralla që mezi e gjejnë regjisorët. Kush e njeh tharmin e aktorit te Deçka nuk do mundohej të provonte shansin. Rijani nëse krijon një tentativë eksperimentale me prezantimin e tij kurajoz në magazinat e Teatrit Kombëtar, guximin më të madh po ashtu dhe sfidën duket se e ka pasur me zgjedhjen e aktorëve. Nëse pjesën do ta lexonte e përtypte vetëm për vete, aktorët nuk do të arrinin të kryenin aktin final të lënies së lirë të publikut për t’u larguar duke marrë me vete meditimin si proces që e lë si shtëllungë tymi mbi krye regjisori…
Në një moment publiku mes katër aktorëve do të pështynte, në mosdurim apo rebelim se, ajo jetë ndodh vërtetë nëpër zgëqe. E pështirë çdo gjë. Ndjen neveri për këtë shtresë të varfër, që pasojat janë të brezit më shumë se sa përgjegjësia mbi jetët e tyre.
Tashmë mund të zbulojmë autorin që e ka shkruar këtë tekst, dhe origjinalin e titullit.
“Catastrophic Love Puzzles in Outer Space” është shkruar nga Scott O’Moore, që në shqip vjen e ndryshuar “Ne vijmë për ajër”. Për t’i qëndruar besnik një teksti apo një koncepti nuk e nxjerr jashtë regjisorin e ri. Përkundrazi gjetja e ngjashmërive, apo gërmimi në psikën e njëjtë është një arsye pse kanë mbijetuar veprat klasike në gjithë botën, dhe rivihen me qindra vjet në skenë. Çfarë ndryshon është forma dhe mënyra dhe konteksti i reales. Rijani dhe kësaj i ka qëndruar besnik, duke tërhequr në magazinën e Teatrit Kombëtar të njëjtën formë artistike, batakun sureal të ëndrrave, drogat dhe dhunën psikologjike. Ka një mënyrë “tinëzare” se si autori i tekstit i ka shpëtuar të pështirës.
Papritur pasazhi poetik një lloj oratorie që do bënte esëll të tria, do ta ngrinte nivelin e ndërgjegjes në skajin tjetër dhe në dimensionin e njerëzores; se çfarë po ndodhte është jashtë tyre. Është jeta pezull; mes iluzives së krijuar nën efekte, dhe realitetit të pamundur për t’u mbajtur mbi krye. Vuajtja dhe dhimbja janë krejt pa kuptim si fjalë e ndjesi. Aty nuk ka jetë. Ka shthurje, po jo sa për ta pështyrë. Ka perversitet, por jo për të akuzuar. Ka psikë të sëmurë, drogë e seks por jo për t’i gjykuar. Një shfaqje e natës, si gjendje sureale ku ndodhin ngjarjet e errëta të trinitisë: trup, shpirt e mendje.
A do munden shqiptarët ta zhveshin psikën jashtë këtij teksti, këtij lloj teatri për t’i pranuar ashtu si shfaqjen, dhe hapur plagët sociale, se jeta mungon tek këta njerëz se mungon fjala, dashuria, dialogu dhe komunikimi. Fundi i botës krijon tmerrin, por që merr një kthesë të habitshme duke e bërë të komunikueshme pjesën.
Veprimi i gjallë, shumë afër skenës filmike, e ndeshur dendur në shkollën e teatrit lindor por e përqafuar si teatër intim në salla me publikun fare pranë.
Ndërsa jashtë fishekzjarrët, lodrat dhe boritë e makinave vërtetë dukeshin si kolonë zanore e veprës, në koherencë perfekte sikur vërtetë po flitej dhe po përjetohej fundi i botës. Dhe dilema që vendos regjisori i ri, në një nënkontekst, është: droga, perversiteti, dhuna, vrasjet, deformimet psikike etj. a janë vërtet fundi i botës apo thjesht arsyeja për t’i dhënë fund asaj. Një raport midis njerëzve të dobët konfuzon arsyen nëse qenia ka fund. Rijani e ka parë qartë këtë raport duke na lënë në Tiranë qëndrimin e tij: jashtë është fundi, ndërsa brenda njerëzit përpëliten për të mbijetuar e vdesin duke lënë frymën. Gjaku dhe vdekja në këtë pjesë për herë të parë zbulojnë katarsin skenik, të shmangur nga shumë regjisorë!
Reagimi
Edhe Galerinë e zënë ethet e fushatës!
Ky është rasti që politika ngatërron të njomën me të thatën. Fushata elektorale ka nisur të përfshijë edhe kulturën, jo duke dëgjuar nga politikanët se çfarë strategjie mund të kenë për kulturën, mbrojtjen e saj, por duke e shndërruar kulturën në një objektiv bardhezi dhe që në të shumtën janë të vërteta, po të pabesueshme se vërtet kauza është kultura. Nuk është hera e parë që e pohojmë këtë. Nga ana tjetër jemi të detyruar ta themi në fillim të çdo lajmi kur nga zyrat e shtypit të institucioneve kulturore kohët e fundit sjellin reagime që dëshmon se ka ndjeshmëri. Por, kjo vetëm për shkak të fushatës. Në këtë anë e shohim edhe reagimin e Galerisë Kombëtare të Arteve, e cila dje ka dërguar një njoftim për shtyp se “duke marrë shkas nga opinione të ndryshme në drejtim të Galerisë Kombëtare të Arteve, me objekt: veprën skulpturë të Heroit Adem Jashari” sqaron se “Busti i Heroit Adem Jashari është një vepër arti e përmasave të vogla, e cila në vitin 2012 u lëviz nga pozicioni në të cilin ndodhej “Rruga e Durrësit në Tiranë”, pasi u zëvendësua në të njëjtin vend me një monument shumë herë më dinjitoz, dedikuar kësaj figure, i cili në përmasë dhe në përmbajtje, plotëson tashmë më së miri, respektin kombëtar ndaj kontributit të kësaj figure të shquar të kombit. Për pasojë, monumenti ekzistues i përmasave të vogla (një kokë punuar në material beton) u vendos përkohësisht në ruajte në oborrin e pasëm të Galerisë Kombëtare të Arteve, deri në marrjen e një vendimi përfundimtar në lidhje me të. Është shumë i rëndësishëm të theksohet fakti që në asnjë rast ky bust nuk është sjellë në Galerinë Kombëtare të Arteve për ekspozim as brenda dhe as jashtë territorit të saj. Por, edhe pse ky objekt, nuk u depozitua pranë Galerisë Kombëtarë të Arteve si pjesë e fondit të saj, institucioni morri të gjitha masat e nevojshme që ai të mos dëmtohej dhe të qëndronte në ruajtje deri në momentin që do të tërhiqej”.
Po ashtu zyra e shtypit të GKA-së sqaron se oborri i pasëm i Galerisë Kombëtare të Arteve “nuk është as një vend grumbullimi plehrash dhe as një territor i destinuar për to”. Në këtë ambient, sipas njoftimit, ndodhen edhe vepra të tjera në ruajtje, të cilat janë vendosur aty sipas specifikës teknike që paraqet përmbajta e secilës prej tyre. Në asnjë rast, asnjë prej këtyre veprave nuk është vendosur aty për ekspozim, por për ruajtje, për shkak të madhësisë së tyre dhe specifikave që paraqesin. “Për sa më lart, edhe ndaj këtij objekti janë aplikuar të gjitha kushtet specifike të cilat garantojnë ruajtjen dhe mosdëmtimin e tij. Për rrjedhojë, ky bust në ruajtje të përkohshme në ambientin e pasëm të oborrit të GKA i është nënshtruar specifikës së tij; për shkak se ky bust është në material betoni ruajtja e tij nga pikëpamja profesionale realizohet vetëm në gjendje të shtrirë. Ai duhet të vendoset në një shtrat zhavorri për arsye të mbrojtjes nga dëmtimet e ndryshme që vijnë si faktorë natyrorë, por edhe njerëzorë. Specifikat e bustit (madhësia dhe përbërja e tij prej betoni) nuk lejojnë mbështjelljen (ambalazhimin) e tij.
Busti është vendosur nën një mbulesë “strukturë të lehtë metalike”, e cila është pjesë përbërëse e strukturës së ndërtimit të ekspozitave të GKA”. Nisur nga ky vlerësim si dhe në përgjigje të ndjeshmërive të ndryshme, Galeria Kombëtare e Arteve sqaron se ky objekt ka qenë thjesht në ruajtje të përkohshme dhe jo në ekspozim.
Re. Ku.