Violeta Murati
Reportazh/ Një ditë në Muzeun Oriental të Korçës, i vetmi në Ballkan mes përplasjes së historive
Legjenda e fotografit të famshëm shqiptar në Hollivud që qarkullonte nën zë në Tiranën komuniste për historinë rozë me japonezen e pasur; Gjergj Dhimitër Mborja la testament në të gjallë për të ndërtuar Muzeun me koleksionet e tij orientale, për t’i vënë mbiemrin e nënës “Bratko”, por u mbajt pezull nga Komiteti Qendror për t’u ndërtuar vetëm në 2003
Duke kaluar përmasën e njeriut të zakonshëm edhe bota orientale nuk do t’i mjaftonte pa njohur “princeshën” e pasur japoneze. Gjergj Dhimitër Mborja do të shkonte në moshën 17-vjeçare në Amerikë e shumë shpejt do të bëhej i famshëm në Hollivud, për fotografinë dhe përfshirjen në Luftën e Dytë Botërore, duke shoqëruar gjeneralët amerikanë drejt Japonisë, ku fronti ishte në kulmin e saj.
Megjithatë, fotografi do të përfshihej në një histori dashurie të pazakontë, e cila shumë shpejt qarkulloi edhe në Shqipërinë komuniste. Ne ishim para pak kohësh në Muzeun Oriental “Bratko” në Korçë dhe dëshmia e historisë merr rrjedhë tjetër aty. Qysh në fillim na sqarojnë se nuk është Dhimitër Mborja i veshjeve popullore, ndaj për ta dalluar, muzeu kishte dhe mbiemrin mëmësor “Bratko”. Mes përplasjes së papritur të historive që patën mbërritur deri në Tiranën e shkrimtarëve të kohës dhe asaj çfarë Dhimitër Mborja kishte lënë testament e gojëdhëna në jetën e pasme, variantet gjithmonë fshehin enigma.
Muzeu “Bratko”, me strukturë socrealiste nga jashtë dhe brenda, është i gjithi “dhuratë”, që Dhimitër Mborja pati lënë me testament për ta ndërtuar, bashkë me paratë dhe koleksionin e famshëm oriental dhe fotografitë me gjeneralë.
Legjenda në Tiranën komuniste, si e tregoi Dhimitër Shuteriqi
Kur merr shkallët për në katin e dytë të Muzeut “Bratko”, kornizat me punime artizanati japoneze tërheqin nga figurat femërore. Ka shumë të tilla. Ndërsa ato më modernet, por që nuk i shmangen tërheqjes nga silueta japoneze prapë lënë hije. Skica bardhezi, elegancë, foto të prera, femra e portrete bëjnë teknologjinë të saponisur të një shekulli më parë. Pas tyre gjithmonë rrëfimet marrin të tatëpjetën e historisë që duam të zbardhim.
Drejtorja e muzeut “Bratko”, Jonilda Trebicka, me formim akademik në Amerikë, po përpiqet prej muajsh të vendosë marrëdhënie mes publikut dhe këtij personaliteti shumëdimensional. Mes një guide të pasur për jetën e Dhimitër Mborjes shumë detaje të jetës dalin vetiu. Bredhja në frontin e luftës si një zanatçi “qejfli” e kalonte kuriozitetin e riskut për të shoqëruar gjeneralët, duke hyrë në jetën e njerëzve të thjeshtë, në blerjen e sendeve, në frymëzimet artistike… Ishte koleksionist tashmë, i çmendur. Në këtë pasion hyri në oborrin e Perandorit të famshëm japonez Hirohito, duke besuar ndjenjën në japonezen 14-vjeçare. Bijë e një dere të pasur.
Ishte një dashuri japoneze e parrëfyer deri tani. Trebicka thotë se ka shumë histori që vërtiten për këtë marrëdhënie, pasi Dhimitër Mborja ishte dhjetë vjet më i madh. “Ishte e bija e një të pasuri, thuhet se janë martuar, por jo zyrtarisht – pra me japonezen. Si duket, diferenca e madhe në moshë e bëri ta vriste ndërgjegjja dhe kërkoi që ta linte, nuk e vazhdoi më gjatë lidhjen”, – thotë Trebicka.
Por, ndërprerjen e kësaj historie deri këtu, vazhdon në Tiranë, por në dy kontekste; së pari anormalitetin e një muzeu, dhe e dyta historia rozë, e dashurisë së fotografit me japonezen e re. Në një takim mes studiuesit Ferid Hudhri me Trebickën, mes nesh rrëfimi kalon në një legjendë urbane të komunizmit.
Mbas `85-ës, ka një histori të dytë, që na verifikon çfarë na tregoi drejtorja e Muzeut “Bratko”. Në Tiranë, Trebicka kishte ardhur për takim pune me profesor Ferid Hudhrin për t’i marrë mendimin se si mund të bëhej “i gjallë” “Bratko”, i hapur për publikun.
Fjala për Muzeun, kurse ne shkëpusim vazhdimin e historisë. Hudhri tregon se mbas `85-ës qarkulloi ideja e Muzeut deri në Komitetin Qendror. Në atë kohë, Anasatas Kondo kishte detyrën për artin, kur erdhi njoftimi se një shqiptar kishte lënë paratë si trashëgimi dhe koleksionin e tij për të ndërtuar një muze.
“Ishte gjë e rrallë kjo”, – tregon Hudhri. Por, pas këtij “gëzimi” kishte një kusht: që muzeut t’i vihej emri Bratko. Hudhri vazhdon ironinë e këtij rrëfimi se në atë kohë të artikulohej ky fakt nuk ishte normale. “Vetëm Enver Hoxha kishte të drejtë të kishte emrin e tij në muze”. Atëherë erdhi pyetja: Pse ky kusht? Kishte keqardhje pse nuk mori rrugën e realizimit, duke u lënë në diskutimet e komunistëve për disa ditë pezull. Të ndërtohej një muze me emër personal, nuk lejohej.
U rihap sërish kjo çështje pas `90-ës, por disa hallka ligjore e pengonin procesin e hapjes së muzeut. Duhej ndërhyrje. Në Tiranë historia e Bratkos dihej, por jo nga të gjithë. Si në rastin e Hudhrit vetëm në pak veta kishte ngjallur kuriozitet.
Në aq sa qarkullohej në kryeqytet, Hudhri tregon: Një letër, pak konfuze, fliste për lidhjen e Bratkos me Gjon Millin, fotografin e famshëm, të cilët ishin bashkëkohorë.
Si një nga studiuesit skrupulozë të artit pamor, Hudhri tregon përshtypjet mbi këtë koleksionist të panjohur në vendin e tij e që në Amerikë kishte famën.
Hudhri thotë: “Më ka bërë përshtypje koleksioni i Bratkos, përfshirja e tij në artin botëror. Qysh në atë kohë kur nisi të qarkullonte kjo histori e Dhimitër Mborjes, shumë e ngatërronin me Dhimitër Mborjen e veshjeve popullore, një tjetër personazh i famshëm korçar”.
Por, përveç pjesës profesionale si koleksionist dhe fotograf, Bratko i famshëm ka tërhequr vëmendjen për historitë e tij rozë. Hudhri thotë se mbante mend nga shkrimtari Dhimitër Shuteriqi kur ka treguar për historinë rozë të korçarit. Kësaj historie i bashkëngjitet ajo e rrëfimit të drejtores së Muzeut se Dhimitër Mborja ndonëse kishte pasur një të dashur japoneze, zyrtarisht nuk është martuar. Historia, në fakt, siç mësohet, ka dalë nga trashëgimtarët e Bratkos, që kanë treguar se babai i japonezes i ka thënë shqiptarit të presë derisa vajza e tij 14-vjeçare të mbushte moshën për t’u martuar. Ndërsa ndërmjet Trebickës e Hudhrit, historia e rrëfimit vjen nga shumë anë e në një nga këto thuhet se dikush ka lënë të shkruar se Dhimitër Mborja ka qenë i martuar zyrtarisht.
Studiuesi vazhdon t’i referohet shkrimtarit, Shuterqit, prej të cilit mban mend se për Bratkon ka qarkulluar në kryeqytet se ka qenë një burrë me dy gra e një shqiptar i famshëm në Hollivud. Nga ana tjetër, fama e tij lidhet edhe me profesionin, pasi ka konkurruar në garën japoneze për foton me ngjyra.
Në paradoks në Korçë, flitet më shumë për koleksionet e Dh. Mborjes dhe për pak foto të mbërritura në Shqipëri, sidomos ato në kohën e luftës, ku shoqërohej me gjeneralin amerikan MacAthur. Trebicka thotë se ndodhen së paku rreth 30 mijë foto në koleksionet japoneze nga Mborja. Ndërsa mes Hudhrit e Trebickës konstatimi është pothuaj unik; se Muzeu Oriental “Bratko” është i pari muze i artit “lindur” në Ballkan dhe se ndoshta është unikal, duke përmbajtur vepra arti prej 17 kulturash të ndryshme lindore.
Testamenti i fotografit; muzeun dhe trupin e djegur
Në vitet e fundit të jetës, Gjergj Dhimitër Mborja merr vendimin e tij, të shënonte në testament: Mbas vdekjes hiri i trupit të tij të kthehet në qytetin e lindjes, në Korçë, dhe koleksioni i tij të vendoset po në Korçë, në një muze të ndërtuar me kursimet e tij për t’i shërbyer më mirë të ardhmes së qytetit.
Drejtorja e Muzeut na tregon se emri i muzeut “Bratko” është vendosur nga Dhimitër Mborja, për të nderuar kujtimin e nënës së tij, Viktoria Bratkos, që për vite me radhë priti më kot kthimin e tij në atdhe. Ai vdiq më 1990, duke ia besuar realizmin e ëndrrës së tij kushërirës amerikane, Laura Bratko Schlesinger.
Në moshën 17 vjeç, Dh. Mborja udhëton për në Amerikë për të ndjekur Shkollën e Arteve në Detroit e më pas vendoset në Hollivud, ku ai punon në një studio filmash me kartonë, miqësohet me “yje” të ekranit dhe fiton famë. Me futjen e Amerikës në Luftën e Dytë Botërore, Mborja u mobilizua në ushtrinë amerikane, në vitin 1942. Në fund të luftës më 1945, ai lirohet nga shërbimi ushtarak me lavdërime dhe u largua për t’u bërë fotograf në agjencinë e famshme UNRRA (United Nations Relief and Rehabiliution Agency).
Kjo punë e solli atë prapë në Evropë, ku përpiloi një koleksion fotografik për kushtet e jetës së pasluftës në Ballkan. Më vonë ai u largua nga UNRRA për të punuar si nëpunës civil në Komandën e Azisë Lindore të Ushtrisë Amerikane në kohën e gjeneralit Douglas MacArthur, ku drejtoi laboratorin fotografik me ngjyra. Ai e vazhdoi këtë punë deri më 1956, duke udhëtuar nëpër Azi e duke fotografuar gjeneralë, burra shteti dhe njerëz të zakonshëm. Puna e tij për Perandorin japonez Hirohito, për të cilin ai fotografonte si takimet personale intime ashtu dhe projekte në shkallë të mëdha ambientesh, i dha atij një mundësi të hynte kudo në vendet e famshme e të veçuara të familjes mbretërore. Gjatë kësaj kohe në Azi ai ushqeu një pasion për të koleksionuar artin që e kishte origjinën në tregun me çmim të lirë të Hollivudit dhe të shtëpive në ankand të Evropës së pasluftës. Shija e tij fillestare për artin japonez me kalimin e kohës u zgjerua duke përfshirë një vlerësim për traditat e Tajlandës, Koresë dhe Indonezisë. Kjo shije jepet krejtësisht në Muze.
Në Muze ka rreth 500 relikte nga Kina, Tibeti, Rusia, Japonia, Koreja dhe disa nga Evropa dhe Amerika. Ka gjithashtu edhe tekstile, qilima dhe skulptura budiste.
Fotografoi edhe shumë presidentë amerikanë si Trumanin, Ajzenhauerin e Kenedin. Vdiq në vitin 1990, në banesën e tij në Bethesda të shtetit Merilend të SHBA-së, me një amanet që, siç thamë lart, t’i çonin hirin në vendlindje dhe të ndërtonin atje një muze, amanete që u bënë realitet. Opusi krijues i Mborjes ruhet në qendrën muzeale “Douglas MacArthur” në Norfolk, ku janë grumbulluar rreth 45 mijë foto e diapozitiva të punuar nga ai, një pjesë e tyre janë kur ai ka punuar në Hollivud.
Qysh në `85-ën, Muzeu pezull nga Komiteti Qendror
Muzeu Oriental “Bratko” u hap në vitin 2003. Drejtorja e këtij muzeu, Jonilda Trebicka, tregon se ka 500 objekte të ekspozuara që vijnë nga Azia, Persia dhe Irani, koleksione personale të Dhimitër Mborjes. Pasi shkoi në Amerikë, në integrimin e tij, Mborja fillimisht ishte i interesuar për tregjet e lira të Hollivudit, që i përkisnin edhe antikitetit. Atje ishte fillesa ku ka blerë edhe objekte në ankandet që bëheshin në Evropë, sidomos të shtëpive.
Në katin e dytë të Muzeut janë të ekspozuara objekte të shek. XVIII. Siç e tregoi historinë edhe profesor Hudhri, ideja e hapjes së Muzeut ishte anormale për kohën, në regjimin komunist. Nga viti `85 kur kishte mbetur pezull projekti “i çuditshëm”, vetëm pas `90-ës, u rivlerësua sërish. Kështu, procedura për të ndërtuar Muzeun ka zgjatur shumë, thotë Trebicka, dhe vetëm në 2003-shin u bë e mundur nga Bashkia e Korçës, duke dhuruar truallin dhe me paratë u ndërtua Muzeu.
Përveç fjalës së tij të fundit për t’ju djegur i gjallë trupi, të njohur tashmë, Trebicka na njeh dhe me një detaj tjetër, të shkruar në testament se bashkë me trupin të digjeshin edhe dy pëllumba që i kishte mbajtur të ngrirë në frigorifer, duke i bashkuar byzylykun, ruajtur si shenjë në ditën e marrjes së nënshtetësisë amerikane.
Na impresionon një fotografi: shurdhi, memeci dhe qorri – një domethënie për politikën e kohës, stimulohet një kornizë bardhezi, duke iu bashkuar punëve origjinale të fotografit.
Në pavijon gjejmë një flamur domethënës japonez, i ndarë në fragmente, me copëza shkrimesh. Janë shkrime, lutjet e ushtarëve para lufte – na tregon drejtorja e Muzeut.
Vazhdon ky pavijon me shoqërimin e Trebickës, e cila na vë në dijeni se gjenden në Uashington rreth 50 mijë foto të ekspozuara nga shqiptari i famshëm me gjeneralët e luftës amerikane. Hudhri dhe Trebicka, duke folur mes tyre, siç mund të tregojnë statistikat, thonë se kemi të bëjmë me një muze unikal në Ballkan.