Të gjithë kundër Mirela Kumbaros: Ministria më e paafta, na denigroi dhe shkatërroi artin!

1
294

“Ndoqi në ministri politika populizmi dhe nepotiste, që në fund nuk patën vlerë, duke financuar projekte jo vetëm të padukshëm, por dhe ato që duhen me financime qesharake. Unë si artist kam parë deri tani dhjetë ministra Kulture, por Mirela Kumbaro është më e paafta…”

Zonja Kumbaro tashmë është në fund të mandatit të saj dhe do mbahet mend si ministrja më e paaftë. Ajo vetëm për një gjë do mbahet mend, që nëpërmjet institucionit i dhunoi artistët, i persekutoi, i denigroi dhe i denatyroi nëpërmjet prepotencës dhe arrogancës, terrorit dhe shpërfilljes”, pohon në fjalën e tij tenoriRudi Sata.  “Arsyeja se pse kjo ministre nuk i përmbushi dhe realizoi këto politika tashmë e kanë shpjegimin: paaftësi, mungesë vizioni, politizim dhe arrogancë. Tashmë ka ardhur koha që drejtimin e këtij institucioni ta marrin personalitete, të cilët do kenë vullnetin të implementojnë ligje dhe modele të BE-së, sepse këto 4 vite ishin ato që rrënuan çdo standard demokratik, profesional, qytetar e ligjor”, përfundon në reagimin e tij tenori Rudi Sata.

Për regjisorin Milto Kutali ministrja e Kulturës e ka humbur tashmë betejën me artistët: “Kur vjen në fundin e një mandati fushata zgjedhore i obligon shtetarët, që të marrin dhe të tregojnë se janë të gatshëm për të bërë diçka. Unë mendoj që çfarëdo që të bëjë ministrja e Kulturës tashmë e ka të humbur betejën me artistët e teatrit, pasi ka qenë investimi më i dobët në këto vite. Nuk ka asnjë lëvizje, edhe sikur të dojë të bëjë diçka siç mund të jetë projektligji për pensionin e artistëve kjo nuk do të thotë asgjë në detyrimin që duhet të kishte marrë ministria ndaj tyre. Edhe reagimi i artistëve mund të jetë i pandjeshëm me atë që mund të ndodhi me këtë të ashtuquajturin projektligj për pensionet e artistëve. Edhe paraardhësit e kësaj ministrie, por në veçanti kjo ministre nuk bëri asgjë për statusin e artistit. Kjo do të nderonte cilindo ministër nëse do të arrinte të realizonte statusin e artistit”, pohon regjisori Kutali.

Për aktorin Neritan Liçaj jo vetëm që ato projektligje duhet të kishin sjellë më shumë diskutime me grupet e interesit, etj, por dhe nëse flasim për të tjera premtime në art dhe kulturë ministrja Kumbaro nuk bëri asgjë. “Premtimet kryesore që kanë vërtetë rëndësi në fushën e artit ministrja Kumbaro nuk i mbajti, as nuk i mori fare parasysh. Sot institucionet që ka Ministria e Kulturës në varësi janë kthyer në një gjendje akoma dhe më të rëndë. Unë habitem dhe me dëshirën e zonjës Kumbaro për t’u bërë deputete! Por si mund të marrë guximin për t’u bërë deputete, si mund të përfaqësojë një e paaftë si ministrja Kumbaro një popull aq të mençur sa ç’janë gjirokastritët, megjithatë kjo është zgjidhja e saj. Ndoqi në ministri politika populizmi dhe nepotiste, që në fund nuk patën vlerë, duke financuar projekte jo vetëm të padukshëm, por dhe ato që duhen me financime qesharake. Unë si artist kam parë deri tani dhjetë ministra Kulture, por Mirela Kumbaro është më e paafta”, pohon aktori Liçaj.

Reagimi i artistëve të ndryshëm vjen në një kohë kur dhe në faqen zyrtare të Ministrisë së Kulturës qëndrojnë tre projektligje, ai për trashëgiminë kulturore dhe muzetë, për pensionet e disa profesioneve të vështira të artistëve si dhe projektligji për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin e librit. Kjo situatë kur artistët pohojnë se problemet po sjellin një rrënim në art dhe kulturë tregon qartë se çfarë politikash dhe vizioni pati deri tani Ministria e Kulturës.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here