“Ditari im shqiptar” i Barcatës, përkthyer nga Angjelina Leka  

0
426

 

Nga Ndue Dedaj

Fabian Barcatta (Barkata) (1868-1954) misionar françeskan austriak, shkrimtar, piktor, dijetar, ka shërbyer në Shqipëri (kryesisht në Rubik, por dhe në Shkodër e Lezhë) për dhjetë vjet, dy herë, nga viti 1895 – 1897 dhe 1899 – 1907.

Në fillimet e karrirës, në vitet 1893-189 kishte shërbyer si lektor i klerikëve shqiptarë në Graz.

Pas largimit nga Shqipëria, për në Austri, më 1907, për shkak se u sëmur nga malaria, shërbeu në manastiret françeskane: Kaltern, Bozen, Vallach, Schvaz, St. Martin etj.

Autori i romanit të mirënjohur “Lule” (botuar për herë të parë në gjermanisht, Mynih 1924; shtëpia botuese “Tyrolia”, Innsbruck, 1929; shqip nga “Nikaj” 1930, përkthyer nga prof. Karl Gurakuqi) si dhe i disa novelave e historive kushtuar shqiptarëve.

“Ditari im shqiptar” i Barcatës, përkthyer nga Angjelina Leka, botohet për herë të parë në shqip, nga shtëpia botuese “Mirdita”, në njëqindvjetorin e tij, në vitin 2005. Ai u shkrua në vitin 1905-1906 në Kryezez (Rubik) dhe u botua njëzet vjet më vonë në revistën françeskane Franzisziglöcklein Austri, në vitet 1926-1927. Sa dimë, është i pari ditar i mirëfilltë i një të huaji për Shqipërinë.

***

Ditari Shqiptar i Fabian Barcatës ka qenë i panjohur për lexuesin shqiptar. Botimi i tij në shqip u mundësua pas njëqind vjetësh nga koha kur u shkrua. Përshkrimi me detaje i njerëzve, i varfërisë, sëmundjeve, bestytnive, por dhe i karakterit dhe virtyteve të tyre përbëjnë lëndën e tij origjinale. Hyn në radhën e librave dhe shkrimeve të të huajve që e pasurojnë njohjen mbi botën shqiptare. Ditari paraqet vlerë të posaçme pse u shkrua nga një i huaj, që nuk e sodit por e përjeton botën shqiptare, jo vetëm e prek atë, por dhe preket prej saj. Është një dëshmi që nuk buron thjesht nga njohja e sipërfaqshme, me përshkrime të tipit “Si e pashë unë Shqipërinë”, por dhe nga humanizmi, dashuria për të. Dhënia e disa ndodhive hap pas hapi ka bërë që Ditari në tërësi të jetë si një roman, ngaqë “personazhet” e tij shpesh të shoqërojnë për një kohë të gjatë, ku tipike është gruaja e sëmurë epileptike Dilë, që arrin të shërohet si me profeci falë ndihmës së frarit dijetar.

“Ditari im shqiptar” autori shfaqet vezhgues i drejtpërdrejtë, përjetues i thellë, interpret i veçanësive njerëzore, ku pamja e mjerimit dhe i mbijetesës është mbizotëruese. Ashtu si te romani i mirënjohur “Lule”, ai shfaqet jo si një kronist i thjeshtë i ngjarjeve dhe rrethanave, por si një shkrimtar, që din me mjeshtri të përdorë rrëfimin, përshkrimin, detajin, portretin, peizazhin, herë duke u frymëzuar nga bota e fëmijëve, herë nga notat intime të vendlindjes së munguar, Tirolit. Bie në sy stili rrëfimtar, konçiz, ku disa nga episodet ngjajnë si skica dhe tregimthe të mirëfillta realiste, si “Një shpirt i ndjeshëm dhe besimtar”, me elemente befasuese: njeriu që e pret vdekjen duke e parë në sy, i cili cek në bisedën e fundit me fratin vetëm “mëkatet”, anët  negative të jetës së vet. Sapo mbaron këtë lloj rrëfimi të çuditshëm, ai shtrihet dhe vdes qetësisht, sikur ta kishte thirrur ai vdekjen e tij atë çast dhe jo si ta kishte në dorë vdekja atë. Merita e autorit qendron në sjelljen e këtij lloji tipi sui generis mirditasi, i denjë për sfondin klasik të teatrit shekspirian. Pasi folem rreth një gjysëm ore me njëri-tjetrin, ai hoqi cigaren nga goja, u shtri në tokë, më mori dorën dhe pas disa frymëmarrjeve të zgjatura, vdiq”, përmbyll autori historinë e rrëfyer.

Ditari e shpie lexuesin nëpër një reliev jetësor përgjithësisht të trishtë, gjithë ndodhi dhe bestytni, duke e njohur me njerëz të varfër, të sëmurë, që nuk e kanë bjerrur shpresën dhe kuptimin e jetës. Ngjan si një “regjistër” ku noterizohet gjithçka që përben jetën e Kryezezit në zgrip, ku ka vdekje të shpeshta dhe kërcënojnë epidemitë. Shumica e njerëzve vdisnin nga mungesa e mjekut, ilaçeve dhe kujdesit shëndetësor, ku priftit, të gjendur si në rrethim nga një situatë e tillë, i duhej të jepte zgjidhje për gjithçka, sa ai të befason kur thotë se në dhomën e të vdekurit mora vendimin për t’u bërë vetë mjek. Për të nuk ështe e huaj asgjë që lidhet me fatin e famullisë së tij. Shpesh fretërit, murgeshat bënin dhe punën e mjekut dhe infermierit, si murgeshat e Kallmetit asokohe, gjithashtu austriake. Kjo të sjell ndërmend shembullin e papërsëritshëm të fratit të pashallarëve të Shkodrës, At Erasmo Balneo-s, portretizuar me aq mjeshtri nga At Zef Pllumi.

Në fletën e ditarit të Barcatës të 21 gushtit 1905, zhvillohet një dialog nga më të pabesueshmit, mes fratit dhe një të sapovrari, në agoninë e fundit. Prifti e fundit Ndrekën “A do ta falësh vrasësin tënd?” dhe ai i përgjigjet si një i krishterë i devotshëm: “Oh, me gjithë zemër”. Një ndodhi gjakmarrjeje, e përshkruar me ndjesinë e njeriut të fesë, si një rrëfim artistik, ku syrit dhe lapsit të autorit nuk i shpëton asnjë detaj, por “pikturon” dhe fytyrat e dy bijave të vogla të të vrarit, “që të pikëlluara nga dhimbja qendronin të heshtura pranë të atit me një perkushtim absolut.”

Në Ditarin e Barcatës lëviz një gjindje e lodhur, e sëmurë, e varfër dhe pa vese, pleq, fëmijë, gra, supersticiozë, bestytë, ku ai shfaqet i vendosur dhe veprues në luftimin e bestytnive. Për Gjoka, njëri nga rubikasit e vjetër, e ka kapur sensin e ndryshim, të perspektivës, ndaj arsimimin e të birit e argumenton kështu: Jam i bindur që pushtimi nga Turqit nuk do të zgjasë shumë. Pastaj do fillojë një etapë e re, ku të qenurit i aftë, do të vlerësohet më shumë se sot. 

Edhe më shumë të shtohet admirimi për këtë misionar shembull përshpirtërie kur mendon se ai i shkroi rreshtat e ditarit të tij shqiptar duke vuajtur dhe vetë nga ethet e malaries, me duart që i dridheshin. Ashtu si Migjeni ynë, tridhjetë vjet më vonë, që do t’i përcillte malsorët përmes këngës së dhimbës krenare, duke qenë dhe ai i kërcënuar nga një sëmundje, shumë më e pabesë se malaria e Barcatës, ku sëmundja e mushkërive atë e këputi në moshën 27 vjeçarë, këtë apostull plak nuk e ndali dot në 86 vitet e jetës së tij prej bohemi.

Shënim i redaksisë së revistës Franzisziglöcklein me rastin e fillimit të botimit të “Ditari im Shqiptar”, 1926-27: Pader Fabiani ka dhënë kontributin e tij me mish e shpirt për popullsinë malore në Shqipëri. Ato çfarë shkruhen në këtë ditar janë përshtypjet e tij origjinale të pandikuara, pasi ai nuk ka menduar asnjëherë që këto fletë një ditë do të botoheshin. Kemi arritur ta botojmë këtë ditar vetëm pas lutjeve të vazhdueshme. Ai do të kishte dashur të ndryshonte diçka, por duke qenë se tani jeton larg, në Amerikë, pranë vëllezërve të tij si artist dhe ndihmon në dekorimin e kishave, besoj se ka ardhur momenti të botojmë këtë libër. Ato vazhdojnë më poshtë dhe janë në formë origjinale, pasi nuk dëshmojnë vetëm aftësitë e tij të pakundërshtueshme si artist dhe shkrimtar, por edhe një shpirt të shenjtë plot dashuri dhe përkujdesje… “Ditari” fatkeqësisht ndërpritet, por thjesht leximi i disa fletoreve të tija do të na sjellë kenaqësi.

Përcjellje e botimit në gjuhën shqipe “Ditari im Shqiptar” të Fabian Barcatës, Tiranë 2005.

Gjasat janë që revista e mirënjohur Franzisziglöcklein të jetë nxitur për botimin e Ditarit nga suksesi i botimit gjermanisht të romanit “Lule” të këtij autori në vitin 1924, pasi botimi i tij fillon vetëm dy vjet më vonë, dhe plot njëzet vjet pasi ishte shkruar. Por shënimi i redaksisë së revistës, nuk qartëson gjithçka mbi dorëshkrimin. Thuhet “kemi arritur ta botojmë këtë ditar vetëm pas lutjeve të vazhdueshme”, “pasi ai (autori) nuk ka menduar asnjëherë që këto fletë një ditë do të botoheshin”, çka nënkupton se ai e kishte shkruar atë ditar për të mos e publikuar. I nxitur nga revista, duket se At Fabiani më në fund kishte qënë dakort dhe kishte përgatitur dhe fotografitë për botimin si libër më vete të ditarit. Megjithatë, Ditari, nuk botohet si libër, por vetëm disa fragmente në faqet e revistës. Ndoshta ngaqë Ditari nuk ishte një vepër e plotë. Në këto kushte, u gjykua që ky ditar në shqip të publikohet në përbërje të një monografie kushtuar Fabian Bacatës, ku veç të tjerash, nga ana jonë janë bërë përpjekje për të sjellë të dhëna biografike të panjohura për autorin dhe veprën e tij.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here