Le siecle (1850)/ Fjalimi brilant i Victor Hugo-it në varrimin e Honre De Balzac-ut

0
254

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 31 Maj 2020

 

Më 18 gusht të 1850 u nda nga jeta në moshën 51 vjeçare shkrimtari, dramaturgu, kritiku letrar dhe i artit, eseisti, gazetari dhe botuesi i shquar francez Honoré de Balzac.

 

Me këtë rast, gazeta “Le Siècle” ka botuar, të enjten e 22 gushtit 1850, në faqen n°2, fjalimin brilant të mbajtur nga shkrimtari dhe politikani i shquar francez, Victor Hugo, në momentin e varrimit të Balzac-ut, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Victor Hugo (1802 – 1885)

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Zotërinj,

 

Njeriu që zbriti në këtë varr ishte një nga ata për të cilët dhimbja publike mban kortezh. Në kohërat në të cilat ndodhemi, të gjitha trillimet janë zhdukur. Tani, sytë janë fiksuar jo më mbi kokat që mbretërojnë, por mbi ato që mendojnë dhe i gjithë vendi dridhet kur njëra prej këtyre kokave zhduket. Sot, zija popullore është vdekja e njeriut të talentuar; zija kombëtare është vdekja e njeriut gjenial.

 

Zotërinj, emri i Balzac-ut do të përzihet me gjurmën e ndritshme që epoka jonë do të lërë në të ardhmen.

 

  1. Balzac ishte pjesë e asaj gjenerate të fuqishme shkrimtarësh të shekullit të XIX-të, të cilët erdhën pas Napoleonit, ashtu si plejada e shekullit të XVII-të erdhi pas Richelieu-t,— sikur, gjatë zhvillimit të civilizimit, të ketë pasur një ligj i cili ka bërë që dominuesit e shpatës të pasoheshin nga dominuesit e mëndjes.

 

  1. Balzac ishte një nga të parët ndër më të mëdhenjtë, një nga më të lartët ndër më të mirët.Nuk është këtu vendi për të thënë gjithçka që përfaqësonte kjo mëndje e shkëlqyer dhe sovrane.Të gjithë librat e tij formojnë vetëm një libër, një libër të gjallë, të ndritshëm, të thellë, në të cilin mund të shohim që vjen dhe shkon, ecën dhe lëviz, nuk e di me diçka frikësuese dhe të tmerrshme të përzier me realen, i gjithë civilizimi ynë bashkëkohor; libër i mrekullueshëm të cilin poeti e ka titulluar komedi dhe që mund ta kishte titulluar me të drejtë histori, i cili merr të gjitha format dhe të gjitha stilet, i cili tejkalon Tacitus-in dhe që shkon deri te Suétone, i cili përshkon Beaumarchais dhe që shkon deri te Rabelais; libër i cili është vëzhgim por edhe imagjinatë; që vë në pah të vërtetin, intimin, borgjezin, të parëndësishmin, materialin (lëndën); dhe që herë pas here, përmes realiteteve të papritura dhe të copëtuara, papritmas zbulon idealin më të errët dhe më tragjik.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

 

Pa dijeninë e tij, pavarësisht nëse i pëlqen apo jo, pavarësisht nëse pajtohet me të, autori i kësaj vepre të jashtëzakonshme dhe të çuditshme bën pjesë në racën e fortë të shkrimtarëve revolucionarë. Balzaku shkon drejt e në pikë. Ai e sfidon shoqërinë moderne ballë për ballë. Ai zbulon diçka tek të gjithë, disave iluzionet, të tjerëve shpresën, disave të qarat, të tjerëve maskën. Ai gjurmon vesin, analizon pasionin. Ai gërmon dhe heton njeriun, shpirtin, zemrën, brëndësinë, trurin, humnerën që secili ka në vetvete. Dhe, nëpërmjet dhuntisë së natyrës së tij të lirë dhe të fuqishme, nëpërmjet privilegjit të zgjuarsive të kohës sonë që, duke parë nga afër revolucionet, shohin më mirë fundin e njerëzimit dhe kuptojnë më mirë Providencën, Balzac-u del në pah i buzëqeshur dhe i qetë nga këto studime të frikshme të cilat prodhuan melankolinë te Molière dhe mizantropinë te Rousseau.

 

Kjo është ajo që ai bëri mes nesh. Kjo është puna që ai na lë, një punë e lartë dhe e qëndrueshme, një grumbull i ngurtë vendesh prej graniti, një monument ! një vepër nga maja e së cilës tashmë do të shkëlqejë fama e tij. Njerëzit e mëdhenj krijojnë piedestalin e tyre; e ardhmja kujdeset për statujën.

 

Vdekja e tij mpiu Parisin ! Që prej disa muajsh, ai ishte kthyer në Francë. Duke e ndjerë se vdekja po afronte, ai dëshiroi të shihte sërish mëmëdheun, ashtu si një ditë para një udhëtimi të madh, kur vijmë për të puthur nënën tonë !

 

Jeta e tij ishte e shkurtër, por e mbushur; e mbushur më shumë me vepra sesa ditë!

 

Fatkeqësisht! ky punëtor i fuqishëm dhe kurrë i lodhur, ky filozof, ky mendimtar, ky poet, ky gjeni, jetoi mes nesh duke bërë një jetë stuhish, luftimesh, grindjesh, përballjesh, e zakonshme, në të gjitha kohërat, për të gjithë njerëzit e mëdhenj. Sot, ai gjendet në paqe. Ai u largohet kontestimeve dhe urrejtjeve. Po në këtë ditë, ai hyn në lavdi dhe në varr. Do të shkëlqejë tani, mbi të gjitha këto re që janë mbi kokat tona, midis yjeve të atdheut!

 

Të gjithë ju që jeni këtu, a nuk jeni të tunduar ta keni zili ?

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Zotërinj, sido që të jetë dhimbja jonë në prani të një humbje të tillë, le t’i pranojmë këto katastrofa. Le t’i pranojmë ashtu siç janë me dhembshurinë e tyre. Ndoshta është mirë, ndoshta është e nevojshme, në një epokë si e jona, që herë pas here një vdekje e madhe tu komunikojë shpirtrave që gllabërohen nga dyshimet dhe skepticizmi një lëkundje (tronditje) fetare. Providenca e di se çfarë bën kur e vendos popullin ballë për ballë me misterin suprem, duke i dhënë atij mundësinë të meditojë për vdekjen, që është njëkohësisht barazia dhe liria e madhe.

 

Providenca e di se çfarë bën sepse është më e larta nga të gjitha mësimet. Nuk mund të ketë veçse mendime të errëta dhe serioze në të gjitha zemrat kur një mëndje e shkëlqyer hyn me madhështi në jetën tjetër! Kur njëra prej këtyre qenieve e ngritur shumë lart mbi turmën me krahët (fletët) e dukshëm prej gjeniu, papritmas, hap këto krahë të tjerë që ne nuk i shohim dhe zhytet në të panjohurën !

 

Jo, nuk është e panjohura! Jo, e kam thënë tashmë në një rast tjetër të dhimbshëm dhe nuk do të lodhem kurrë ta përsëris, jo, nuk është nata (ërrësira), por drita! Nuk është fundi, por fillimi! Nuk është asgjësia, por përjetësia ! A nuk është e vërtetë, të gjithë ju që më dëgjoni ? Arkivole të tilla demonstrojnë pavdekësinë. Në prani të disa të vdekurve të shquar, i ndiejmë më qartë fatet hyjnore të kësaj inteligjence që përshkon tokën për të vuajtur dhe për të pastruar veten e saj, dhe të cilën ne e quajmë njeri, dhe themi se është e pamundur që ata që kanë qenë gjeni gjatë jetës së tyre të mos jenë shpirtra pas vdekjes së tyre! (Duartrokitje të fuqishme.)

https://www.darsiani.com/la-gazette/le-siecle-1850-fjalimi-brilant-i-victor-hugo-it-ne-varrimin-e-honore-de-balzac-ut/?fbclid=IwAR2YcaHVlsDnQ8qTHQFLnO9Zd7Ii8yE4KpaXROyASYYVDdwfHq4woje1DUk

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here