Abuzimi/ Autobusët pa kondicionerë dhe me dyer hapur. Ankohen qytetarët, s’ kemi siguri dhe shërbim

0
208

Gjobat nuk i trembin shoqëritë e transportit publik në Tiranë,  ku në pikun e vapës ata lëvizin me kondicionerë të fikur dhe me dyer e dritare të hapura

 

Sejrie Baleta

 

 

Transporti publik në Tiranë është kthyer në një makth të vërtetë. Kur i nxehti ka trokitur në vend kjo situate nëpër autobusët e kryeqytetit  vështirësohet akoma më shumë. Në transportin publik ajri i rëndë, vapë dhe mungesa e kondicionerëve e vejnë udhëtimin brenda përbrenda qytetit një tmerr i cili vuhet nga qytetarët. Edhe pse  gjoba prej 2 mijë lekë të reja të vendosura nga Agjencia për Mbrojtjen e Konsumatorit, nuk i tremb shoqëritë e transportit urban. Edhe pse janë ndëshkuar  thuajse çdo ditë, disa autobusë vazhdojnë të lëvizin pa ndezur kondicioner, në kulmin e vapës. Mungesa e kondicionerit në temperatura mbi 36 gradë, bën që disa urbane, në kundërshtim me çdo rregull të qarkullimit rrugor, të mbajnë xhama e dyer hapur gjatë lëvizjes, duke cënuar rëndë sigurinë. Të pyetur nga gazeta “Standard” qytetari shprehet: “Jemi duke vdekur, gati po na bie dhe të fikët nga vapa e madhe. Përgjegjësit e transportit urbanë dhe bashkia e Tiranës vetëm duan që të rrjepin çepat e qytetarëve. Rritën çmimin e biletave të urbanëve dhe ja si na shërbehet. Sikur këtu brenda në autobusë të ketë kunguj dhe jo njerëz. Është një situatë që nuk di ç’të them. Vetëm qytetarët që udhëtojnë në kushtet skandaloze të urbanëve në Tiranë mund ta besojnë dhe vërtetojnë më mirë tmerrin që heqin. Kur të hipim dhe zbresim nga urbani më parë duhet të falenderojmë zotin që shpëtuam të gjallë” shprehet qytetari. Por jo vetëm kaq siguria në urbanet e kryeqytetit është e kërcënuar drejtpërdrejt.  Ecja me dyer hapur  është një fenomen i përhapur në linjën e Porcelanit. Pasagjerët të cilët udhëtojnë me këtë linjë shprehen shumë të kërcënuar. “Kemi shumë frikë, ankth dhe panik, pasi siguria në këto urbane është shumë e lartë. Shoferët e autobusëve ecin me dyer hapur, me dritare hapur. Ne e kuptojmë shqetësimin e tyre se vapa e madhe në disa gradë e bën punën e saj. Por do ju luteshim shoqërive të transportit që të mos abuzonin me jetën e qytetarëve. Nëse ato nuk janë në gjendje që të plotësojnë dhe kushtet më minimale për qytetarët më mirë të dorëhiqen dhe të mos funksionojnë më në treg. Ne si qytetarë jemi shumë të rregull duke u paguar biletat sa ua do qejfi atyre, ama gjithë këta para që në hedhim duhet të na vijnë në shërbim. Nuk dimë se ku kemi kokën tërë rrugës në ankth e panik” shprehte qytetarja e revoltuar në një nga autobusët e linjës së Porcelanit. Lëvizjet e qytetarëve kanë qenë të shpeshta pavarësisht vapës së madhe. Pasagjerët ankohen për cilësinë e shërbimit, duke marrë para sysh edhe pagesën që bëjnë, sepse që nga shkurti I vitit2016 ata paguajnë më shumë si për biletat ashtu e she për abonetë që bëjnë të mundur transportin në kryeqytet. Në ditë e javës, udhëtimi me disa prej linjave është i pamundur, për shkak të vapës që krijohet nga mungesa e kondicionerit dhe mbingarkesa e pasagjerëve. Të pyetur po nga gazeta “Standard” drejtuesit e autobusëve bëjnë arrogantin dhe theksojnë se në momentin që shoqëritë e transportit nuk u plotësojnë kushtet dyert dhe dritaret e autobusëve do të rrinë hapur. Ata gjithashtu shprehen se policia e Tiranës dhe ajo bashkiake nuk është se na ndjekin. Në rastin kur ne shikojmë që ka policë i mbyllim pastaj i hapim prapë. Qytetarët të jenë të zotët e vetes sepse dhe ata nga ana e tyre kanë shqetësimet e tyre në lidhje me shërbimin që u bëhet nga transporti urban në Tiranë. Ndërsa faturinot shprehen  se: “Përveç detyrës jemi të detyruar që dhe të negociojmë dhe të konfliktohemi me qytetarët duke u thënë që të mos rrinë tek dera në moment që ato janë të hapura”. Kjo është vetëm një rreze më e nxehtë dielli që I bën qytetarët të jenë të pakënaqur ndaj shërbimit që u ofrohet pavarësisht shumës që ata paguajnë për të pasur një shërbim të sigurt dhe cilësorë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here