Ina Jano
Kryeministri: Së shpejti sistem online ankesash. Kërkesat do të transferohen nga telefoni im tek sistemi online
Në vijimësi të turit të tij për t’i shndërruar qytetarët në Kryeministrin e tij, kreu i qeverisë shqiptare, zoti Berisha, u takua me fermerët e zonës së Divjakës, të cilëve u deklaroi se zhvillimi rural do të mbetet edhe në katër vitet e ardhshme prioritet i kabinetit të tij. Lideri i mazhorancës deklaroi se në fakt, të gjithë fermerët duhet të ndihen të qetë, pasi mbështetja dhe lehtësirat për këtë shtresë do të vijojnë të zbatohen. “Prodhimi bujqësor dhe zhvillimi rural i vendit është i një rëndësie kapitale. Kjo krizë botërore tregon se është një gabim me pasoja shumë të rënda n.q.s. hiqet dorë nga prodhimet e mundshme që një vend mund të bëjë. Kjo krizë fakton se prodhimi dhe punësimi duhet të jenë qëllimet më kryesore të çdo qeverie, të çdo shoqërie, të çdo vendi dhe ne i përmbahemi kësaj. Në vitet që vijnë ne do të bëjmë gjithçka të shumëfishojmë prodhimin tuaj. Kam kënaqësinë t’u informoj se në 6 vitet e fundit, eksportet bujqësore, nga 66 milion dollarë që kanë qenë, kanë arritur në 164 milion dollarë. Por unë nuk jam i kënaqur me këtë, sepse kam bindjen se potenciali ynë është mbi 10 herë më shumë. Kjo ka një rëndësi të jashtëzakonshme për ekonominë shqiptare, sepse balancon atë që quhet bilanc pagesash, raportet midis eksporteve dhe importeve. Deri sot ky balanc është i çrregulluar, është mbuluar në një mënyrë nga paratë që kanë dërguar emigrantët, por është në detyrën tonë të bëjmë gjithçka për të siguruar këtë balancë nëpërmjet prodhimeve tona”, – theksoi ai në bashkëbisedimin me qytetarët. Berisha më tej u shpreh se një rëndësi të madhe do të marrë sistemi i ujitjes, pasi kjo është një problem kyç, që u vu re edhe nga bashkëbisedimet mes kreut të qeverisë dhe qytetarëve të Divjakës. Gjithashtu lideri i kabinetit qeveritar, u shpreh se në fakt infrastruktura do të ketë hapësirën e vet, e cila duhet që të vijojë të mbetet ndër objektivat e parë të mazhorancës. Berisha pohoi se realisht qeveria ka përcaktuar parimin për infrastrukturë të njëjtë, në lagjet e qytetit dhe ato të fshatit. Për kreun e mazhorancës, rrugët janë e ardhmja për tregun, për zhvillimin ekonomik, për sistemin arsimor, por edhe për atë shëndetësor.
Sistemi i ankesave
Kryeministri u shpreh se që nga viti 2005 ai e ka bërë publik numrin e tij të telefonit dhe nuk e ka ndryshuar asnjëherë. Ai u shpreh se nuk do ta bëjë këtë gjë, pasi është i gatshëm që të dëgjojë në çdo moment ankesat e qytetarëve. Kreu i mazhorancës bëri me dije se telefoni i merr pa diskutim një kohë të madhe, por kjo i shërben për ti thjeshtësuar të gjithë qytetarëve komunikimin me të. Ai u shpreh se gjen kohë për të gjithë qytetarët dhe sigurisht që i përcjell në direktoritë përkatëse të gjithë shqetësimet e tyre. Megjithatë duket se nga Divjaka Berisha njoftoi edhe për sistemin e ankesave dhe të kërkesave që së shpejti do të jetë online dhe çdo qytetar do të ketë mundësinë që të plotësojë një formular me të gjitha të dhënat e tij. Në këtë drejtim pikë pozitive luan edhe projekti Shqipëria Dixhitale, e cila do të mundësojë që ky shërbim të realizohet me sukses të plotë. Kryetari i ekzekutivit pohoi se tashmë projekti është duke u punuar dhe në një kohë shumë të shkurtët ai do të jetë një realitet i prekshëm. Me humor Kryeministri u shpreh se tashmë të gjitha mesazhet që vijnë në telefonin e tij do të transferohen në këtë sistem modern. Zoti Berisha shoqërohej në takim edhe nga deputetë të tjerë demokratë, duke përfshirë këtu edhe ministrin e Transporteve Olldashi, i cili pak minuta pas takimi filloi postoi në faqen e tij në Facebook, një foto nga atmosfera entuziaste në Pallatin e Kulturës.
Arsimi profesional
“Nëse duam të bëhemi ekonomi e madhe duhet që të bazohet mbi dijen, por kaq jetike është edhe arsimi profesional. Duhet të bëhet gjithçka për të hapur shkolla teknike të arsimit profesional dhe nuk do të ndalem deri në krijimin e tyre. Sistem ky që edhe 80 apo 100 vjet më parë ka garantuar suksesin e qeverisë amerikane. SHBA i kushton një kujdes të veçantë shkollimit profesional dhe sidomos për fermerët e saj deri në pikën më maksimale. Edhe sot SHBA-të qëndrojnë në krye të progresit. Modele të tilla duhet ti shtrijmë në të gjithë vendin. Kemi përdorur bursa dhe do vijojnë përpjekjet derisa raporti që sot është 68 me 22 në favor të gjimnazeve, të bëhet 1 me 1 siç është në vendet e zhvilluara. Një Shqipëri e bazuar mbi dijen do të ecë drejt zhvillimit të garantuar”, – u shpreh zoti Berisha në takimin me qytetarët e Divjakës.
Pas heshtjes së Ramës, PD thirrje kreut të PS-së për transparencë
Partia Demokratike i bëri thirrje dje kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama të bëjë transparencën e plotë të aferave personale dhe familjare. “Zoti Rama të mos harrojë se heshtja flet më shume se çdo gjë tjetër! Heshtja juaj dymujore z. Rama, akuzon se “pallati në pajë” është ndërtuar me paratë e gjobave tuaja, vënë ndërtuesve të Tiranës për të cilat, Ju jeni akuzuar publikisht. Heshtja juaj dy mujore ju akuzon se paratë e “pallatit në pajë” që ti nuk guxon të zbardhësh origjinën e tyre mund të jenë para trafiqesh kriminale të bandave me të cilat ti ke qeverisur Tiranën! Po kështu, trualli me 2 dollarë i bamirësit tënd ju akuzon z. Rama për fshehjen e çmimit të vërtetë me të cilin e keni blerë atë, kjo vetëm e vetëm për të fshehur origjinën e vërtetë të parave. Ju rikujtojmë që flitet se trualli është blerë me shpërblim”, u shpreh zëdhënësja e PD-së, Laura Vorpsi. Duke kërkuar transparencë për qytetarët selia blu i kujtoi Ramës se këto afera nuk do mund ti ndryshohen në kompjuterin e vjedhur të Erion Velisë! “Partia Demokratike ju bën thirrje z. Rama: mos u fshih, por trego origjinën e parave me të cilat u ndërtua “pallati në pajë” në lulishten e pallateve me lejet tuaja dhënë në kundërshtim të hapur me ligjet e vendit. Partia Demokratike ju fton z. Rama t’ju thoni qytetarëve origjinën e vërtetë të 100 milion lekëve kredi pa interes të gruas suaj si dhe çmimin e vërtetë të truallit të rezidencës suaj verore në malin e Dajtit”, – përfundoi zëdhënësja e demokratëve.
Kerry: Shqipëria, rol kontruktiv në shërbim të paqes dhe stabilitetit në rajon
Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Panariti, mori pjesë në Darkën Transatlantike të organizuar në Romë nga homologu i tij italian Giulio Terzi. Gjatë darkës, shefi i diplomacisë shqiptare u takua me Sekretarin amerikan, John Kerry. Të dy bashkëbiseduesit vlerësuan raportet e shkëlqyera që ekzistojnë mes të dy vendeve. Ata vunë në dukje se të dy qeveritë ndajnë pikëpamje të përbashkëta për çështjet që lidhen me rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe me gjerë. Nga ana e tij Panariti theksoi se prioritet i qeverisë shqiptare është forcimi i marrëdhënieve me vendet e rajonit, përmes një politike të hapur dhe konstruktive. Në këtë kontekst, ajo ka synuar forcimin e kohezionit të faktorit shqiptar në rajon në shërbim të stabilitetit dhe frymës së mirëkuptimit mes vendeve. Gjithashtu, ai tha se qeveria shqiptare ka inkurajuar dhe përshëndetur dialogun e vendosur mes autoriteteve më të larta të Kosovës dhe Serbisë.
Në këtë aktivitet ishin të pranishëm Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Pjesëmarrësit diskutuan në lidhje me çështjet aktuale në fushën e sigurisë që janë në agjendën e NATO-s dhe Bashkimit Evropian dhe sidomos për krizën në Siri, situatën në Afganistan dhe luftën kundër terrorizimit.