Çfarë shkakton diabeti, rrezikshmëri edhe për sytë

0
285

diabetesDiabeti shkakton komplikime në organe të ndryshme e ndër to edhe në sy. Sëmundja diabetike e syrit i referohet një grupi të ndryshimeve në sy, të cilat paraqiten te personat me sëmundje të sheqerit dhe që shënohen si komplikime të diabetit. Këto ndryshime mund të shkaktojnë humbje të rëndë të të parit ose të shkaktojnë verbim të plotë. Dëmtimet diabetike në sy njihen si retinopati diabetike. Vlerësohet që rreth 60% e personave me diabet kanë ndonjë manifestim të retinopatisë diabetike dhe që retinopatia diabetike (RD) është shkaktari kryesor i verbimit te pacientët e moshës 20 gjer 74-vjeçare. Gjasat për të zhvilluar këtë komplikim varen nga kohëzgjatja e diabetit, kualiteti i kontrollit të glikemisë, presioni i gjakut, niveli i lipideve të serumit, niveli i marrjes së kalorive, niveli i aktivitetit fizik, etj. Grup-mosha, e cila më së shumti është duke u rrezikuar nga diabeti është 30-39 vjeç. Manifestimet klinike të retinopatisë diabetike: Është me rëndësi të ceket se pacienti nuk do të vërejë ndryshime në pamje gjersa diabeti të mos dëmton regjionin e makulës, gjegjësisht gjersa të mos paraqitet ndonjë gjakderdhje më sinjifikante në trupin qelqor apo retinë. Prandaj, pacienti mund të ketë retinopati të shkallës së rëndë, ndërsa në anën tjetër ende të ketë pamjen e mirë. Prandaj, ekzaminimet e rregullta të fundit të syrit janë të domosdoshme. Ndryshimet të cilat mund të paraqiten në retinë janë: mikroaneurizmat (zgjatjet në formë qeske të murit të kapilarëve), gjakderdhjet sipërfaqësore apo të thella, eksudatet e forta dhe të buta, neovaskularizimet, proliferimet fibrovaskulare, etj. Varësisht nga paraqitja e tyre retinopatia diabetike ndahet në joproliferative dhe proliferative (natyrisht në kuadër të tyre pastaj ekzistojnë nënklasifikime).

 

Trajtimi

Mjekimi i retinopatisë diabetike bëhet në 3 mënyra: me laserfotokoagulim (LFK), injektime intravitreale të substancave të ndryshme dhe operacione të retinës dhe trupit qelqor (pars plana vitrektomi-PPV). LFK shfrytëzon nxehtësinë nga burimi laserik për të kauterizuar enët e dobësuara të gjakut të cilat mund të gjakderdhin dhe po ashtu ka një rol shumë të rëndësishëm në parandalimin e zhvillimit të neovaskularizimit dhe të shkolitjes së retinës. LFK-ja është një procedurë e shpejtë, pa dhimbje, kryhet për 10-15 minuta dhe mund të përsëritet shumë herë. Përafërsisht te 70% të sëmurëve që e bëjnë laserimin vjen gjer te stabilizimi i pamjes, ndërsa në 15% të rasteve pamja edhe mund të përmirësohet. Ekzistojnë dy mënyra të kryerjes së LFK. Njëra është LFK fokale, ndërsa tjetra është panLFK. Natyrisht, rekomandohet që para LFK, sidomos asaj fokale, të kryhet ekzaminimi i fluorescein angiografisë – FAG (foto 4). Gjatë FAG jepet një substancë kontrasti në venë dhe pastaj me anë të një kamere speciale bëhet fotografimi i retinës dhe vizualizimi i enëve retinale të gjakut. Në ato zona ku kemi dëmtim të enëve të gjakut dhe rrjedhje të kontrastit pastaj kryhet LFK fokale. Përveç LFK, mjekimi i retinopatisë diabetike bëhet edhe me injektimin e substancave të ndryshme në trupin qelqor. Ekzistojnë disa lloje të substancave të cilat mund të injektohen si kortikosteroidet, substancat anti-VEGF etj. Në vitet e fundit trajtimi i retinopatisë diabetike ka përjetuar një revolucion të vërtetë me paraqitjen e substancave anti-VEGF (si avastin, lucentis, etj) të cilat janë treguar shumë efikase në largimin e neovaskularizimeve. Mënyra tjetër e trajtimit të komplikimeve diabetike është edhe trajtimi kirurgjik, gjegjësisht PPV. Në rastet me gjakderdhje në vitreus, zhvillim të membranave proliferative apo ablacione traktive të retinës, atëherë duhet të intervenohet në mënyrë kirurgjike. Mirëpo, trajtimi është shumë më i suksesshëm nëse pacienti paraprakisht ka bërë trajtime me LFK dhe injektime intravitreale. Në të kundërtën rezultatet e intervenimit shumë shpesh janë të kufizuara. Në fund duhet të thekësojmë se duhet një bashkëpunim i mirëfilltë në mes të mjekut familjar, endokrinologut dhe oftalmologut, në mënyrë që pacienti të informohet dhe të udhëzohet për trajtim sa më efikas dhe me kohë, në mënyrë që të parandalohen komplikimet e mundshme të diabetit. Dr. Valbon Ajazaj.

 

 

Kolesteroli, kontrolli i shpeshtë që duhet bërë të mjeku

Sasia e kolesterolit dhe yndyrave të tjera të njohura si trigliceride në gjakun e njeriut janë një indikacion i fortë i mundësisë së atakut të zemrës. Nivelet e larta të quajtura kolesterol “i keq” dhe trigliceridet janë shkak për shqetësim pasi ato mund të shkaktojnë aterosklerozën dhe sëmundjen koronare të zemrës, një faktor rreziku madhor për atakun e zemrës. Për këtë arsye, është e rekomandueshme për të gjithë të rriturit për të matur nivelet e kolesterolit dhe triglicerideve të paktën një herë. Nëse nivelet janë të ulëta dhe ju nuk ndryshoni dietën dhe të ushtruarit, atëherë nuk do të jetë e nevojshme që ti kontrolloni ato përsëri, të paktën për një kohë. Por, nëse nivelet e kolesterolit janë anormalisht të larta, mjeku duhet të ju këshillojë rreth menaxhimit të kolesterolit. Fondacioni i zemrës rekomandon që të gjithë të rriturit e moshës 45 vjeçare dhe më të vjetër duhet të bëjnë kontrolle të rregullta të gjakut për të kontrolluar nivelin e kolesterolit dhe të triglicerideve. Ato, të cilët janë më të rinj se 45 vjeç dhe kanë faktorë të tjerë rreziku për sëmundjen e zemrës, siç janë diabeti ose historia familjare e kolesterolit të lartë, gjithashtu duhet të kontrollojnë rregullisht nivelet e tyre të gjakut – të paktën njëherë në vit.

 

Si mund të reduktohet kolesteroli?

Nivelet e yndyrave në gjak mund të reduktohen në mënyra të ndryshme. Humbja e peshës nëse jeni mbipeshë ose obez, përmirësimi i dietës tuaj, rritja e nivelit të të ushtruarit, lënia e duhanit nëse pini cigare dhe reduktimi i konsumimit të alkoolit shpesh ndihmon. Disa njerëz do të kenë nivele të larta kolesteroli pamvarësisht dietës së mirë dhe të ushtruarit të shumtë. Për ato, mund të jetë e domosdoshme marrja e tabletave për të ulur nivelin e kolesterolit dhe të triglicerideve dhe për të reduktuar rrezikun e atakut të zemrës. Disa fëmijë kanë zbuluar se kanë nivele të larta të kolesterolit. Gjithashtu, nuk është praktike për të kontrolluar të gjithë fëmijët, është mirë për të testuar vetëm ato që kanë diabet dhe fëmijët, pjesëtarët e familjes së të cilëve kanë nivele anormale të larta, si edhe ato që kanë një prind, vëlla ose motër që e ka pasur sëmundjen para moshës 60 vjeçare .

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency