Depozitat e shqiptarëve, sa gjithë borxhi publik i vendit

0
219

Ervin Kaduku

 –  Ulja e remitancave të emigrantëve po jep efekte edhe në sistemin bankar, me depozitat që u rritën në gusht, me ritmet më të ulëta të viteve të fundit

depozita Sistemi bankar duket se po merr pak frymë muajt e fundit. Krahas rritjes së kredive, edhe depozitat kanë shënuar një ecuri pozitive në muajin gusht, duke shënuar rritje për të pestin muaj radhazi. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, stoku i depozitave në fund të muajit gusht arriti në 962.3 miliardë lekë, me një rritje prej 0.5% në raport me një muaj më parë. Kjo shifër është e barabartë me gjithë masën e borxhit të shtetit shqiptar.

Gushti është një muaj, ku sezonalisht konstatohet një rritje e depozitave në sistemin bankar, si rrjedhojë e kthimit të emigrantëve në atdhe. Gjithsesi, shtesa e depozitave në banka në gusht 2014 ishte vetëm 4.5 miliardë lekë, shumë më pak se shtesa prej 13 miliardë lekë, që u konstatua të njëjtin muaj të 2013-s dhe 17 miliardë lekë në gusht 2012.

Me bazë vjetore (gusht 2014/gusht 2013), depozitat janë rritur vetëm me 1.5%. Një vit më parë rritja ishte 1.9%.

Kjo ecuri e dobët e depozitave lidhet në pjesën më të madhe me rënien e interesave të depozitave, sidomos uljen e tyre në nivele afër zeros nga banka Raiffeisen, çka ka bërë që depozituesit t’i zhvendosin kursimet e tyre tek Raiffeisen Invest, që ofron norma më të larta kthimi.

 

Rritet huaja bankare

Ndërkohë, huadhënia për ekonominë është rritur në gusht, për të katërtin muaj radhazi, sipas statistikave mujore të publikuara nga Banka e Shqipërisë.

Stoku i kredisë për individët dhe bizneset në fund të muajit gusht arriti në 556.8 miliardë lekë, duke u rritur me 6.1 miliardë lekë, apo rreth 1.1% në raport me një muaj më parë. Kjo është rritja ë e madhe mujore, që nga marsi 2012 dhe tregon për një rikthim të sistemit bankar tek huadhënia për ekonominë. Dy vitet e fundit, teksa u përballën me një shtim të ndjeshëm të kredive me probleme, bankat frenuan kredinë, duke bërë që stoku i kredisë për 2013-n të shënonte një rënie prej rreth 2% me bazë vjetore.

Në raport me fundin e vitit 2013, kredia për ekonominë u zgjerua me 8.9 miliardë lekë, apo 1.6%.

Me bazë vjetore (gusht 2014/gusht 2013), huaja për ekonominë është zgjeruar me 11.8 miliardë lekë, apo 2.2%, performanca më e mirë e tre viteve të fundit.

Përmirësimi gjatë muajve të fundit ka ardhur si nga leku ashtu dhe nga valuta. Kredia e shtuar në gusht ka shkuar pothuajse në pjesën dërrmuese për bizneset.

Bankat kishin paralajmëruar një gjallërim të huasë për ekonominë, pasi raporti i fundit i standardeve të kredisë së tremujorit të dytë 2014, tregonte se bankat po i lehtësonin kriteret si për biznesin ashtu dhe për individët, ndërsa dhe nga kahu tjetër kërkesa po rritej.

Megjithatë, huaja e pakthyer në afat u rrit në mënyrë të papritur në korrik, në 24.9%, pasi ishte frenuar në pjesën e parë të vitit.

 

 Marrëveshje Kosovë-Shqipëri për kontrollin ushqimor

Duket se tashmë importi dhe eksporti i mallrave ushqimorë mes Shqipërisë dhe Kosovës, do të ketë lehtësira , nga aspekti i kontrollit në pikat doganore dhe nga unifikimi i disa praktikave të inspektimeve.

Në takimin e zhvilluar mes autoriteteve kosovare të sigurisë ushqimore dhe atyre në Tiranë, Drejtori i Përgjithshëm i AKU-së, z. Afrim Bakaj, shprehu gatishmërinë për të pasur një bashkëpunim të ndërsjellë sa më të mirë, duke theksuar, se “kryesorja është që produktet tona të lëvizin pa asnjë problem mes dy vendeve, duke respektuar marreveshjet teknike dhe unifikuar disa praktika të inspektimeve në Pikat e Kalimit Kufitar, duke krijuar edhe lehtësira për importuesit dhe eksportuesit e dy shteteve tona”.

“Sa më shpejt të sheshohen mosmarrëveshjet teknike dhe të unifikohen praktikat dypalëshe, aq më frytdhënëse do të jenë bashkëpunimet tona”, u shpreh Z.Bakaj.

Pala kosovare e kryesuar nga zv.drejtori i Përgjithshëm i AUV, z. Nazif Krasniqi, tha më tej, se lehtësimi i mëtejshëm i procedurave të kontrollit ndërmjet dy vendeve do të na ndihmonte shumë për lëvizjen e lire të mallrave ushqimorë. Duke parashtruar edhe problematikat që haset aktualisht në formatet e certifikatave në PIK për produkte që kanë anomali, si dhe një sërë praktikash të tjera në lidhje me gjurmueshmërinë e produktit, të cilat u diskutuan konkretisht nga një grup dypalësh i specializuar pune, përfaqësuesit e dy autoriteteve nënvizuan rëndësinë e përshpejtimit të unifikimit të procedurave në PIK-e.

Marrëveshja që pritet të nënshkruhet Shqipëri-Kosovë është e bazuar në marrëveshjen e tregtisë së lirë CEFTA (Central European Free Trade Agreement), në të cilën marrin pjesë tetë vende të rajonit të Ballkanit Perëndimor si, Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Bosnja Hercegovina, Kroacia dhe Moldavia.

 

 Banka Evropiane nuk ndryshon normën bazë

Banka Qendrore Evropiane i mbajti të pandryshuara normat e interesit duke i lënë ato sërish në nivele të ulëta rekord, ndërsa investitorët presin që presidenti Mario Draghi të zbulojë detaje rreth planit të blerjes së aktiveve. Këshilli Drejtues prej 24-anëtarësh vendosi gjatë mbledhjes se ditës së djeshme në Napoli, Itali, që norma bazë të qëndrojë në 0.05 për qind . Vendimi ishte parashikuar nga të 60 ekonomistët në sondazhin e Bloomberg News. Norma e depozitave dhe norma margjinale e huadhënies qëndruan në minus 0.2 për qind dhe 0.3 për qind, respektivisht.

Borxhi grek ‘kërceu’ dje si pasojë e spekulimeve se BQE do të zvogëlojë kërkesat ndaj cilësisë së aktiveve që mund të pranojë.

‘Ne duam të dimë se çfarë, sa, nga kush, dhe kur BQE planifikon të blejë,’ tha Robert Kuenzel, ekonomist në Daiwa Capital Markets Europe Ltd në Londër. ‘Standardet ka të ngjarë të duhet të rishikohen në mënyrë që program të jetë efektive dhe i drejtë.’

Një propozim nga gjashtë personat e Bordit Ekzekutiv të BQE-së parashikoi se kërkesat ekzistuese për cilësinë e pranuar të aktiveve janë ‘zbutur’ për të lejuar blerjet e disa ABS-ve greke dhe qipriote, njoftoi këtë javë “Financial Times”, duke cituar njerëz të paidentifikuar me njohuri rreth kësaj çështje. Një zëdhënës i BQE nuk pranoi të komentojë mbi artikullin.

 

 Numri i përdoruesve të Facebook-ut në vend ka arritur në 1.1 milionë në vitin 2013

Sipas të dhënave të publikuara nga Internet World Stat, në Shqipëri, përdorimi i internetit arriti në 60.1% në vitin 2013. Rezulton se 1.8 milionë shqiptarë kanë përdorur internetit vitin e kaluar. Ndërsa numri i përdoruesve të Facebook është pothuajse 1.1 milion. Për përdorimin e internetit, Shqipëria renditet pas Kosovës, Kroacisë, Bosnjës, Maqedonisë, duke ia kaluar Serbisë, Malit të Zi, Bullgarisë Rumanisë. Në Ballkan, nivelin më të lartë të përdorimit të internetit e ka Kosova, me 76.6%, e ndjekur nga Kroacia me 70.9%, ndërsa Facebook në Kroaci e përdorën 1.6 milionë persona. Në Bosnjë Hercegovinë, penetrimi i internetit arriti 67.9% (1.3 milionë përdorues Facebook); në Maqedoni 62.2% (962,000, në Facebook).

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency