Telnis Skuqi
Ka qenë një ditë e bukur për gjermanen, Josephine Heide, e cila së bashku me 100 vullentarë të organizatave të ndryshme, kanë ndërmarrë dje një aksion për pastrimin dhe promovimin e kalasë mesjetare të Borshit.
Ajo qysh në orët e para të mëngjesit, nisi të largojë një nga një gurët e pafund që kishin bllokuar rrugën dekorative që në çon drejt objektit monumental.
“Monumentet e kulturës në Shqipëri janë të pazbuluara nga turistët vendas dhe të huaj, por edhe nga studiuesit”, shprehet Heide, 26 vjeç, që jeton prej 6 muajsh në Tiranë si vullentare.
Heide shprehet se Shqipëria është një vend i bukur, si dhe rezervon natyrë të mrekullueshme. “Ju keni një natyrë për t’u admiruar. Personalisht më pëlqejnë monumentet, ndërsa kalaja e Borshit ka një dikim nga kultura otomane”, mendon Heide.
Më tej, Heide thotë se aksionet e tilla vullnetare duhet të jenë më të shpeshta dhe gjithëpërfshirëse që të motivojnë njerëzit për t’u kujdesur për monumentet.
“Shqiptarët duhet të kujdesen për këto monumente, janë dëshmitarë të kulturës së një vendi. Gjithë këto objekte dhe natyrë është një thesar i çmuar për vendin”, flet Heide, ndërsa shton se aq sa do të qëndroj në Shqipëri do të marrë pjesë në aksione vullnetare.
Afërdita Selimi, gazetare prej 33 vitesh në Radion Tirana, e pranishme në këtë aksion, shprehet se fatmirësisht gjendem në kalanë e Borshit, e cila në këtë aksion vullnetarë na nxit edhe më shumë për të shkuar drejt lashtësisë sonë, bukurisë së saj dhe mbrojtjes së këtyre vlerave, që ne i kemi, por pak jemi me to.
“E bukura, këtu në bukurinë pranë detit Jon, është gjërshetimi i njerëzve nga të gjitha trevat, por më tepër i të rinjëve, ç’ka tregon edhe dëshirën e tyre për të njohur këto vlera, por edhe për të shërbyer për pastërtinë mjedisore”, thotë Afërdita.
Afërdita shton se ka shumë vite që një rrugë e bukur në çon në kalanë e Borshit, por objekti i kultit në kala, që prej shekujsh është shndërruar nga kishë në xhami dhe anasjelltash, e mban historinë, po duket se nga rrënimi i tij, shumë shpejt do të bie.
“Gjykoj se në monumentet e tilla shteti duhet të vërë dorë. Koha ikën shpejt, orët përcjellin ditën, ditën përcjellin muajt dhe muajt vitet gjithashtu. Kur të kujtohemi do të jetë shumë vonë. Këtë ndieva në këtë kala”, thekson Afërdita, ndërsa nënvizion se është e pafalshme që për 2 kilometëra rrugë nga rruga kombëtare drejt kalasë së Borshit është degraduar dhe nuk është investuar prej dekadash.
Aranita Brahaj, drejtuese e projektit “Act noë as a smart tourist” (Vepro tani si një turist i zgjuar), thotë se aksioni vullnetar “Kalatë e bregut tim”, do të zgjasë dy ditë në kalanë e Borshit.
“Aksioni synon pastrim nga mbeturinat të sezonit të fundit turistik dhe promovimin të monumenteve fortifikuese në segmentin e bregut nga Qeparoi gjer në Borsh”, shprehet Brahaj.
Sipas saj, “Kalatë e bregut tim” është një aksion i një grupi vullnetarësh të projektit “Act Noë as a Smart Tourist”.
“Ky projekt mbështetet finaciarisht gna Programi i Grandeve të Vogla i Komisionit për Demokraci i Ambasadës Amerikane në Tiranë. Vullnetarët do të jenë kryesisht nga Tirana, sikurse disa organizata që veprojnë në qarkun e Vlorës do t’i bashkohen veprimit, por askush nuk do të përjashtohet nga vullnetarizmi për shkak të racës, fesë apo origjinës”, thekson Brahaj.
Më tej, Brahaj thotë se bregdeti jonian mban mbi supe monumente të kategorisë së parë, si dhe kanë ponteciale turistik. “Veç kontributit me pastrim në përfundim të sezonit turistik veror, aktiviteti ynë synon edhe sensibilizim për menaxhim më të mirë të monumenteve dhe mjedisit të tyre, krijimin e më shumë mundësive për të shfrytëzuar potencialin kulturor e turistik që ato mbartin”, përfundon Brahaj.