Juve-Çelsi, cila humb mbetet jashtë

0
1633

Bardhezinjtë presin sonte Çelsin në një sfidë mjaft delikate

Përgatiti Altin Vorpsi

“Juventus stadium” do të jetë arena që do të vendosë fatin e dy prej skuadrave që muaj më parë kurrë nuk kanë menduar se do të luanin një sfidë që do të vlente kaq shumë. Ekspertët në fillim parashikuan se këto ishin dy klubet që do të kualifikoheshin. Ndërsa fusha e blertë tregoi krejt të kundërtën. Shaktari qe “e paftuara” e bezdisshme që me një lojë mjaft të mirë rrezikon të eliminojë kampionët në fuqi ose skuadrën më të mirë italiane.

Bufoni heq përgjegjësitë

Në dy sfidat e mbetura Juventusit do t’i duhen katër pikë që të kualifikohet për më tej. “Zonjës së Vjetër” do t’i duhet të përballet me dy rivalet më të forta të grupit E (e udhëheq Shakhtari dhe Çelsi me nga shtatë pikë secila). 16-shet duket se janë “një mollë” e ndaluar për torinezët që tentojnë të shkarkojnë përgjegjësitë nëpërmjet Xhixhi Bufonit: “Nuk mendoj se po të dilnim nga Liga e Kampioneve për ne do të quhej një dështim. Ka disa mënyra për të ecur përpara, ashtu siç për të dalë. Më pas do të gjykohet siç duhet. Janë tri ekipe në grupin tonë për dy vende. Kështu dotë jetë deri në minuat e fundit të takimit të fundit të grupit. Sa i përket Çelsit, në sfidën e parë, treguam se ishim në nivelin e tyre dhe se mund të luajmë në mënyrë të barabartë. Lojtarët e bluve meritojnë vlerësim të madh. Ata janë kampionët e Evropës. Në 10 vitet e fundit kanë lënë shenjë në futbollin botëror. Pastaj kanë dyfishin e paraqitjeve tona në Champions. Por Juvja nuk ka një diferencë të madhe në atë këndvështrim. Ne duhet të kemi kujdes, se ata mund të të ndëshkojnë në çdo mundësi të dhënë. Megjithatë, unë besoj tek kjo Juve”.

Kriza totale e Çelsit

Sfida vendimtare ndaj Juventusit ka ardhur në momentin më të keq për Çelsin. Tri fitore në shtatë ndeshjet e fundit janë shumë pak për Abramoviçin të cilit i ka sosur durimi, aq më tepër kur ka mësuar se Pep Guardiola do të ishte shumë i lumtur nëse ai do t’i ofronte të ulej në “Stamford Bridge”. Manjati rus i naftës nuk është i vetmi i pakënaqur. Edhe Peter Çeh nisi një debat të ashpër në dhomat e zhveshjes pas humbjes 2-1 me Bromuiçin. Portieri ishte i zemëruar nga paraqitja e mbrojtjes dhe siç raporton shtypi britanik, janë dëgjuar fjalë “Gjepura… të gjithë e dini” apo edhe “Ju e quani veten fitues të Ligës së Kampioneve?” Në debatin mes lojtarëve është përmendur shpesh dhe emri i trajnerit, ndërsa “Daily Mail” shton se shënjestra e gardianit çek ka qenë David Luiz. Qendërmbrojtësi brazilian ka dalë më shumë se ç’duhej nga detyrat taktike të trajnerit. Nuk është çudi që Çelsi hyn në krizë sa herë mungon kapiteni Terri. Pak minuta as debatit, Di Mateo u shfaq i qetë para gazetarëve, por nëse londinezët nuk japin shenja jete sot kundër kampionëve të Italisë, ai rrezikon më shumë se kurrë që brenda javës të kthehet nga një hero, në një të papunë. Thuhet se dy të sakrifikuarit që do të ulen në stol sot janë Torres dhe David Luiz.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency