Ronaldo pretendon që të marrë në vit 18 mln euro, Reali i ofron 14mln euro
“I pakënaquri” ka marrë lajme të mira. Nuk është interesuar vetëm PSG për të marrë kartonin e Kristiano Ronaldos. Gjithashtu në garë është edhe njëra prej dy ekipeve të Mançesterit. Flasim për “djajtë e kuq”, skuadra që e bëri të madh lojtarin që u shit tek Reali për plot 93 milionë euro.
Skenari
Junajtid do të niset nga avantazhi i marrëdhënies së mirë që ka Sër Aleks Fergusoni me portugezin, me këtë të fundit që vazhdimisht ka vlerësuar në maksimum punën e trajnerit skocez. Gjithashtu, mundësia e rikthimit në “Old Trafford” favorizohet nga fakti se si 26-vjeçari, ashtu edhe “djajtë e kuq” sponsorizohen nga “Nike” dhe kompania amerikane e produkteve sportive mund të ndikojë për të lehtësuar transferimin.
Rivalet
Nga ana tjetër, është e qartë që Siti dhe PSG kanë një avantazh të pakrahasueshëm, atë ekonomik, në raport me “djajtë e kuq”. Kampionët e Anglisë, të udhëhequr nga sheiku Mansur ben Zajed al-Nahjane, janë të vendosur që të bëjnë një ofertë të çmendur, deri në 200 milionë euro, të cilën, duke konsideruar gjendjen aktuale, Reali vështirësish mund t’i thotë “jo”. Në këtë “ankand” të çmendur, Paris SG i sheikut tjetër, Al-Thani, gjithashtu do të ishte i gatshëm që të merrte pjesë. Në pak më shumë se një vit në drejtimin e parisienëve, Al-Thani ka shpenzuar 257 milionë euro për përforcime, por ka premtuar se do të vazhdojë të shpenzojë edhe shumë më tepër për të rritur nivelin e skuadrës.