Bashkë për fëmijët, meritojnë më të mirën

0
1244

Përmes një shfaqje teatrale në Teatrin Kombëtar të Komedisë dhe një shëtitjeje ndërgjegjësuese në pedonalen e Tiranës, Organizatat Ndërkombëtare World Vision, Unicef, Terres des Homme, Save the Children dhe teatri shëtitës “Çajupi” janë bashkuar duke bërë thirrje për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve dhe sigurinë e tyre

Blerta Mrishaj

“Një vizitë e zakonshme në një prej familjeve shqiptare, teksa unë bisedoja me prindërit, një vajzë e vogël, buzëqeshte vazhdimisht, si për të më treguar mirësjelljen e saj. E ëma, në bisedë e sipër, drejtohet vogëlushes: Mos qesh, e sheh që është një zotëri i rëndësishëm. Por unë do të lutesha: t’i lëmë fëmijët të qeshin, kanë të drejtë të jenë të lirë”. Kështu do t’u drejtohej Rein Dekker, drejtor Kombëtar i Organizatës Ndërkombëtare World Vision në Shqipëri, qindra prindërve që së bashku me fëmijët e tyre u bënë pjesë e aktiviteteve në kuadër të 20 vjetorit të ratifikimit të Konventës së të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri. Përmes një shfaqje teatrale në Teatrin Kombëtar të Komedisë, dhe një shëtitje ndërgjegjësuese në pedonalen e Tiranës, Organizatat Ndërkombëtare World Vision, Unicef, Terres des Homme, Save the Children janë bashkuar duke bërë thirrje për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve dhe sigurinë e tyre.

Aktivitetet

Për më shumë se 60 minuta, përmes shfaqjes teatrale, prindërve dhe përfaqësuesve të qeverisë u përcollën mesazhe se përse duhen mbrojtur të drejtat e fëmijëve. Aktorët profesionistë të teatrit “Çajupi”, iu bashkuan edhe katër fëmijë që luajtën për herë të parë në skenë. Pjesa teatrale përcolli në mënyrë të thjeshtë mesazhin vendimmarrësve, prindërve dhe fëmijëve me të drejtat kryesore të këtyre të fundit dhe të rrisë ndërgjegjësimin për to. Në një udhëtim simbolik përmes trenit të ëndrrave, dy vogëlushë kaluan një sërë stacionesh, si për të treguar se edhe realiteti me të cilin përballen, është i tillë, me ndalesa dhe probleme që duhen zgjidhur. Me përfundimin e shfaqjes, prindër e fëmijë bënë një shëtitje ndërgjegjësuese në pedonalen e Tiranës, në rrugën Murat Toptani, të rinjtë shpërndanë informacione, fletëpalosje dhe broshura për të gjithë të interesuarit, në lidhje me të drejtat e fëmijëve, sakaq fëmijëve iu shpërndanë edhe një dhuratë simbolike.

Të dhënat

Ndërkaq sipas raporteve të publikuara vazhdimisht nga kjo pjesë e shoqërisë civile, por sidomos së fundmi nga ai i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, 1 në 2 fëmijë shqiptarë dhunohet në familje. Një në tre nxënës pranon se është dhunuar në shkollë. Vënia në përdorim e shpullave, çokut, grushtit, shqelmit apo edhe sendeve për të ndëshkuar fëmijën është një tregues i karakterit të dhunës fizike në shtëpi dhe i ashpërsisë me të cilën ajo vazhdon të shfaqet edhe në ditët tona. Sipas përpiluesve të raportit, ky studim është një përpjekje për të dhënë një tablo të detajuar të natyrës, shtrirjes dhe shkaqeve të dhunës në tre fusha kryesore: në familje, shkolla dhe institucionet shtetërore të përkujdesit.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency