Një ditë pas skadimit të afatit për statusin, PS tërhiqet për Fierin

0
1356

PS humb alibinë e Fierit, Vangjel Ndreko tërheq padinë nga gjykata

PS nuk heq dorë nga tryeza, Subashi: Të ulemi për të zgjidhur ngërçin e Këshillit të Qarkut

Gëzim Saliu

Vetëm një ditë pas mbylljes së afatit për mbylljen e tri ligjeve të Komisionit Evropian, Partia Socialiste tërheq padinë për çështjen e Fierit, ku kjo e fundit përbënte edhe kushtëzimin e socialistëve për reformat. Pretendenti i PS-së për kryetar i Qarkut të Fierit, Vangjel Ndreko, ka tërhequr padinë nga gjykata, në të cilën kërkonte që të shpallej e paligjshme mbledhja e prefektit më datën 16 nëntor 2011, ku në bazë të së cilës u shpall fitues kandidati i mazhorancës.

Tërheqja

Vangjel Ndreko tërhoqi dje padinë në gjykatë për çështjen e Fierit, ku sipas tij, kjo padi nuk ka me sens ligjor, pasi është zvarritur për 1 vit nga gjykata, ndërkohë që duhej të ishte shqyrtuar brenda 30 ditëve sipas ligjit. Ndreko në këtë padi kërkonte që të shpallej i paligjshëm edhe vendimi i marrë në mbledhjen e 16 nëntorit 2011, ku Artur Shehu, kandidati i mazhorancës u shpall kryetar i Qarkut të Fierit. “I bëjmë apel Kryeministrit Berisha që të çlirojë Qarkun e Fierit të mos pengojë integrimin. Kryeministri duhet të të zbatojë ligjin. PS kërkon heqjen dorë nga gjykimi i padisë. Gjykata e Apelit Vlorë ka marrë një vendim që mbledhja e datës 16 nëntor 2011 është në kundërshtim me ligjin dhe si rrjedhim vendimet e marrë në mbledhjen e 16 nëntorit 2011 janë pa bazë ligjore”, – tha pretendenti i PS-së për kreun e Këshillit të Qarkut Fieri, Vangjel Ndreko. Ndërkohë, kundërshtari demokrat Artur Shehu e ka komentuar veprimin e Ndrekos si tërheqje nga posti.

Subashi

Por pavarësisht faktit se kundërshtarët politikë e kanë cilësuar tërheqjen e padisë si një lojë me qëllim bllokues për marrjen e statusit, deputeti i PS-së Armando Subashi ka reaguar dje nga selia rozë duke theksuar se opozita i qëndron idesë së tryezës parlamentar për zgjidhjen e çështjes së Fierit. “Ne nuk jemi tërhequr nga çështja e Fierit. Berisha ka mbi tavolinë vendimet e gjykatave që me formë të prerë i kanë dhënë të drejtë 11 këshilltarëve të ulen në karriget e tyre. Por Berisha duke mos pasur asnjë argument për Fierin ka frikë të ballafaqohet. Gjykata është e qartë në vendimet që kanë dhënë tani mbetet vetëm zbatimi i tyre. I bëjmë thirrje Sali Berishës të ulet në tryezën e partive parlamentare për të zgjidhur çështjen e Fierit. Fieri është çështje e vullnetit politik pasi vendimet e gjykatave janë në tavolinën e Kryeministrit dhe ai duhet vetëm t`i zbatojë vendimet”, – tha Subashi. Po ashtu në daljen e tij publike, deputeti socialist ka shpjeguar edhe arsyen e tërheqjes së padisë nga gjykata e Fierit ana e Vangjel Ndrekos. “Në Gjykatën e Fierit kishte ngelur një çështje e pagjykuar që zvarritej nga një gjyqtar politik. Kishim kërkuar pavlefshmërinë e mbledhjes së këshillit të qarkut të datës 16 nëntor të vitit të kaluar ku u shpall si kryetar qarku edhe Artur Shehu dhe kjo ishte një mbledhje e turpshme. Kjo padi që ne e kemi paraqitur do të kishte vlerën e vet nëse do të ishte gjykuar për 30 ditë siç e parashikon edhe ligji. Kjo çështje në themel është e zgjidhur dhe s`ka vend për asnjë interpretim apo të ndonjë mendimi ndryshe. Në padi ne kemi theksuar se kjo mbledhje është thirrur në kundërshtim me ligjin dhe 14 këshilltarët që ishin në mbledhje nuk kishin mandat të ligjshëm përfaqësimi”, – u shpreh deputeti socialist Armando Subashi.