Familjarët mohojnë të kenë konflikte me ndonjë person. Hetimi, dyshime se ka lidhje me aksidentin me pasojë vdekjen e policit Alistafa
Sonja Caka
Pa u shuar jehona e vrasjes makabre të një të moshuari nga fshati Drobonik i Beratit, i cili dyshohet të jetë vrarë në shenjë hakmarrjeje për një aksident me pasojë vdekjen, të shkaktuar nga i biri, një tjetër tentativë vrasjeje me motiv hakmarrjen dyshohet të ketë ndodhur në Burrel. Një 34-vjeçari i është bërë pritë në orët e vona të mbrëmjes teksa kthehej nga Tirana për në Burrel me të fejuarën, nga një person i maskuar, i cili i ka kërkuar të ndalojnë makinën. Refuzimi për të ndaluar për pak i ka kushtuar jetën të riut, ndërkohë që i njëjti fat do ta kishte ndjekur edhe nëse do të ndalonte. Persona të maskuar kanë qëlluar drejt makinës, duke plagosur 34-vjeçarin, i cili ka vazhduar rrugën i plagosur e në afërsi të Burrelit ka njoftuar policinë. Pas dërgimit në spital të Hajdinit, policia ka filluar kontrollin për kapjen e personit që i bëri atentat 34-vjeçarit, ndërsa ka ngritur postblloqe të ndryshme dhe ka vënë në dijeni kolegët e komisariateve fqinje. Ndërkohë, mësohet se grupi hetimor ka shkuar në vendngjarje, ka këqyrur edhe automjetin e Hajdinit, ndërsa po punon për zbardhjen e plotë të ngjarje dhe identifikimin e autorit.
Ngjarja
Ngjarja e rëndë mësohet të ketë ndodhur në aksin rrugor nacional Milot – Burrel, rreth orës 22:00 të mbrëmjes së dy netëve më parë në vendin e quajtur Bushkash në Burrel. Persona të maskuar dhe armatosur i kanë dalë përpara makinës me të cilën udhëtonte 34-vjeçari Agim Hajdini me të fejuarën, nga Tirana drejt Burrelit. I riu nuk i është përgjigjur kërkesës së personit të maskuar dhe të armatosur, duke vazhduar rrugën me shpejtësi, ndërsa mësohet se është gjendur nën breshërinë e plumbave, të cilët u përplasën në xhamin e automjetit tip “Fiat” me targa AA440ET, me të cilin po udhëtonte çifti. Por breshëria nuk ka përfunduar pas vendimit të Hajdinit për të vazhduar rrugën dhe në këtë moment, një person i armatosur ka dalë nga rruga dhe ka vijuar të qëllojë me armë zjarri edhe nga dritarja nga ana e shoferit, duke e plagosur atë. Pavarësisht plumbit të marrë, ky i fundit nuk ka ndaluar dhe me plagë në trup ka vijuar t’i japë makinës derisa ka arritur pranë Burrelit, ku pas 13 km është detyruar t’i telefonojë policisë dhe ta vërë në dijeni për ngjarjen. Menjëherë në vendngjarje ka mbërritur policia, e cila ka transportuar në urgjencë Hajdinin e plagosur, ndërsa bën me dije se e fejuara nuk ka pësuar lëndime.
Hetimi
Nga hetimet paraprake dyshohet se ngjarja ka ndodhur për motive hakmarrjeje, pasi Hajdini mësohet se në vitin 2010 ka aksidentuar për vdekje një polic në autostradën Durrës – Tiranë. Në atë aksident, 34-vjeçari Hajdini ka aksidentuar për vdekje policin e njësisë task-forcë të Policisë Rrugore, 29-vjeçarin Pajtim Alistafa. Dyshimet e para të policisë flasin për një tentativë vrasje për hakmarrje, ndërsa nuk përjashtohet edhe pista e një grabitje të mundshme. Megjithatë, grupi hetimor i ngritur për zbardhjen e kësaj ngjarjeje ka marrë dëshmitë e Hajdinit dhe të fejuarës mbi dinamikën e ngjarjes, dëshmitë e familjarëve të tij, itinerarin e lëvizjes së 34-vjeçarit gjatë ditës së shtunë, ndonjë konflikt të mundshëm të tij, ndërsa është duke hetuar edhe mbi lëvizjet e familjarëve apo të afërmve të policit të vdekur si pasojë e aksidentit të shkaktuar nga Hajdini. Gjithashtu, policia është duke bërë edhe këqyrjen e gëzhojave të gjetura në vendngjarje për të përcaktuar llojin e armës së përdorur.
Dëshmia e babait të Hajdinit, pas tentativës së vrasjes
Pas ngjarjes, në ambientet e spitalit të Burrelit ka reaguar babai i 34-vjeçarit të plagosur. Nga dëshmia e tij, nisur edhe nga rrëfimet e të birit, personat e maskuar i kanë bërë shenjë të birit të ndalonte, por 34-vjeçari nuk i është përgjigjur thirrjes. Sipas tij, nuk kishin konflikte me askënd dhe nuk kanë dijeni se kush mund të kenë qenë personat e armatosur që tentuan t’i vrasin të birin. Nga të dhënat e para të spitalit të Burrelit, mësohet se 34-vjeçari ndodhet në gjendje të rëndë për jetën, ndërsa fatmirësisht e fejuara nuk është prekur nga breshëria e të shtënave.
Dëshmia e Hajdinit, pas aksidentit dy vjet më parë
Pas aksidentit të dy viteve më parë, mësohet se 33-vjeçari Agim Hajdini, drejtuesi i mjetit “BMW” që përplasi për vdekje oficerin e policisë që nga momenti i arrestimit e në vijimësi, ka mohuar ta ketë parë postbllokun e policisë. Ai ka pohuar se është e vërtetë që po lëvizte me shpejtësi, por ka thënë se nuk i kishte parë efektivat e policisë në postbllok. “Nuk kam parë asgjë. As vetë nuk e kuptova se çfarë më ndodhi. Nuk kam parë asnjë shenjë që të ishte vendosur përgjatë rrugës dhe as policinë. Vetëm kam ndier që u përplasa dhe nuk e kuptova se çfarë kisha bërë”, – mësohet të ketë deklaruar në polici i arrestuari Hajdini dy vjet më parë, lidhur me aksidentin që i mori jetën oficerit.