Për një plesht e djeg jorganin!

0
1190

Halil Rama

Për tekat e një njeriu të tërbuar Shqipëria i largohet sërish integrimit në Bashkimin Evropian. Tejet absurd preteksti i liderit të PS-së, duke e lidhur plotësimin e kushteve të vëna nga Komisioni Evropian me marrjen në tavolinë të kreut të qarkut të Fierit. Njësoj si në proverbin “Për një plesht e djeg jorganin”. Këtë e dëshmoi më së miri edhe me urdhrin që u dha deputetëve të PS-së për të mos votuar tri ligjet që kushtëzonin marrjen e statusit të vendit kandidat për në BE. Kështu bëri Edi Rama edhe me inkurajimin e kasnecëve të tij në Këshillin Bashkiak, duke i urdhëruar të përdhosnin deri edhe programin për festimin me madhështi të 100-vjetorit të pavarësisë. Gjithsesi, shqiptarët festojnë me madhështi këtë jubile të lavdishëm.

Flamuj të ndryshëm e banderola me logon e 100-vjetorit të pavarësisë çdo ditë e më shumë po zbukurojnë kryeqytetin, në prag të 28 Nëntorit. Kryeqyteti po “pushtohet” dita-ditës nga dekori festiv kuqezi, ku përveç dekorimeve nga Bashkia e Tiranës, atmosferës festive i janë shtuar edhe flamujt që qytetarët kanë vendosur në dritaret e tyre, këtë vit më shumë se çdo përvjetor. Ndjenja e krenarisë kombëtare është më evidente se kurrë edhe në selitë e bizneseve që ushtrojnë aktivitetin e tyre në metropolin shqiptar. Një flamur gjigant kuqezi “sundon” sfondin ballor të hotelit “Tirana”. Të tillë flamuj të zë syri edhe në fasadat e selive të institucioneve e atyre të bizneseve, partive e shoqatave.

Pak ditë na ndajnë nga kulmi i festimeve në 28 Nëntor, por deri atëherë qytetit do t’i shtohen çdo ditë detaje të reja festive. Dhe jo vetëm kaq. Kryebashkiaku Basha, nënkryetarja Tabaku, gjithë stafi i bashkisë janë përfshirë në një axhendë të ngjeshur përgatitjesh për këtë ngjarje kulmore të historisë sonë kombëtare. Jo vetëm për vendosjen e flamujve e banderolave, por para së gjithash në veprimtari të shumta e të larmishme kushtuar përvjetorit të 100-të të pavarësisë. Dhe me gjithë axhendën e ngjeshur, kryebashkiaku Basha “gjen kohë” që pas veprimtarive të takojë protagonistë të ngjarjeve të mëdha historike dhe pinjollë të tyre. Nëse të shtunën ishte planifikuar vetëm përkujtimi i 68-vjetorit të çlirimit të Tiranës me një ceremoni nderimi e përuljeje të thellë para dëshmorëve që dhanë jetën 68 vjet më parë për çlirimin e kryeqytetit të shqiptarëve, pas kësaj ceremonie një takim jashtë axhende i kryebashkiakut Basha me veteranë të luftës ia shtoi madhështinë kësaj dite. U përkujtua kështu madhërishëm një tjetër ngjarje në kuadrin e veprimtarive të planifikuara për 100-vjetorin e pavarësisë.

Kësaj atmosfere festive i gëzohen thuajse të gjithë shqiptarët, përveç kryetarit të PS-së, që si çdo gjë të mirë në këtë vend, edhe dekorin e vendosur në rrugët e Tiranës dhe në sheshin “Skënderbej” për festimet e 100-vjetorit e konsideron vulgaritet dhe degradim estetik. Njeriu që i ka rrënuar më shumë se kushdo tjetër kulturën dhe institucionet tona kulturore, në vend që t’u kërkojë ndjesë shqiptarëve për dëmin e pallogaritshëm që u ka sjellë në zvetënimin e trashëgimisë sonë edhe në këtë prag të 100-vjetorit të pavarësisë shfaqet me një fytyrë tjetër, duke na kujtuar vulgaritetin e 100 bojërave, me të cilat e shkarraviti Tiranën para 14 vitesh kur ishte ministër Kulture i qeverisë socialiste dhe në vijimësi gjatë 11 viteve si ish-kryetar i bashkisë së kryeqytetit.

Pikërisht ai, që para dy vitesh (në pragun e 28 Nëntorit 2010) e la Tiranën pa dekor festiv (pasi e kishte shkatërruar tërësisht sheshin qendror të saj duke e shndërruar në një Kandahar), flet sot për “batërdi në dekorin banal të festës në Tiranë”. Ndërsa e gjithë Tirana ka veshur si kurrë ndonjëherë petkun festiv, vetëm një i marrë si ai mund të flasë e shkruajë për “Butafori funebre” e shndërrim të festës në një “triumf të degradimit estetik!”… Në gjithë filozofinë politike moderne nuk gjen një rast të tillë të ngjashëm!!! Tashmë s’ka dyshim se kjo i shkon për shtat vetëm një piktori dështak si ai. Vetëm një paranojak si ai që kur ishte ministër Kulture para 14 vitesh e shkatërroi kulturën gjer në themele mund ta konsiderojë pa asnjë argument e bazë reale, dekorin festiv të kryeqytetit si degradim estetik. Ruajna o Zot nga ky njeri që gjithçka ka bërë vetë në dëm të kulturës sonë kombëtare kërkon t’ua atribuojë të tjerëve. Me këtë “kthim në identitet” apo “në origjinën shpellare” të politikëbërjes shqiptare, Edvin Rama synon të justifikohet për shkatërrimin e Tiranës së vjetër historike gjatë më shumë se 11 viteve në krye të Bashkisë së Tiranës, duke e bunkerizuar atë. Edhe sot, që kryeqyteti shqiptar përjeton atmosferën festive, të cilën s’e ka njohur kurrë në historinë e tij, Edi Rama, si Robert Çamçakëzi, vjen vërdallë duke sharë. Pikërisht pse lideri socialist vepron kësisoj, Bashkia Tiranë i konsideron sulmet e Ramës me frymë negative dhe përçarëse në prag të 100-vjetorit të pavarësisë, ndërkohë e akuzon se në 11 vjet kryetar të Bashkisë së Tiranës, Rama nuk bëri asnjë zbukurim për 28 Nëntorin.

Ditët e fundit, Bashkia e Tiranës ka rritur praninë e simboleve kombëtare në të gjitha rrugët dhe sheshet e kryeqytetit me rastin e 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë.

Tirana zgjohet çdo ditë e më ndryshe. Si asnjëherë tjetër në historinë e tij, kryeqyteti shqiptar ka veshur petkun e festës së 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Bashkia e Tiranës e ka zbukuruar qytetin me flamuj dhe simbole kombëtare, që janë vendosur jo vetëm në sheshin në qendër të qytetit, por edhe në institucionet që ndodhen aty, si Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit, Muzeu Kombëtar etj.

Në prag të 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë, Tirana ka marrë pamje festive, pasi në të gjithë kryeqytetin janë vendosur flamuj kombëtarë me slogane si “100 vjet Shqipëria ime” dhe “28 Nëntor 1912”. Kudo ndihet atmosfera festive e festës madhore në historinë e Shqipërisë, ku spikasin flamujt e vendosur në të gjitha shtyllat e ndriçimit në të dy krahët e rrugës, në muret e kalasë, ballkonet etj. Vetëm në fytyrën e vrerosur të Edi Ramës vërehet mllefi dhe urrejtja ndaj shqiptarëve. Ai po luan një lojë të turpshme, që gjithsesi do t’i kushtojë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, duke e lënë PS-në sërish në opozitë.