Ina Jano
Kreu i LSI-së u shpreh për festimet e 100-vjetorit, çështjen e kryeprokurorit të Përgjithshëm dhe foli edhe për zgjedhjet e ardhshme parlamentare
Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, deklaroi se integrimi duhet të jetë prioriteti më i madh i të gjitha forcave politike, të cilat nga ana tjetër duhet të ngrihen në lartësinë e të gjithë qytetarëve shqiptarë, duke votuar tri rekomandimet e Komisionit Evropian. Në emisionin “Debat” nga Alfred Peza, kryetari i kësaj force politike, duke iu drejtuar opozitës, tha se çështja e Fierit nuk mund të bëhet pengesë për integrimin e Shqipërisë. Ai tha se mazhoranca ka treguar vullnetin e saj për çdo propozim që mund të ketë opozita për tre ligjet dhe nga ana tjetër ka qenë e hapur që procedura gjyqësore të shkojë deri në fund. Në këtë pikë ai tha se Partia Socialiste do bënte mirë ta tërhiqte më shpejt padinë nga gjykata e Fierit në mënyrë që mos të dëmtonte imazhin e vendit dhe statusin. Kreu i LSI-së tha se për shkak të mosvotimit të tri ligjeve ne tashmë jemi në dorën dhe në humorin e kryeministrave dhe presidentëve të vendeve evropiane dhe nuk jemi të sigurt për rezultatin e dhjetorit. Duke iu referuar qëndrimit të LSI-së, Meta tha se forca e tij politike nuk mund të ndryshojë as Partinë Demokratike dhe as Partinë Socialiste, por sipas tij logjika duhet të vendoset në plan të parë. “Ne duhet të vendosim interesat e vendit dhe logjikën në plan të parë, të demonstrojmë që jemi pjekur për të marrë statusin si politikanë, sepse qytetarët shqiptarë e meritojnë dhe e kanë treguar me liberalizimin e vizave se janë treguar që janë të gatshëm për Evropën”, – deklaroi shefi i LSI-së. I prerë Meta nënvizoi se askush nuk ka të drejtë që për një interes madhor, ta bllokojë me një çështje të vogël. Ndërsa duke ju referuar tryezës që nuk ndodhi mes PS-së dhe PD-së, kryetari i LSI-së u shpreh: “Ne jemi për çdo tryezë që jep zgjidhje dhe do e pranonim ftesën. Bashkëpunimi është i pashmangshëm sepse qytetarët e kërkojnë këtë gjë, partnerët po ashtu dhe duhet vendosur ky bashkëpunim sa më shpejt. Nuk duhet thelluar një konflikt artificial për të dëmtuar interesat e vendit”, – deklaroi Meta. Ky i fundit tha se nëse opozita do të kishte dhënë konsensusin e saj për ligjet, atëherë edhe merita e saj do ti ishte dhënë nga të gjithë. Meta u bëri thirrje të gjithë socialistëve që pavarësisht shansit të dhjetorit që tashmë duket i humbur, politika duhet që të votojë ligjet, që të kapim shansin e marsit. Kjo, sepse viti i ardhshëm është një vit zgjedhjesh në Evropë dhe nuk i dihet se si do të shkojë çështja e zgjerimit të BE-së.
Kryeprokurori
Sa i përket mandatit të kryeprokurores, kryetari i LSI-së nuk dha një datë konkrete dhe u shpreh se kjo pikë ngelet në dorën e kreut të shtetit. “Nuk është një çështje e rëndësishme data”, – tha Meta. Ai deklaroi se Presidenti në momentin që e merr iniciativën për zëvendësimin e prokurorit të Përgjithshëm, duhet të ketë bindjen e qëndrueshme se kur mbaron mandati. Lideri i LSI-së pohoi se kjo forcë politike në kohën e duhur do të mbledhë forumet e saj për të mbajtur një qëndrim për këtë çështje. Meta tha se një kusht duhet ta plotësojë me patjetër kreu i ri i akuzës në vend. Sipas tij, ai ose ajo duhet të garantojë integritetin nga ndikimi politik dhe të jetë një institucion në lartësinë e duhur.
100-vjetori
Sa i përket jubileut të pavarësisë, Meta u shpreh se thelbi i qëndrimit është se kjo ngjarje e madhe historike duhet që të përkujtohet. Sipas tij, deri më tani është treguar një angazhim i rëndësishëm, por mund të kishte një përfshirje më të gjerë të të gjithë aktorëve, megjithatë, sipas tij, duket se festa është marrë shumë seriozisht. Ndërsa ai u shpreh se duhet të ketë një energji pozitive nga të gjitha forcat politike. “LSI do të festojë në Vlorë, sepse ajo është kryeqendra e gjithë kombit në 28 nëntor. Besoj se pavarësia nuk është arritur rastësisht në Vlorë, ndaj edhe momenti më i rëndësishëm do të jetë ngritja e flamurit në Vlorë. Ngritja e flamurit do të jetë pika më e rëndësishme e kësaj feste ashtu siç ndodh çdo vit”, – tha kreu i LSI-së, ndërsa u shpreh i kënaqur për rritjen e krenarisë kombëtare nga ana e qytetarëve. Sa u përket figurave historike, zoti Meta deklaroi se tashmë ato nuk duhen parë bardhezi, por duhen parë në kompleksitet të tyre.
Zgjedhjet
Pyetja e cila iu përsërit disa herë zotit Meta nga gazetari Peza ishte se si do të ishin koalicionet për në zgjedhjet e ardhshme dhe sa i përket qëndrimit të LSI-së. Meta tha se forumet e partisë në kohën e duhur do të marrin vendimin për të hyrë në koalicion, por ajo që ai përjashtoi automatikisht ishte koalicioni parazgjedhor me Partinë Socialiste, kjo edhe në bazë të deklaratave të zotit Ruçi. “Berisha dhe Astrit Patozi janë politikanë korrektë në raport me koalicionin, që ka rezultuar funksional dhe i qëndrueshëm, duke hedhur poshtë të gjithë mendimet e pesimistëve”, – vijoi kreu i LSI-së. Duke u ndalur në bisedimet me PDIU-në, Meta deklaroi se takohet shpeshherë me Shpëtim Idrizin dhe dy projektet që këto dy forca politike i bashkojnë është ajo e rezolutës çame që do të vijë së shpejti në Parlament, dhe integrimi. Ai konfirmoi se midis PDIU-së dhe LSI-së ka mirëkuptim të mirë. Meta tha se forca politike që ai drejton, bën vazhdimisht sondazhe për të parë deri ku janë me votuesit dhe u shpreh tepër optimist për rezultatet që do të arrihen në zgjedhjet parlamentare të qershorit të ardhshëm. Ajo që konfirmoi zoti Meta, është kandidimi i tij i cili, përfundimisht nuk do të jetë në qarkun e Beratit, duke qenë se vendlindja e tij është Skrapari. Meta theksoi se do donte që të jepte kontributin e tij në një nga qarqet e mëdhenj të vendit, duke përfshirë Tiranën ose Durrësin, megjithatë edhe kjo çështje do të marrë zgjidhje në forumet më të larta drejtuese.