Meta: Ky 100-vjetor e gjen Shqipërinë në NATO dhe pa viza

0
297

Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, deklaroi dje se ky 100-vjetor e gjen Shqipërinë të anëtarësuar në NATO dhe pa viza. Në një takim festiv me anëtarët dhe simpatizantët e LSI-së në qytetin e Pogradecit në kuadër të jubileut të vendit, Meta theksoi: “Është kënaqësi akoma dhe më e madhe për të pasur këtu kaq shumë të reja dhe të rinj, të cilët i fillojnë 100 vitet e ardhshme me një Shqipëri jo vetëm të lirë e të pavarur, por me një Shqipëri anëtare të NATO-s, me një Shqipëri, qytetarët e së cilës udhëtojnë pa viza në hapësirën Shengen të Bashkimit Evropian, në një Shqipëri, e cila i ka të gjitha mundësitë për të qenë jo vetëm një vend i mrekullueshëm nga natyra, por edhe një vend shumë i zhvilluar duke u bazuar tek resurset tona natyrore e mbi të gjitha, në radhë të parë, te resurset tona njerëzore”. Në këtë kontekst, kreu i LSI-së nuk nguroi të përmendte të gjithë kontribuuesit e rëndësishëm që bënë të mundur shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, duke përfshirë edhe një sërë figurash të qytetit të Pogradecit. “Kujtojmë sot Ismail Qemalin dhe gjithë patriotët shqiptarë, të cilët shpallën pavarësinë e vendit tonë. Kujtojmë sot të gjithë rilindësit tanë, për të cilët Pogradeci, Korça, Kolonja kanë një kontribut të jashtëzakonshëm, të cilët e çuan kombin tonë, duke iu rikthyer figurës më të lavdishme, asaj të Skënderbeut për të mbërritur në 28 nëntor 1912 në Vlorë. Pogradeci ka pasur përfaqësuesit e tij që nga Isuf Çollaku e të tjerë, ashtu sikurse jemi sot për të kujtuar faktin se pa 29 nëntorin e vitit 1944 Shqipëria nuk do ta kishte sot 28 nëntorin e vitit 1912”, – pohoi Meta. Në fjalën e tij, kryetari i LSI-së, duke nënvizuar se shqiptarët kanë luftuar dhe kanë merituar pavarësinë dhe lirinë dhe, deklaroi se të gjitha forcat politike duhet të bashkëpunojnë për t’iu përgjigjur kërkesave dhe interesave të qytetarëve shqiptarë dhe jo axhendave të tyre të ngushta. “Pavarësisht nga vonesat dhe pengesat e politikës së papërgjegjshme ne si LSI nuk kemi në dorë t’i ndryshojmë të tjerët, por ne kemi në dorë që të sillemi si forcë politike evropiane, të përmbushim të gjitha detyrimet që burojnë nga aspirata juaj për t’iu përgjigjur kërkesave të Bashkimit Evropian dhe të mos lodhemi asnjëherë së insistuari për bashkëpunimin e gjithë forcave politike shqiptare, për t’iu përgjigjur kërkesave dhe interesave të qytetarëve shqiptarë dhe jo axhendave të tyre të ngushta, partiake apo elektorale”, – përfundoi Meta.