Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, mori pjesë në ndeshjen e basketbollit të personave me aftësi të kufizuara, zhvilluar në kuadër të 100-vjetorit të pavarësisë mes ekipit “Eagles” nga Shqipëria dhe përfaqësueses së Kosovës. Basha ka përshëndetur këtë veprimtari të veçantë, e cila, siç theksoi z. Basha, jep shpresë dhe motivon shumë qytetarë anembanë Shqipërisë, Kosovës dhe trojeve shqiptare. “Ky është pa dyshim një akt kuraje, përkushtimi dhe nga kjo pikëpamje do të thosha se mbështetja jo vetëm që s’do të mungojë, por do të jetë e veçantë, për të gjithë personat e kategorisë tuaj të cilët flakin përtej paragjykimet ndaj vetes dhe ndaj të tjerëve dhe angazhohen me mish e me shpirt në këtë aktivitet fisnikërues, siç është sporti”, – u shpreh Basha gjatë fjalës së tij. Kryebashkiaku ka shprehur gatishmërinë e Bashkisë së Tiranës për të mbështetur aktivitete sportive të personave me aftësi të kufizuara, duke i kthyer garat sportive të këtyre personave, në traditë për qytetin e Tiranës. “Pamë gjatë maratonës së Tiranës, kur një numër personash me aftësi të kufizuara jo vetëm që garuan me sukses, por garuan edhe më mirë se të tjerët dhe nga kjo pikëpamje, dua t’ju siguroj se jo vetëm përkushtimi, jo vetëm dashamirësia, por edhe mjetet financiare nuk do të mungojnë për ta bërë këtë aktivitet një risi të përhershme në qytetin e Tiranës”, – theksoi Basha. Ndeshja u fitua nga përfaqësuesja e Kosovës që mori edhe kupën “Pavarësia”. “Duke qenë se sot ndeshemi dy ekipet përfaqësuese të Shqipërisë, të Kosovës, megjithëse nominalisht quhemi dy kombëtare, në fakt jemi një kombëtare e në këtë pikëpamje për mua, besoj edhe për tifozët e tjerë të pranishëm do të jetë një ndeshje ku do të shohim me kënaqësi lojën tuaj. Unë nuk do të hyj në aleancë se kush do të fitojë, se kushdo që fiton, fitojmë të gjithë”, – ishte mesazhi i kreut të bashkisë, Lulzim Basha.