Thesari i Purpurt mungonte!

0
499

Në rastin e 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë ekspozohet për herë të parë koleksioni i rrallë me 15 kodikë origjinalë, kryesisht të Beratit, Korçës dhe Voskopojës. “Dorëshkrime Bizantine dhe pasbizantine në Shqipëri” – ky dokumentacion liturgjik ekspozohet në Muzeun Historik Kombëtar, pavijoni i ikonave, kati III. Drejtorja e Arkivit, Nevila Nika, tha se ky koleksion ekspozohet për herë të parë, është mjaft i rrallë, i cili për vite të tëra ka qenë në arkiv. “Në këtë vit të shënuar e quajtëm me shumë vend që në Muzeun Historik Kombëtar të sillnim disa nga kodikët, këto vepra të rralla të cilat përfaqësojnë periudhën bizantine dhe pasbizantine”, është shprehur Nika për mediat. Pas Mesharit, armëve të Skënderbeut ekspozimi i koleksionit të rrallë të kodikëve plotëson ndoshta simbolikën e këtyre festimeve të 100 vjetëve shtet, me rëndësinë se janë të vetmet që i kanë rezistuar kohës më herët deri sot. Në fondin arkivor të Arkivit Qendror Shtetëror ruhet një koleksion i veçantë dokumentesh, i emërtuar Fondi “Kodikët e Shqipërisë”. Ky fond mban numrin 488 dhe përmban 119 njësi ruajtjeje, të cilat janë materiale dokumentare që i përkasin të periudhës bizantine dhe pas bizantine. Nga këto njësi ruajtjeje 102 prej tyre janë të plota, kurse 17 janë fragmente.

Këta kodikë mesjetarë, ose, siç mund t’i quajmë më thjesht, këta libra të shkruar me dorë, në periudhën kur përdoreshin ishin të barasvlershëm me librat e sotshëm: u përgjigjeshin kërkesave të njerëzve për të këmbyer dijen, për ta përjetësuar atë, për ta transmetuar tek brezat pasardhës dhe për ta përdorur në veprimtaritë e përditshme. “Historia e librave mesjetarë, nga bangoja e shkruesit, deri në ditët, kalon nëpër shumë peripeci, mes zjarreve të luftës apo të rastit, nëpër duart e tregtarëve apo të grabitësve, nëpër raftet e bibliotekave dhe kushteve klimatike jo gjithmonë të favorshme”, shënohet në informacionin mbi këta kodikë në Arkiv, për historinë e të cilëve është vështirë të flitet me siguri. Sipas specialistëve të Arkivit “’përgjigja e plotë mbi prejardhjen e këtyre kodikëve, mbi udhëtimin që kanë kryer nga dora e shkruesit deri në AQSh, do ta kishim të plotë pas studimit të hollësishme të çdonjërit libër dhe, mes të tjerash, krahasimit me sivëllezërit e tij nëpër botë”.

Thuhet se qysh prej datës 1356 dhe deri në mes të shek. XIX nuk kemi asnjë informacion për ekzistencën e librave mesjetarë në Shqipëri. Ndërsa informacion më i madh për kodikët e fondit F 448, njoftohet se vjen gjatë shek. XX. Kodiku i Purpurt i Beratit është regjistruar në vitin 2005 në Regjistrin e Trashëgimisë së Botës të UNESCO-s. Motivi i futjes së këtyre dy dokumenteve në Regjistër ishte: “Rëndësia e tyre për komunitetin e përbotshëm si bartës të zhvillimit të literaturës së vjetër biblike, liturgjike dhe hagjiografike…Këta dy kodikë përfaqësojnë një nga thesaret më të çmuar të trashëgimisë kulturore të Shqipërisë”. Kodikët ruhen në AQSh, sipas ligjeve në fuqi të Shtetit Shqiptar dhe janë shpallur dokumente me rëndësi historike kombëtare.

 

***

“Kodiku i Purpurt i Beratit”, me argumentin i njohur ndërkombëtarisht dhe me emrin “Beratinus-1” i shenjuar në regjistrin e letërsisë biblike botërore me shifrën “043” është thënë prej studiuesve tashmë se vlerësohet si një prej dëshmive më të vjetra të shkruara te Testamenti i Ri.

“Beratinus -1”, si një vepër e rrallë është mbajtur larg popullit, duke iu paraqitur besimtarëve vetëm një herë në vit. Njohur prej vendasit si “Ungjilli i Joan Gojërartit”, prekja e tij ishte privilegj vetëm i priftërinjve. Por me hapjen e studimeve dhe njohjen ndërkombëtare të këtij kodiku, mbijetesa e tij është e lidhur me gojëdhënat dhe legjendat. Edhe pse ky dorëshkrim është mbajtur në fshehtësi, larg njerëzve dhe shpesh rrethuar me misticizmit e kohës, sot ky kodik mund të thuhet se ka mbijetuar ndaj rreziqeve vetëm në sajë të koshiencës së komunitetit. Një mbijetesë e vështirë me histori grabitjesh e fshehjes ndryshe nga romanca e zbulimit të Kodikut të Sinait zbuluar nga Constantin von Tischendorfensis zbuluar në Izrael, në manastirin Shën Katerina, në Malin e Sinait.

Kur sensibiliteti shqiptar ishte krejt lokale, për interesin e kritikëve të huaj, po ndodhte e kundërta. Kjo na lejon mundësinë e një teze që këta studiues të huaj, prej Batiffolit 200 vite më parë, dihej vendndodhja e dy kodikëve që plotësonin mozaikun e të shtatëve që njeh sot bota e kodikëve si më të hershmit për shkrimet e shenjta.

Për çfarë arsyesh ndodhi ky konspiracion i rreptë i klerikëve?! Të gjithë studiuesit që janë marrë me tekstologjinë kritike të kodikëve nuk kanë mundur të shmangin historinë e mbijetesës së tyre. Përveç përshkrimit të fakteve historike, çfarë ka ndodhur si ngjarje nuk ndeshim ndonjë “qëndrim politik” apo dijeni informative pse këta kodikë kanë qenë aq shumë të kërkuar prej “pushtuesve” të Shqipërisë, e saktësisht m’u në kishën e mitropolisë së Beratit.

Sot mund të gjendet një arsye e tërthortë duke iu referuar studiuesve të huaj dhe shqiptarë, që lidhen me vlerat dhe rëndësinë historike të kalimit nga fjala biblike në shkrimet e shenjta prej ungjilltarëve. Dhe kjo shpjegon një konspiracion të rreptë të klerikëve. Duke qenë dokument unik, autokton shkruar drejtpërdrejt prej apostujve po ashtu duke përfaqësuar hierarkinë më të lartë të etërve të kishës padyshim që misteri dhe legjendat e pushtimit mund të kishin gjurmë në kërkim të thesarit.

Kronologjia e rrethanës se si mbijetuan kodikët përputhet në shumë studiues, pa devijuar faktet, por njëkohësisht duke konfirmuar gjeste dhe emra që nuk kishin lidhje dhe aq me Kishën.

Kështu është njoftuar se në vitin 1356, kur Berati u sulmua nga ushtritë e car Uroshit ishte një “zonjë konteshë”, një murg me emrin Theodulo si dhe një qytetar beratas me emrin Skuripeki që e shpëtuan kodikun dhe 26 dorëshkrime të tjera të vjetra nga rrëmbimi. Pas këtij citimi, paralel me fatin e kodikut të Sinait, që u gjend nga Tischendorfensis dhe që njihet i pari për sensibilizmin e rëndësisë së kodikëve bën përshtypje fakti; pse në Shqipëri, ndonëse ekzistonte dhe besimi tjetër dhe pasiguria mund të ishte më e madhe, ekzistonte në lloj vetëdije. Në krahasim me manastirin e Sinait, ku murgjit kishin ndarë fleta pergamenësh të hedhur në kosh. Vetëm pas marrjes së disa pergamenave prej Tischendorfensis, atëherë atyre iu erdhi ndërgjegjësimi!

Ka fate paralele mes njeriut që zbuloi kodikët e Sinait dhe njeriut që zbuloi kodikët e Beratit në Shqipëri, Pierre Batiffol na jep të dhëna të plota në botimin në shqip te botimi i parë “Kodikët e Shqipërisë”, ku përshkruan momentin e zbulimit dhe njohjes me këta kodikë: Në “mitropoli” më priti mitropoliti ortodoks, shkëlqesia e tij, prelati i shumëditur, imzot Anthime Alexoudis. Peshkopi i mitropolisë së shenjtë i ishte përkushtuar arkeologjisë, kur këtë ia lejonin punët dhe detyrat e shumta zyrtare. Është anëtar i jashtëm i Sinodit të Stambollit (i Patrikanës?!), ku çdoherë e thërrasin me nofkën: “miku i artit”, nofkë të cilën imzot Anthime Alexoudis vërtet e meriton. Ka zbuluar disa mbishkrime, ka botuar disa medalione4; në shtëpinë e tij ka një koleksion modest, me shumë eksponate antike, me një vlerë të jashtëzakonshme, koleksion që i bën nder të veçantë Mitropolisë. Vetë qyteti i Beratit nuk është vendbanim antik, ngase nuk janë zbuluar mbishkrime, ndërtesa, apo gjëra të tjera nga lashtësia. Në qytet kanë arritur disa eksponate nga antikiteti, por jo shumë të rëndësishme. Mirëpo në qytet ruhen disa dorëshkrime, të cilat janë tepër të veçanta dhe shumë të vjetra. Është e domosdoshme të theksoj se si i kam zbuluar dhe kush më ka treguar për ekzistencën e tyre”.

Historinë e peripecisë se si kanë shpëtuar nga vdekja e sigurt Kodikët e Beratit, dy kodikët, na ka dhënë Aleks Buda ku ai shënon: Të fshehur gjatë Luftës së Dytë Botërore, dy kodikët mbetën për më se 20 vjet në qimitirin e lagur të një kishe të Beratit, ku u gjetën, më në fund, pas kërkimesh këmbëngulëse, për t’i siguruar tani përfundimisht për shkencën e kulturën tonë. Shënimet kronikale të ruajtura në disa dorëshkrime të tjera, gjithashtu me prejardhje nga Berati, siç u tha dhe më sipër tregojnë se edhe në vitin 1356 edhe në vitin 1400 kodikët e ruajtur në këtë qytet u detyruan të merrnin rrugët për të gjetur strehim e për t’u fshehur nga rreziku i ushtrive të huaja që po i kanoseshin qytetit. Me këtë rast, shkruesit e këtyre shënimeve kanë rreshtuar emrat e kodikëve të vyer, që ata u kujdesën t’i “evakuonin“ dhe nuk çuditemi që midis tyre, pranë kodikëve që ndërkohë kanë humbur, figuron edhe Beratasi ynë i Purpurt me germa të argjendta”. Tashmë kur ishin bërë të njohura vlerat e Kodikut, prej shekullit të 14-të studiuesit bëjnë të ditur se të paktën tre herë ky dorëshkrim i rrallë është rrezikuar për t’u grabitur

Për herë të parë mbijetesën e kodikëve e ndeshim te Alexoudes, pastaj studiuesi belg Pierre Batiffol-it, janë disa artikuj njoftues nga Ilo Mitko Qafëzezi dhe më pas prej Theofan Popës dhe është shqipëruar e interpretuar thuajse e plotë prej arkivistit Kosta Naçi (po aty). Përveç rrezikut të “frankëve kampanezë”, që përmendet nga Alexoudes-i, të serbëve të car Uroshit, të ushtrisë austro-hungareze gjatë luftës së parë të Botërore, është dëshmuar nga studiuesit se “dy ungjijtë e moçëm të Beratit” janë kërkuar edhe nga ushtria italiane e ajo gjermane.