Florenc Drizari
Debate dhe tension tek Siguria, rikthehet të martën diskutimi nen për nen i draftit për Agjencinë e Inteligjencës së Mbrojtjes
Diskutimi nen për nen i projektligjit për Agjencinë e Inteligjencës së Mbrojtjes në Komisionin e Sigurisë Kombëtare ka rikthyer debatet mes mazhorancës dhe opozitës lidhur me veprimtarinë e SHIU-t. Opozita i quan antikushtetuese disa nene të këtij projektligji dhe kërkoi thirrjen e ministrit të Mbrojtjes në sallën e komisionit të Sigurisë, ndërkohë që përfaqësues të mazhorancës deklaruan se drafti në fjalë është ndër më të mirët që ka ardhur në Kuvendin e Shqipërisë. Deputeti i Partisë Socialiste Gazmir Bizhga ritheksoi akuzat e mëparshme të opozitës lidhur me veprimtarinë e agjencisë së SHIU-t, dukë thënë se drafti që po diskutohet krijon një super agjenci që mund të përdoret për qëllime elektorale nga mazhoranca, ndërkohë që deputeti i Partisë Demokratike Fatos Hoxha u shpreh se projektligji po pengohet qëllimisht për arsye politike nga e majta. Deputeti Bizhga tha se opozita vazhdon të ketë probleme politike me këtë ligj dhe për këtë ai ripërsëriti thirrjen për prezencën e ministrit Imami në Komisionin e Sigurisë. “Është agjenci që tejkalon kompentencat dhe të vetë Shërbimit Informativ të Shtetit, është një super-agjenci, e cila po bëhet disa muaj përpara zgjedhjeve. Dhe ajo që deri sot nuk është mbrojtur me ligj, ju kërkoni ta bëni me ligj. Unë kërkoj që ministri i Mbrojtjes të jetë prezent gjatë gjithë shqyrtimit të ligjit dhe të na japë shpjegime konkrete për çështjet politike që ka ky ligj”, – deklaroi Gazmir Bizhga.
Fatos Hoxha
Deputeti i Partisë Demokratike, Fatos Hoxha, njëkohësisht edhe relator i projektligjit për Agjencinë e Inteligjencës së Mbrojtjes, akuzoi përfaqësuesit e opozitës se po bllokojnë qëllimisht draftin, ndërkohë që sipas tij, për hartimin e ligjit është dashur një kohë e gjatë dhe për këtë ekspertët e Ministrisë së Mbrojtjes kanë marrë edhe mendimin e përfaqësuesve të aleancës. “Ky është një nga ligjet më të mira që ka ardhur në parlament pavarësisht nga diskutimeve propagandistike dhe nihiliste të opozitës ku në disa raste, disa prej tyre nuk e kanë lexuar fare ligjin. Për këtë projekt ka dy vjet që punohet dhe jemi të vonuar. Jemi bërë vend anëtar i NATO-së në vitin 2009. Dhe është puna e opozitës ajo që e ka penguar. Vazhdojmë të pengohemi për arsye politike të opozitës”, – u shpreh deputeti Hoxha. Nga ana e tij, deputeti socialist Pirro Lutaj kërkoi korrespondencën e specializuar që kanë marrë ekspertët e Ministrisë së Mbrojtjes nga homologët e tyre ndërkombëtar. “Ligji që keni paraqitur është komplet i errët porsa i përket fushës së veprimtarisë nëpërmjet konceptit të zonave të veprimit dhe zonave të interesit që keni vendosur. Na jepni një dokument që keni marrë një eksperiencë jashtë territorit shqiptar”, – tha deputeti socialist Pirro Lutaj. Diskutimet për korespondëncën mes Ministrisë së Mbrojtjes dhe specialistëve ndërkombëtarë kanë ngjallur interesin e opozitës edhe në mbledhjen e kaluar të komisionit, por përfaqësuesit e ministrisë janë shprehur se ajo janë dokumente të klasifikuara.
Debati Gjoni – Demi
Kërkesa e nënkryetarit të Komisionit për Sigurinë Kombëtare, Ilir Gjoni, për të shpjeguar të gjitha vërejtjet dhe sugjerimet e tij për projektligjin për Agjencinë e Inteligjencës së Mbrojtjes, ka hasur në kundërshtimin e kryetarit të komisionit Leonard Demi, i cili kërkoi që diskutimet fillimisht të bëheshin nen për nen. Debati mes të kryetarit dhe nënkryetarit vijoi deri në largimin e deputetit socialist Ilir Gjoni, i cili në mënyrë demonstrative braktisi sallën e komisionit për mos dhënien e së drejtës së fjalës. Më pas përfaqësuesit e majtë në komision kërkuan pesë minuta kohë për t’u konsultuar në grup për vendimin që do të mbahej lidhur me draftin në fjalë. Pas debatesh mes anëtarëve të komisionit dhe kryetarit Leonard Demi, palët morën 5 minuta pushim dhe pas tij, mbledhja e komisionit vazhdoi me diskutimin nen për nen të projektligjit për Agjencinë e Inteligjencës së Mbrojtjes. Një tjetër pikë e debatit mes përfaqësuesve të mazhorancës dhe opozitës ishte edhe pika tre e nenit dy të projektligjit për AIM në të cilën thuhet se: “Veprimtaria e Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes ushtrohet mbi subjekte ushtarake, civile, vendase, të huaja, me ose pa shtetësi, rezidente ose jo në Republikën e Shqipërisë, të cilat synojnë dhe/ose cenojnë mision kushtetues të Forcave të Armatosura dhe veprimtarinë e Ministrisë së Mbrojtjes”. Kjo pikë e projektligjit u quajt problematike për deputetët e majtë të cilët thanë se cenon liritë dhe të drejtat e njeriut. Ndërkohë që përfaqësuesit e mazhorancës dhe ekspertët e Ministrisë së Mbrojtjes thanë se objekti i agjencisë është edhe parandalimi i veprave që synojnë dhe cenojnë mision kushtetues të Forcave të Armatosura, veprimtarinë e Ministrisë së Mbrojtjes dhe sigurinë kombëtare. Një ditë më parë Komisioni për Sigurinë Kombëtare miratoi 3 nenet e para të draftit dhe gjatë paradites së të martës, palët pritet të vijojnë diskutimet për 80 nenet e projektligjit.
Pirro Lutaj: Agjencia të ndryshojë emër, të bëhet AIU
Gjatë diskutimeve të projektligjit për Agjencinë e Inteligjencës së Mbrojtjes një ditë më parë në Komisionin Kuvendor për Sigurinë Kombëtare, deputeti socialist Pirro Lutaj në emër të opozitës kërkoi ndryshimin e emrit të agjencisë në Agjenci të Inteligjencës Ushtarake. “Në Republikën e Shqipërisë termi mbrojtje nuk është thjesht koncept që përdoret nga brenda misionit të Forcave të Armatosura të Ministrisë së Mbrojtjes për arsyet se kemi pjesë të tjera të legjislacionit si mbrojtje civile, mbrojtje nga zjarret, mbrojtje nga armët e dëmtimit në masë etj. Mos do të ishte me mirë që emërtimi i ligjit të mos ishte Agjenci e Inteligjencës së Mbrojtjes, por të ishte Agjencia e Inteligjencës Ushtarake”, – tha Pirro Lutaj. Por propozimi i deputetit socialist u hodh poshtë nga ekspertët e Ministrisë së Mbrojtjes të cilët thanë se për këtë draft specialistët kanë kohë që janë marrë me nismën duke e shqyrtuar atë në detaje më të hollësishme. “Për këtë projektligj është debatuar dy vjet dhe termi Agjenci e Inteligjencës së Mbrojtjes është i mirë përcaktuar dhe duhet të qëndrojë”, – tha drejtori juridik në Ministrisë e Mbrojtjes Rezart Tërshana.
Debatet tek Komisioni për Sigurinë Kombëtare
Ilir Gjoni: Të fillojmë nga e para. Ky ligj nuk mund të miratohet për dy arsye.
Leonard Demi: E kaluam në parim.
Ilir Gjoni: Do më lejoni të flas? Të jap mendimin tim. Ju kini durimin për të dëgjuar mendimet tona nen për nen. Kini durimin dhe dëgjoni. Na lini të flasim.
Leonard Demi: Po kush ju pengon të flisni z. Gjoni? Flisni sa të doni. Ta fillojmë me nenin 1.
Ilir Gjoni: Ky ligj nuk mund të zbatohet për dy gjëra themelore. Ka dy vjet që në Kuvend rri një ligj për mbikëqyrjen e shërbimeve inteligjente dhe nuk miratohet. E dyta, në rregulloren e Kuvendit tonë ku ne jemi deputet, ka një nen i cili përcakton që duhet të ketë një nënkomision për mbikëqyrjen e shërbimeve inteligjente. Ky nënkomision që kur keni ardhur ju në pushtet nuk është krijuar në shkelje të hapur të rregullores, të Kushtetutës, të ligjeve. Pa pasur mekanizmat e kontrollit dhe të mbikëqyrjes ne nuk mund të miratojmë një ligj. Nuk mund të miratojmë një ligj për një agjenci e cila siç do ta zbërthejmë në diskutimin tonë nen për nen del që është një super agjenci. Për më tepër është një agjenci që mbikëqyrjen ia ka lënë vetvetes. pra, drejtori mbikëqyr politikat e veta siç mbikëqyr ministri vetveten.
Leonard Demi: Kalo tek nenet.
Ilir Gjoni: Po kaloj tek neni 1. Të lutem më lërë të mbaroj. Të mbaroj unë pastaj flisni sa të doni. (Gjoni lexon nenin 1 të projektligjit). Neni 2.
Leonard Demi: Të mbarojmë me nenin 1 dhe më pas kalojmë nen për nen.
Ilir Gjoni: A do më lësh të mbaroj? Epo vazhdoni atëherë.
Leonard Demi: Do dëgjohen dhe kolegë të tjerë z. Gjoni jo vetëm juve.
Ilir Gjoni: Unë po të flas pse më ndërpret?
Leonard Demi: Të mbarojmë me nenin 1 sepse ka edhe kolegë të tjerë. Janë rregullat e tua Gjoni. Kush dëshiron të flasë për nenin 1.
Ilir Gjoni: (largohet në mënyrë demonstrative nga salla e mbledhjes).
Gazmir Bizhga: Të bëjmë 5 minuta pushim.
Leonard Demi: Ti kërkon 5 minuta pushim? Po kush është grupi? Ne sapo filluam. Zotërinj deputetë nëse kërkoni të prishni mbledhjen, kjo është tjetër gjë, nëse nuk doni të kryeni detyrën tuaj kushtetuese, ky është një problem tjetër. Ne po diskutojmë nen për nen. Z. Gjoni paraqiti vërejtjet e tij për nenin 1. Tani ne do presim vërejtjet edhe të kolegëve të tjerë. (Debate në sallën e mbledhjes mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës jashtë mikrofonit).
Pirro Lutaj: z. Kryetar! Mbledhjen e komisionit po e prishni ju dhe jo ne.
Leonard Demi: Përse po e prishim?
Pirro Lutaj: Ne po diskutojmë çfarë problemesh ka ligji dhe nen për nen. Nuk na keni dhënë asnjë nga materialet që kemi kërkuar.
Leonard Demi: Dokumentet i ke mbi tavolinë o burrë i dheut.
Pirro Lutaj: Unë nuk i shoh, ti i sheh më mirë. Dhe së dyti, kolegu im Bizhga kërkoi pesë minuta pushim për shkak të qëndrimit që do të mbajmë se nënkryetari i komisionit dhe përgjegjësi ynë i grupit ka dalë jashtë dhe ka shprehur qëndrimin e tij që nuk është dakord me mënyrën sesi po drejtohet mbledhja. Prandaj kërkojmë 5 minuta pushim.
Gazmir Bizhga: Ne kërkojmë që disa prej shqetësimeve tona të shqyrtohen në këtë komision. Mënyra se si po operoni ju besoj se nuk ka nevojë për komente.
Leonard Demi: Zotërinj deputetë jemi tek neni 1. Kush ka vërejtje dhe sugjerime? Mirë, 5 minuta pushim.
Fatos Hoxha: Për çfarë e do pushimin?
Leonard Demi: Le ta marrin pushimin, e duan. Le ta marrin e të bëjnë pushim sa të duan. (Komisioni rifilloj punën pas pushimit duke shqyrtuar nen për nen projektligjin për Agjencinë e Inteligjencës së Mbrojtjes).