Prostituta në banesat e klientëve pranga pesë tutorëve të 4 vajzave

0
354

Elton Qyno

Mes vajzave edhe një studente, detyrohej të ushtronte prostitucion në hotelin “Arland” tek zona e Freskut


Nëse ishe person i besueshëm dhe të paguaje mirë, prostitutat mund t’i sillnin deri në ambientet e shtëpisë së banimit ose në të kundërt, epshin mund ta shuaje në një hotel që ndodhet tek Fresku, të quajtur “Arland”. Ky ka qenë biznesi i pesë personave, të cilët duke bashkëpunuar me njëri-tjetrin kanë mundur të ngrenë një rrjet prostitucioni në Tiranë, duke shfrytëzuar si prostituta katër vajza të reja nga qytete të ndryshme të vendit. Njëra prej katër vajzave rezulton të jetë studente në Tiranë, ndërkohë që tri të tjerat janë mbajtur me forcë nga pesë personat e arrestuar, të cilët i kanë detyruar ato që të punonin në shërbim të tyre dhe se të gjitha lekët e fituara nga klientët vajzat ua dhuronin tutorëve të tyre. Grupi ishte në mbikëqyrje prej disa muajsh nga agjentët e antitrafikut dhe gjatë ditës së djeshme është bërë finalizimi i hetimit të çështjes, duke arrestuar plot pesë persona: Qemal Hyka 26 vjeç, Astrit Preni 41 vjeç, Femistokli Çorbashi 32 vjeç, Elton Haka 22 vjeç dhe shtetasi me inicialet S. B., 17 vjeç. Policia bëri me dije se pesë të ndaluarit kanë ushtruar presion tek vajzat dhe se njëri prej tyre ka vënë në dispozicion hotelin e tij, me qëllim ushtrimin e prostitucionit nga katër prostitutat.

100 euro për një akt

Nga hetimet disamujore të kryera nga sektori kundër trafiqeve të paligjshme është mësuar se katër vajzat ushtronin prostitucion ditën edhe natën në ambientet e hotelit “Arland”. Klientët i siguronin shtetasit Astrit Preni, Qemal Hyka dhe Elton Haka, të cilët në pjesën më të madhe ndërmjetësonin me personat që dëshironin të kryenin marrëdhënie me katër vajzat. Çmimi për çdo akt seksual ishte 100 euro dhe se të gjitha fitimet i merrnin pesë personat e arrestuar. Herë pas here, vajzat kanë kërkuar që të marrin lekët e fituara por në fakt nga autorët nuk u është dhënë asnjë lek, pasi ata pretendonin se u siguronin ushqimin, fjetjen dhe veshjen falas. Për shkak të organizimit të mirë, grupi arrinte që të transportonte vajzat deri tek banesat e klientëve. Kuptohet që një privilegj i tillë u bëhej vetëm personave të besueshëm dhe klientë të rregullt të vajzave, të cilët preferonin të mos shkonin në hotel, por prostitutat t’i merrnin përgjatë gjithë natës në banesën e tyre. Burimet tregojnë se raste të tilla janë regjistruar disa, por ka dhe shumë të tjera që klientët shkonin në ambientet e hotelit “Arland” që ndodhet tek zona e Freskut dhe aty kryenin kundrejt pagesës marrëdhënie seksuale me katër prostitutat. Burimet thanë se katër vajzat janë detyruar të ushtrojnë prostitucion me forcë, duke u kërcënuar me jetë dhe keqtrajtuar fizikisht nga pesë personat e arrestuar.

Operacioni “Porosia e natës”

Për shkak se anëtarët e këtij grupi kryenin transportimin e prostitutave gjatë natës, tek klientët që kishin porositur për të kaluar orët e natës nën shoqërinë e vajzave, policia e Tiranës, gjatë mesnatës së djeshme rreth orës 01:00 kreu arrestimin e pesë personave, ku gjatë operacionit u kap dhe një klient me inicialet K. Ç., duke kryer marrëdhënie me njërën nga vajzat. Astrit Preni, Qemal Hyka dhe Elton Haka dyshohen se kanë ndërmjetësuar me qëllim shfrytëzim për prostitucion të 4 shtetaseve. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 1 automjet, 8 aparate celulare 1.5 milion lekë të vjetra, 20 euro si dhe sende të tjera, të cilat implikojnë në veprimtari kriminale shtetasit e mësipërm. Ndaj pesë të arrestuarve tashmë është ngritur akuza e “Shfrytëzimit të prostitucionit në rrethana rënduese” dhe “Mbajtjes së ambienteve për prostitucion”.

Të arrestuar

  • S. B., 17 vjeç, nga Tirana
  • Astrit Preni, 41 vjeç, nga Fushë Kruja
  • Qemal Hyka, 26 vjeç, nga Tirana
  • Femistokli Çorbaxhi, 32 vjeç, nga Korça
  • Elton Haka, 22 vjeç, nga Tirana.

Sekuestruar

  • 1 automjet
  • 8 aparate celulare
  • 1.5 milionë lekë të vjetra