Një 17-vjeçare nga Ura Vajgurore ka humbur jetën në rrethana misterioze pasi kishte kaluar duke festuar me shoqërinë e saj të klasës. Viktima quhet Blerina Boçi, e cila është shtruar me urgjencë në spitalin rajonal të Beratit, por për shkak të komplikacioneve të shpejta, ajo ka ndërruar jetë në dorën e mjekësve. Sipas dëshmisë së familjarëve, por edhe të shoqërisë së saj, Boçi kishte qenë në një festë për 100-vjetorin e pavarësisë dhe se aty kishte konsumuar ushqim dhe pije energjike. Pas përfundimit të festës, 17-vjeçarja është kthyer në shtëpi por e papritur ka filluar të ndiejë veten jo mirë. Nisur nga kjo situatë, familjarët e kanë transportuar me shpejtësi në qendrën spitalore të Urës Vajgurore dhe më pas adoleshentja është nisur urgjent në drejtim të spitalit të Beratit. Gjatë shtrimit në këtë spital, e reja nuk ka mundur të mbijetojë pasi ka pësuar një atak kardiak, duke mbetur e vdekur në vend. Mjekët dyshojnë se shkak i vdekjes mund të jetë bërë edhe ndonjë hemorragji cerebrale, e cila mund të jetë provokuar nga mundësia e reaksionit të ushqimit apo pijes alkoolike. Tashmë, trupi i pajetë i Blerina Boçit ndodhet në morgun e spitalit të Beratit, me qëllim kryerjen e autopsisë.