Drafti për Agjencinë e Inteligjencës se Mbrojtjes, ka krijuar konfuzion nga komisionin e Sigurisë Kombëtare, pasi gjate shqyrtimit nen për nen, ka pasur kontestime gjatë shqyrtimit të 10 neneve të para të projektligjit. Opozita në nenin 8, qe flet për kompetencat e kësaj agjencie, ka argumentuar se ministrit te Mbrojtjes, i jepen kompetenca edhe mbi drejtorin e kësaj agjencie. Një gjë e tille solli edhe reagim kundër të PD-së, përfaqësuesit e së cilës vunë theksin tek ekspertiza e nevojshme që ka marrë ligji edhe nga partnerët vendas dhe të huaj. Një tjetër shqetësim i opozitës, që u hodh poshtë nga mazhoranca, lidhej me nenin 5 sipas te cilit, SHIU merr kompetencat e SHISH-it, dhe nga ana tjetër sipas opozitës, behet një organ në varësi të drejtpërdrejte te ministrit te Mbrojtjes. Në këtë mënyre sipas Ilir Gjonit, Agjencia që pritet të ngrihet kthehet në një organ tërësisht politik dhe jo në shërbim të Forcave të Armatosura. Diskutimet për projektligjin e Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes shkuan deri tek neni 10, ndërkohë që drafti në tërësi përmban 80 nene. Më herët opozita ka kërkuar edhe prezencën e ministrit të Mbrojtjes Arben Imami për këtë projektligj, duke vënë theksin se ajo ka probleme politike lidhur me veprimtarinë e SHIU-t gjatë vitit të shkuar e në vazhdim, ndërkohë që mazhoranca i ka quajtur tentativa të qëllimshme bllokuese qëndrimet te deputetëve socialist për këtë projektligj.