Sali Berisha, Kryeministri i 100-vjetorit

0
468

Sofokli Duni

Historia e Shqipërisë siç duket e ka heroin si guri i Sizifit. Tërhiqet rëndë e në kohë, deri në përpjekje sublime, në zgrip të ekzistencës! Destini shqiptar gjithmonë ka qenë një identifikues i fortë i kësaj qenësie; besim e atdhe! Nuk ka ndodhur ndonjëherë në këto 100 vite të shtetit shqiptar që realiteti të jetë në koherencë historike, që një kryeministër i vendit për herë të parë të shndërrohet në një simbolike shërbestari.

Profili historik që i takon Kryeministrit aktual Sali Berisha, jashtë konteksteve politike, lidhet me historinë e lirisë së shqiptarëve. Për herë të parë, Berisha, si intelektual, tërhoqi shqiptarët dhe u priu në një nga betejat më të vështira në historinë e saj; çlirimin nga komunizmi, dhe çlirimin nga vetvetja, frika e tiranisë brenda individit që lëshonte grahmën pas 45 viteve.

Kjo e dyta ishte më e vështira; luftë e proces mental që vazhdon sot e kësaj dite!

Me këtë hije të zezë, që frustron ende politikën sot, shoqëria shqiptare lëshon hapat mes frikës nga vetja e guximit kalorësiak të pak idealistëve, e heronjve që galopi i çon në ridimensionimin e pjesës së historisë që na jep lavdi. Sot të gjitha mediat, pa dyshim, kanë në fokus sjelljen e historisë e heronjve të saj në qendër të vëmendjes; do të flitet pafund për Ismail Qemalin, për aktin sublim të ngritjes së flamurit; do të flitet për firmëtarët personalitete në besë e atdhe, në kulturë e histori, në luftë e politikë; sërish do të kërkojmë flamurin origjinal, dokumentin origjinal – mungesa e të cilave na kthen në inferiorë të historisë – të gjithëve, pse jemi kaq të shkujdesur, mospërfillës e shkatërrues të identitetit tonë.

Historia për herë të parë vihet përballë të vërtetave dhe çarmatos të gjithë injorantët që i shërbyen me devotshmëri propagandës komuniste. Pra, tani mund të besojmë se ia kemi mbërritur lirisë; fjalës e mendimit të lirë! Gjithkush mund të mendojë këtë rezonancë me Kryeministrin aktual, Berishën. Në këto 20 vite protagonizmi i Kryeministrit aktual është jo vetëm në proceset politike, por edhe sensibilitetin e përcjelljes së një qëndrestari në një luftë të heshtur e të ftohtë në proceset demokratike. Këto, të lidhura ngushtësisht me përmasën e çlirimit shpirtëror të një shoqërie të tërë; si barra historike për ta perceptuar të vërtetën në kushte krejt të reja të realitetit socio-politik. Ashtu siç është pranuar, por edhe shpesh i cilësojnë si vite tranzicioni, pra këto 20 vite qëndrojnë më vete, krejt të pakrahasueshme për nga mundimi dhe përpjekja e shqiptarëve për t’ia dalë ekzistencës së tyre. Të deformuar totalisht nga vlera morale e shpirtërore, përmasa e fjalës identitet apo komb e shtynte historinë mbrapsht. Në këtë nevojë jo pa qëllim para pak ditësh mes akademikëve Kryeministri Berisha shprehu qartë vazhdimësinë e mesazhit të përsëritur të elitës së viteve ‘30; mesazhe të ridimensionimit në besim, komb e identitet. Ndërsa fronti tjetër i përballjes së Berishës, që po i takon fati të jetë Kryeministri i 100-vjetorit të pavarësisë, merr me vete fatin e domethënies politike.

Në këtë mandat personaliteti i tij politik nxjerr në pah vendosjen e Shqipërisë për herë të parë në dinjitetin e partneritetit ndërkombëtar, çmuar për energjinë, vitalitetin dhe të qenit i lirë. Ndërkombëtarët para se të vlerësojnë elitën politike referenca për to si duket merren, në apriori, identitetin shqiptar në ballafaqim me sfidat dhe ekzistencën e tyre në këtë rajon si dhe në kontekst të përfshirjes me vendet evropiane. Kësaj vlere të brendshme shpirtërore dhe moralit historik të së kaluarës sonë i referohen sot edhe Kryeministrit shqiptar.

Sado të duken çështje politike, ku për herë të parë Shqipëria bëhet me të drejta të plota anëtare e NATO-s, ku mbahen samite ndërkombëtare, ku vizitojnë personalitete të politikës botërore, ku ngrihen vepra si Rruga e Kombit, liberalizimi i vizave etj., etj., deri në sfidën për t’u bërë pjesë e zhvillimeve evropiane… të gjitha në një pikë të së ardhmes do t’u takojnë shqyrtimeve historike, si dhe protagonistëve të saj që u dhanë jetë këtyre proceseve dhe inkurajuan shqiptarët në një shpresë më të madhe sesa aureola e politikës: ekzistencë të plotë. Flamujt shqiptarë nuk ka ndodhur ndonjëherë në histori të gjakojnë aq shumë trojet shqiptare, si në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi e Shqipëri. Këtë triumf historik aq pranë me natyralitetin e shqiptarëve, e dëshmoi vizita e Kryeministrit në këto troje, si shembull i pazakontë për politikën, por e njohur në historinë e protagonistëve të saj themelorë. Nuk mund të ngrihet një profil politik i mirëfilltë në këtë 100-vjetor për Kryeministrin, si politikan a shtetar. Në përpjekjen për t’i dhënë fjalën e parë si shenjues i historisë së re shqiptare, si lider që i takoi fati i kremtimeve si përjetim dhe kontribut personal në këtë 100-vjetor, Sali Berisha shndërrohet në një faktor themeltar dhe dëshmues i realiteteve të reja shqiptare në shekullin XXI. Në këto kontekste, historia do të ketë emrin e parë të shënuar në këto 20 vite, qoftë si personalitet apo të mësuar tashmë me gjuhën e busteve, të heronjve të cilët jemi mësuar t’i mohojmë në fillim. Çfarë e bën realitet këtë 100-vjetor është Kryeministri aktual, si lider historik.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency