100

0
236

Lumir Abdixhik

Në një ese të shkurtër të vitit 1916 me titull “Plagët tona: Ç’na mungon? Ç’duhet të kemi?” Mit’hat Frashëri në përpjekje për të rrumbullakuar defiçencat e kombit argumentonte kështu: “Një popull nuk rron dot pa ideal, pa një shtytje, pa një qëllim që e bën të ecë, të punojë, të përpiqet dhe të përparojë. Cili duhet të jetë ideali ynë? Duhet të jetë madhëria dhe nderi i shqiptarit, njësia dhe bashkimi i kombit, lumturia dhe përparimi i përgjithshëm. Kur të jetë ndezur në zemrën tonë ky zjarr i ngrohtë, do të shohim se bashkimi i dëshirave dhe i fuqive është një nevojë për ne, se therorësia e egoizmit vetjak është një qejf për ne, se ne të gjithë do të shikohemi si vëllezër e shokë për veprën e përbashkët, për të ngrehur godinën e shëndoshë të madhërisë sonë”.
Në një ditë të zymtë them se një shekull pas fjalëve si këto, ideali ynë është fuqia ndaj sojit tonë, shtytja jonë është lakmia, qëllimi ynë është froni dhe për të arritur, mbajtur e përcjellë atë ne bëjmë të pabërën. Ne ecim solo, punojmë solo, përpiqemi solo e s’përparojmë hiç! Ne ende e mbajmë veten ekocentrik dhe gjithçka mbillet e sillet rreth egos sonë të tmerrshme; rreth asaj “therorësie e egoizmi vetiak” të M. Frashërit që nuk ka se si të mos na verbojë. Në një ditë të zymtë them se ne ende nuk zgjedhim vlera, parime e rregulla për të ndjekur idealet e rrahjegjoksit në vend të nderit. Në një ditë të zymtë them se ne ende evoluojmë ndaj sojit tonë, regresojmë ndaj grupit e përulemi ndaj të huajit. Ky ideal i mbrapshtë na jep të mbrapshtit tanë; e të mbrapshtëve tanë u jep bashkim dhe forcë. I grupon ata në një, i zhveshë nga çdo tipar solidar e patriotik dhe i len të tillë, të pamarrë, të mbyllur ndaj parimeve dhe fondamenteve kombzhvilluese. Bashkimi i mbrapshtë i bën më pas aktiv në një rrugë reaktive për kombin; u jep forcë dhe kohë për të mbjellë edhe më shumë rregulla e vlera të mbrapshta, të cilat i kalojnë tek të tjerët që ju vihen pas si zagarët që i vihen të zotit. Në fund i bën të vetëqëndrueshëm, injorantë e agresivë, duke krijuar kështu një grumbull pakurrizorësh destruktivë vetushqyes që përhapen e shumohen eksponencionalisht në kurriz të rimëkëmbjes së kombit.

Në një ditë të zymtë ndihem kështu. Të jesh i fundit për të mirë e i pari për të keq nuk është se më jep fort kënaqësi. Por në një javë feste them se zymtësia vend nuk ka, them të mbyll sytë pak, të harroj për pak kohë “kolltukofagët” e Fan S. Nolit, që edhe sot e kësaj dite m’i zhbëjnë ëndrrat, të harroj “palaçot e dheut” të Faik Konicës që vazhdojnë të preferojnë “fjalën, mbledhjen e pallën para kazmës”, e të harroj dhe “rrugaçat, sallahanat, vagabondat, e shakllabanat” e Atë Gjergj Fishtës që m’i çoroditin rrugët lart e poshtë pandalim. Sot nuk është dita e tyre. Hajna, kriminelë, dhunues, vrasës, pushtues, parazitë, tradhtarë e të tjerë ushunjëza që pinë gjakun e djersën e hekanakëve shqiptarë, u pjekshi në ferr! Ky vend e kjo copë toke do të bëjë e do të mund të ecë dhe me ju mbi të.

Sot është dita e atyre shqiptarëve që mendojnë mirë e drejtë që nga hapi i parë nga shtrati e deri te i fundit prapë për në shtrat. Sot është dita e atyre shqiptarëve që përkundër anomalive shoqërore megjithatë bëjnë mrekulli me mbarësinë e drejtësinë e tyre dhe me këtë mbajnë gjallë ëndrrën shqiptare. Jo ëndrrës shqiptare nëpërmjet gulçimave me këngë, çartjeve me shuplakë, assesi nëpërmjet euforizmave turbo-folko-nacionaliste të valleve në udhëkryq, por nëpërmjet qytetarisë së mirë, nëpërmjet mësimit, leximit, shkuarjes në punë, bërjes shokë, kujtesës për familje, gjetjes së shtëpisë, martesës, bërjes së fëmijëve, harxhimit, kursimit, shëtitjes, ëndërrimit, besimit, votimit, ngritjes së zërit, pagesës së taksave, pagesës së faturave, bindjes ndaj ligjit, sjelljes normale, dashurisë ndaj shtetit, sfidimit të qeverisë, luftës ndaj hajnave, krenarisë patriotike, mbijetesës – nëpërmjet vetë lirisë! Sot është dita e shqiptarit të mirë; kaq mjafton për të larë veten ndaj obligimit patriotik që secili bartim në vete që nga dita e parë kur hapim sytë e shohim nënën, e deri në natën e fundit kur i mbyllim ata e të vetëm takojmë Zotin.
* * *

Nuk ma do mendja që ka shumë popuj që kanë ndierë pasojat e zareve politike sikurse shqiptarët e aq më pak popuj që i kanë mbijetuar ato. Mbijetesa e popujve të vegjël përballë forcave të mëdha është virtyt e vlerë e pashoq. Këtë mbijetesë të trashëguar tek ne duhet ta ruajmë në përjetësi si kujtesë mbi sakrificën e gjithë atyre që nuk janë më që të jemi ne. Sot ne duhet të kujtojmë mundin e mësuesve, ushtarëve, mjekëve, shkrimtarëve, punëtorëve, udhëheqësve, hoxhallarëve, priftërinjve, gazetarëve, burrave, grave, bijve e bijave që patën një kauzë të përbashkët shqiptare. Sot ne duhet të kujtojmë udhën e nisur të baballarëve të shtetit që flet shqip. Ecja e tyre nuk duhet të na shërbejë si satisfaksion e ngopje për kauzën e përbashkët; kush jemi ne të ndalemi këtu? Ajo duhet të na shërbejë si bazë për të ekstrapoluar më tutje ecjen drejt një qëllimi të përbashkët final, më madhor, më të drejtë. Duhet bërë këtë, meqë ecja e jonë sado që është triumfale është dhe e papërfunduar, e gjërat e papërfunduara, siç dhe i kemi ndjerë shpeshherë më parë, na kthehen mbrapshtë herë do kurdo.

Së pari, ecja jonë është triumfale, meqë pozicioni i shqiptarëve në relacion me të tjerët krahasuar me 100 vjet më parë (jo në relacion me veten, meqë progresiviteti nominal do të ndodhte edhe pa angazhimin tonë) është më i konsoliduar. Sidomos dekada e fundit u dha shqiptarëve një copë force për të ngritur dorë e rrahur tavolinë kur ata janë të ulur aty. Së dyti, ecja jonë është e papërfunduar, meqë ne jemi larg prej potencës sonë politike, ekonomike e ushtarake dhe se ne jemi larg prej të drejtave e mirëqenies solide të shqiptarëve brenda e përtej kufijve Kosovë e Shqipëri. Me Veriun e mbytur, Maqedoninë në hall e Luginën në harresë, festa jonë ka një dozë shije të festës pas mortit.

Jemi larg prej potencës sonë, meqë stadet tona të zhvillimit janë ngufatëse. Kujtoj se shqiptarët sot, kudo që janë në Ballkan, shënojnë rekordet më të ulëta ekonomike e të mirëqenies. Ata sot kanë normën më të lartë të papunësisë e të varfërisë, pagat mesatare më të ulëta, deficitin më të lartë tregtar, bruto produktin vendor më të vogël, kujdesin shëndetësor më joadekuat, shkollimin më joprofesional, rrugët e hekurudhat më të dobëta, furnizimin me energji e ujë më të paqëndrueshëm, dhe më e rëndësishmja, prodhimin më të paktë; të gjitha në krahasim me çdo shtet tjetër evropian. Pas shqiptarëve vijnë boshnjakët, moldavët, serbët, malazeztë, kroatët e të tjerët nga Evropa.

Të rinjtë tanë që janë të bollshëm në numër, në vend të bërjes së një force ekogjeneruese që s’e ka kush në Evropë, sot bëjnë një forcë mërgimtarësh në rastin më të mirë apo një forcë badihavxhinjësh në rastin më real. Tokat tona me pjellshmëri të lartë, në vend të bërjes së rendimenteve që ushqejnë barkun e shqiptarëve, sot bëjnë djerrinat që rrinë të thara e pa të zot; madje njeriu dallon lehtësisht pronësinë etnike të tokave me një shëtitje të thjeshtë nëpër Ballkan. Bizneset tona në vend të bërjes së vendeve të punës, inovacionit e kualitetit të produkteve, sot bëjnë vetëm ndërmjetësuesin mes shitësve të huaj e konsumuesve shqiptarë. E sa për të mos mjaftuar këto, qeveritë tona në vend të udhëheqjes, mbrojtjes, kujdesit e pasjes së vizionit zhvillimor, sot bëjnë turpin e botës me rangimet e larta të korrupsionit, mostransparencës, burokracisë e hajnisë. Fuqia jonë punëtore, toka jonë, bizneset e qeveritë tona, në vend se të bëjnë lehtësuesin e njëri-tjetrit, sot bëjnë një cikël disfunksional, ku secili mban peng tjetrin.

Për t’iu dhënë udhë problemeve jetike shqiptare ne sot kemi nevojë për unifikim, për bashkim, meqë vetëm nëpërmjet bashkimit të potencialeve tona ne mund të faktorizojmë veten. Si të vegjël që jemi do të shërbejmë gjithmonë si vagon e asnjëherë si lokomotivë e trendëve rajonalë. Ndonëse bashkimi kombëtar i shqiptarëve në një shtet është proces i refuzuar ndërkombëtarisht (tani për tani), i refuzuar nuk është e nuk do të jetë asnjëherë kujdesi i bashkuar për një mirëqenie shqiptare. Kjo mirëqenie shqiptare nuk mund të sigurohet asnjëherë pa një zë unifikues politik dhe pa një mbështetje të fuqishme ushtarake. Ne sot nuk e kemi asnjërën dhe për më tepër nuk do ta kemi asnjëherë pa një rikonsolidim të brendshëm ekonomik. Pra, pa një fuqi ekonomike qëllimet e ecjes sonë njëqindvjeçare do të jenë të paarritshme, e zëri ynë politik e ushtarak do të jetë zë puberteti. Kjo fuqi ekonomike nuk do të na vijë asnjëherë nga forca të jashtme, madje edhe nëse vjen do të jetë e vonuar dhe e formësuar qoftë si ndihmë apo si mëshirë. Fuqia jonë ekonomike do të burojë vetëm nga një ndërvarësi e koordinuar e jona dhe e mbështetur në parimet e përparësive komperative në relacion me të huajt dhe të përparësive komplementare në relacion me shqiptarët.

Sot shqiptarët nuk gjejnë dot, ose gjejnë shumë pak, arsye, motive e forca që bëjnë plotësimin e njëra-tjetrës. Politikat e tanishme kombëtare kanë qenë larg prej impresives. Përtej përurimit të Abetares së përbashkët, që ndoshta dhe simbolizon në vete nivelin e bashkëpunimit ndërshqiptar, rrjedhat tjera politike kanë qenë disi jo vetëm të çakorduara, por dhe të rastit pa ndonjë përfundim domethënës. Në qëndrimet politike, divergjencat partiake të kryeqendrave kanë shkaktuar ndasi të pakuptimtë tek shqiptarët tjerë, përfshirë edhe individët e grupet me influencë shoqërore, duke minuar kështu çfarëdo progresi të koordinuar mbi çështjet më bazike të një kombi, siç janë sigurimi territorial, edukimi i të rinjve (sidomos femrave), kujdesi shëndetësor, zbutja e varfërisë, rritja e konkurrueshmërisë, parandalimi i qëndrimeve ekstremiste fetare e lufta ndaj kriminalitetit. Të dhënë pas problemeve partiake, të handikapuar nga mungesa e elitave akademike vizionare, nën mëshirën e nënzhvillimit, problemet ekzistenciale si këto të thëna më lart kanë marrë vëmendjet tona vetëm pasi që ato janë konsoliduar bukur mirë dhe kështu kanë rrezikuar seriozisht jo vetëm bashkimin tonë, por edhe identitetin tonë kombëtar.

Në qëndrimet ekonomike, superstradat e ndërtuara viteve të fundit nuk kanë qenë asnjëherë të përcjella me politika stimuluese ndërtregtare. Kështu ato kanë shërbyer më tepër për të dërguar shqiptarët e Kosovës nëpër plazhe të Shqipërisë, e fare pak për të tregtuar mallrat mes vendeve. Madje në vend të lehtësimeve tregtare ne vazhdimisht shohim edhe garë politike të bllokadave si rasti i rrushit, verës, patateve, miellit e çimentos, në mes të shumë të mirave të tjera. Vetëm në vende si tonat njeriu sheh investime multimiliardëshe në rrugë të përcjella me politika bllokuese tregtare. E si konsekuencë e një çakordimi të tillë, shqiptarët vazhdojnë të sillen si blerës të gjithkujt, përveç të njëri-tjetrit, duke eksportuar kështu miliarda para çdo vit jashtë tregjeve të tyre (saktësisht 7 miliardë). Në të njëjtin stad është edhe tregu energjetik, ai i telekomunikimit, i lëndëve të para e i fuqisë punëtore.

* * *

Pavarësisht gjithë kësaj, është vonë për t’u ankuar; tepër vonë. E qartë, se është rëndë e mbrapshtë e keq; por çfarë dobie japim po u bëmë ankues melankolikë të padurueshëm? I dimë të gjitha. Çfarë megjithatë nuk dimë është se në hyrje të 100-vjetorit të dytë si duhet ti përgjigjemi pyetjes së M. Frashërit: “Ç’duhet të kemi?”. A kemi si komb një vizion të qartë se ku po ecim, si po ecim e sa shpejt po ecim?

Në një situatë pozitivisht konkurruese mes popujsh, shqiptarët thjesht nuk e kanë luksin e konkurrencës në mes vete. Kanë gjuhë të njëjtë, kulturë të njëjtë, traditë të njëjtë dhe për më tepër kanë një territor kontinuel; parakushte këto për një unifikim të lehtë. Çfarë shqiptarët megjithatë nuk kanë, është një vizion të njëjtë. Shqiptarët sot kanë nevojë për një moment që bashkon mendjet politike, akademike, fetare e ushtarake në një vend. Jo në prerje të shiritave, as në tryeza pesëminutëshe, por në një proces që do të definojë ecjen tonë në shekullin e ri. “Armiqtë” partiakë sot duhen të bëhen miq për hir të nevojave kombzhvilluese. Në këtë moment bashkues ata duhet të mobilizojnë çdo forcë të brendshme, çdo potencial të diasporës, çdo grup lobues e çdo lidhje miqësore me shtetet e tjera për të vënë në lëvizje makinerinë që realizon një qëllim më madhor shqiptar të mirëqenies sonë.

Në këtë moment bashkues ata duhet të përcaktojnë zërin e këmbëngulësisë ndaj sigurisë territoriale të shqiptarëve, zë ky që u bën me dije pretenduesve të sëmurë antishqiptarë se ka një çmim që ne nuk e paguajmë kurrë e ka një vijë që ata nuk guxojnë ta kalojnë asnjëherë. Përballë pretendimeve shfarosëse ne thjesht nuk guxojmë të zgjedhim komfortin; ne duhet kërkuar paqen nëpërmjet forcës. Në këtë moment bashkues shqiptarët duhet të përcaktojnë dhe pragun e edukimit në trevat më të paedukuara shqiptare, shëndetin në vendet më të sëmura, varfërinë në fshatrat më të harruara, rrugët në kanalet më të nevojshme, hekurudhat nëpër qytetet më potenciale, çrrënjosjen e ekstremizmit fetar në vendet më të mbyllura, politikat biznesore për vendorët me më shumë nevojë e gjetjen e fuqive krahasuese e komplementare në rajonet që i kanë ato. Në këtë moment bashkues ata duhet të mendojnë mbi mobilizimin e kapitalit financiar, të fondeve pensionale, fondeve privatizuese, kursimeve vendore e atyre të diasporës për të fuqizuar e ngritur bizneset tona në relacion me rajonin. Në këtë moment bashkues ata duhet të përcaktojnë dhe forcën ushtarake si mjet garantues i paqes e i mirëqenies sonë, forcën diplomatike si mjet përfaqësues i interesave tona, forcën religjioze si mjet identifikues i traditës sonë dhe forcën akademike si burim i ideve të reja për qindvjeçarin e dytë. Në këtë moment bashkues ata duhet të vendosin edhe për varësinë tonë ekonomiko-politike nga rrymat e caktuara, duhet të vendosin se kush bën e kush s’bën të influencojë shqiptarët. Ata duhet të përcaktojnë aleancat e ardhshme dhe kërcënimet imediate që i ndajnë shqiptarët jo vetëm në mes vete, por dhe nga vlerat e preferencat perëndimore.

Përmbi gjithë kësaj, në momente të tilla shqiptarët duhet të vendosin kalimin nga të trajtuar si për mëshirë në të trajtuar si faktorë. Mbijetesa e shqiptarëve më nuk duhet të na shërbejë si një qëllim që na sjell kush e di çfarë satisfaksioni; është diçka e qindvjeçarit të parë. Në trendët e tanishëm perëndimorë qëllimet e kualitetit të jetës, fuqisë blerëse, ndikimit politik, kulturor e sportiv janë ato që numërohen dhe ato duhet të përcaktojnë pragun e matjes së suksesit tonë si komb. E me kandar si ky ne duhet dhe të bëjmë reflektimin tonë.

Liderët e dijetarët shqiptarë nuk duhet të kenë frikë nga momente të tilla. Përkundrazi, ata kanë obligim moral që t’i prijnë popullit në momente si këto. Ata duhet të tregojnë veti që përmbysin kohën e hapësirën rreth tyre e që tregojnë siç kanë treguar edhe burrat e gratë para tyre, se njerëzit vijnë e shkojnë, por kombi e shteti mbesin gjithnjë aty; nga të tjerët për ne, nga ne tek të tjerët. Në fund të fundit, ka diçka që shkon përtej kohës e shënimeve të ditëve si këto e që deshëm apo s’deshëm ne shqiptohet si obligim patriotik për të mbrojtur e ngritur vendin. Shqiptarët kanë bërë mrekulli në 100 vitet e shkuara, por 100 të rejat duhet domosdo të jenë të tyre.

(Autori është kolumnist i rregullt i “Kohës Ditore”)