Thuhet se do të largohen, madje do ta bëjnë të dy bashkë njëkohësisht. Hose Murinjo dhe Kristiano Ronaldo mund t’i hedhin benzinë zërave për një merkato, ajo e verës së ardhshme, që pritet të jetë tepër e zhurmshme. Sipas të përditshmeve sportive spanjolle, në veçanti ato katalanase, tekniku portugez është duke punuar fshehurazi për lamtumirën e tij dhe ka nisur të programojë fushatën e blerjeve me PSG-në. Objektivi numër një i tij: Ronaldo. Pavarësisht zërave çoroditës të merkatos, Real Madrid kryen pothuajse një formalitet në Kupën e Mbretit, pasi siguron një tjetër fitore 3-0 me Alkojano, ndërkohë që takimin e parë e kishte fituar 4-1. “Merengues”-it kualifikohen kështu pa ndonjë problem për në 1/8-at e finaleve të këtij kompeticioni, pasi në “Bernabeu”, ku mungonte Kaka për shkak se nuk u grumbullua nga Murinjo, hodhi në fushë shumë të rinj e megjithatë golat u shënuan nga Di Maria (71’) dhe Kajehon (dopietë) në minutat e fundit, kundër Alkojano, një ekip i Segunda Division.
Miqtë mbetën me 10 veta në minutën e 72-të, për shkak të kartonit të kuq të Selvas. Kaluan në turin tjetër edhe Malaga, Betis, Osasuna, eliminohen Vajekano e Sociedad.