Kryeministri: Të vërtetat e mëdha të historisë së kombit tashmë mund t’i gjejmë nëpër librari. Nderim për LANÇ, por Hoxha mbetet diktatori më çnjerëzor
Rita Ora më hoqi lodhjen, do të kërceja në shesh, por ra shi
Falënderim për përfaqësuesit e 57 vendeve dhe të 12 organizatave më të mëdha në botë që kremtuan me shqiptarët
Kryeministri Berisha e cilësoi si ditën më festive dhe më të bukur të të gjithë shekullit kremtimin e 100-vjetorit të pavarësisë në qytete e Shqipërisë. Në një konferencë të posaçme për shtyp, numri një i qeverisë, duke e cilësuar festën si shpresë dhe besim për tek e ardhmja, falënderoi të gjithë miqtë e Shqipërisë që iu bashkuan vendit në këtë ditë të madhe. Gjithashtu, ai tha se një nga objektivat e këtij viti ishte edhe rishkrimi i historisë, diçka që është realizuar më së miri.
Personalitetet
Që në fillim të fjalës së tij kreu i qeverisë falënderoi të gjithë ata që u bënë pjesë e festës të zhvilluar në Tiranë, por edhe në Vlorë. Ai tha se ishin 57 përfaqësues nga 57 vende të botës dhe ndërkohë 12 të tjerë përfaqësonin organizatat më të rëndësishme të botës. Duke i lexuar të gjithë emrat e personaliteteve të larta të vendeve që morën pjesë, zoti Berisha shprehu mirënjohjen e tij personale dhe të gjithë qeverisë për të gjithë mbështetjen e ofruar vendit në këtë ditë festive. “Pas përfundimit të festimeve të 28 Nëntorit mirënjohjet më të përzemërta të miat dhe qeverisë sime shkojnë për të gjithë atë, të cilët bënë të mundur që Tirana, Vlora, Shqipëria të përjetojë ditën më festive të shekullit, festën më të bukur në tërë ekzistencën e tyre. Falënderimi dhe mirënjohja më e parë është për miqtë dhe të ftuarit që na nderuan aq shumë me delegacionet që dërguan. 57 vende mike u përfaqësuan në rang të deleguarish direkt nga kryeqytetet e tyre, po kështu 12 organizata nga më të fuqishmet ndërkombëtare dërguan të deleguarit e tyre për të festuar këtu me popullin shqiptar. Me këtë rast më lejoni të shpreh mirënjohjen më të thellë për të gjitha ato vende mike, që dërguan përfaqësuesit e tyre për të festuar më 28 nëntor 100-vjetorin e pavarësisë me shqiptarët. Falënderoj edhe vendet që u përfaqësuan nga ambasadorët e tyre”, – tha Kryeministri.
Qytetarët
Duke iu referuar festës më të bukur në të gjithë ekzistencën e shtetit shqiptar, kreu i mazhorancës nuk harroi të përmendte edhe qytetarët shqiptarë që, sipas tij, u treguan të kulturuar dhe që mbushën sheshet dhe rrugët e Tiranës. Ai rezervoi mirënjohje dhe falënderime të veçanta për disa kategori, siç ishin mësuesit, të cilët e kanë pasur në fokus të mësimeve të tyre 100-vjetorin e pavarësisë, qeveritë vendore dhe median. Gjithashtu, numri një i qeverisë shprehu mirënjohje për të rinjtë dhe të rejat apo fëmijët, të cilët, sipas tij, nuk e lanë flamurin më të bukur në botë, flamurin shqiptar që të binte poshtë. “Shpreh falënderimin tim më të thellë për shqiptarët, që me kontributin e tyre bënë që 28 Nëntori, festa e shekullit të qëndronte lart dhe të merrte përmasa të paimagjinueshme, jo vetëm nga prania e tyre. Dashuria e tyre për flamurin për vendin, e tëra ishte besim tek e ardhmja. Kurrë nuk kanë festuar më bukur dhe më masivisht sesa 28 Nëntorin. Qytetarët shqiptarë e nxorën jashtë çdo imagjinate, për përmasat, entuziazmin, rregullim në të gjitha aspektet”, – vlerësoi kryetari i ekzekutivit.
Rishkrimi i historisë
Rishkrimi i historisë ishte një nga objektivat që Komiteti Shtetëror për 100-vjetorin e pavarësisë përmendi në fillim të vitit që po lëmë pas. Zoti Berisha tha se në këtë jubile të pavarësisë, janë shtuar aq shumë librat që kanë këndvështrim të ndryshëm për historinë, saqë çdokush mund t’i gjejë ato lehtësisht në librari. Duke e quajtur një shërbim të madh që i bëhet vendit, ai falënderoi të gjithë ata që hodhën dritë mbi luftërat e vendit, mbi të vërtetat e kombit tonë.
Festimet
Festimet e qytetit të Vlorës dhe ato të Tiranës, në vlerësimin e Kryeministrit, ishin tepër pozitive, gjithashtu edhe aktivitetet e organizuara nga pushteti vendor dhe ai qendror. Zoti Berisha risolli në vëmendje tortën gjigante të realizuar nga pastiçierët e kryeqytetit dhe u ndal në koncertin gala në Pallatin e Kongreseve. Duke kaluar tek opozita, Kryeministri pohoi se ata që menduan se do të kishin shansin që të shkruanin “Kurbanin” e dytë, nuk e morën këtë kënaqësi, pasi për shpërndarjen e pakove me mish pati një procedurë të përcaktuar më së miri. Berisha falënderoi me mirënjohje Saimir Pirgun, Inva Mulën, Zhani Cikon dhe të tjerët që sollën kurorën më të bukur në këtë vit të rëndësishëm për shqiptarët. “Falënderime për superstarin e superhiteve të Britanisë së Madhe dhe SHBA-së, Rita Orën. Të thuash Madona është pak. Ajo është midis Beyonce dhe Rihannës. Rita është një atdhetare e flaktë, në të gjitha prononcimet e saj ajo thotë se jam shqiptare, jam kosovare. Ishte pa dyshim entuziazmi rinor dhe mbyllja më e shkëlqyer e festës. E gjithë lodhja e akumuluar u shkri dhe unë isha gati të dancoja në shesh me të rinjtë nën ritmet e saj”, – tha me buzëqeshje shefi i mazhorancës. Ai tha se ka vetëm mirënjohje ndaj të gjithë atyre që bënë të mundur një festë kaq të bukur për shqiptarët, që nderuan në këtë 100-vjetor dhe që dëshmuan një shpresë dhe besim të madh tek vitet që vijnë.
Enver Hoxha
Numri një i qeverisë shqiptare vlerësoi Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare të Shqipërisë si faqen më të ndritur të historisë, por e cilësoi si diktatorin me çnjerëzor në Evropë. “Sali Berisha nuk ka mohuar kurrë Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare, e ka quajtur dhe quan një nga faqet më të ndritura dhe ky është besimi im i plotë. Lufta duhet parë me të vërtetat e veta. Enver Hoxhën në krye të PKSH-së e ka vendosur Dushan Mugosha, ju merreni protokollin e mbledhjes së parë do shihni se ai ishte kryetar i thesarit. Enver Hoxha u mbajt në inkubator një vit dhe pas një viti u vu sekretar i parë. Partia Komuniste Jugosllave dhe marshalli Tito në atë periudhë udhëhiqnin lëvizjen më të fuqishme antifashiste. Çërçilli kishte djalin e tij në ushtrinë e Titos. U vu si u vu, lufta është meritë e madhe, por këto nuk mohohen, por ato çka i bëri ai Shqipërisë dhe qytetarëve shqiptare, ju nuk mund të imagjinoni, dhe këtë jua them me bindjen më të madh. Mbi 100 mijë shqiptarë të burgosur dhe të internuar të vdekur dhe të pushkatuar me gjyqe ose pa gjyqe, kjo është ana e regjistrave, por qindra mijëra të tjerë, foshnje, të sëmurë, të vdekur nga kushtet e mjerimit. A mund ta imagjinoni sot një familje që jeton ditë javë muaj vite vetëm me bukë misri kripë, 1 kg sheqer dhe 1 kile vaj. Kjo nuk ka ndodhur në qytete por në fshatrat e zonës lindore dhe juglindore. Ai u hoqi bukën shqiptarëve. Nuk ka pasur në historinë e Evropës regjim më çnjerëzor se ai i Enver Hoxhës”, – deklaroi Berisha.
Mungesa e Avramopulosit, Kryeministri: Miqtë shkëlqejnë me mungesën e tyre
Refuzimi i ftesës së ministrit të Punëve të Jashtme të Greqisë për të festuar 100-vjetorin e shtetit shqiptar në tokë shqiptare për shkak të një deklarate të Kryeministrit Berisha u komentua shumë thjesht nga vetë kreu i qeverisë së Shqipërisë. “Francezët kanë një përgjigje, miqtë shkëlqejnë gjithmonë me mungesën e tyre”, – tha Berisha gjatë konferencës së përbashkët për shtyp në Tiranë me Kryeministrin e Sllovenisë, Janez Jansa. Kurse rreth çështjes së Shqipërisë së Madhe, Kryeministri riformuloi dhe njëherë qëndrimin e tij se bashkimi i shqiptarëve duhet bërë me qëllim Evropën: “Shqipëria e madhe. Motoja e shpallur është të bashkohemi me njëri-tjetrin, të bashkohemi me Evropën. Unë mendoj që kjo moto është një moto e drejtë, në të cilën çdo shqiptar duhet të punojë. Ne duhet të punojmë kudo që jemi në projektin evropian, por duhet të punojmë kudo që jemi për të kapërcyer qindra e qindra ndarje pengesa, që janë vendosur në një shekull të gjatë midis shqiptarëve. Kështu që, konsolidimi dhe njohja e mëtejshme e Pavarësisë së Kosovës dhe rolit të saj rajonal dhe kombëtar mbetet interes kombëtar i shqiptarëve. Kjo është përgjigja ime, mbi Shqipërinë e Madhe”. Të njëjtin qëndrim kreu i mazhorancës e mbajti edhe në konferencën e pasdites.