E majta e ndarë në 29 Nëntor, Braçe kundër Metës

0
160

Gëzim Saliu

Meta: Derisa rivlerësohet figura e Zogut, nuk ka arsye të mos rivlerësohet figura e Hoxhës

Përkujtimi i 29 Nëntorit, Ditës së Çlirimit të vendit, krahas ndasive të hershme mes të djathtës dhe të majtës, u përcoll dje me përçarje edhe mes vetë partive të majta. Nderimi i të rënëve në Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare dhe mesazhi i dhënë nga kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, është komentuar me kritika dhe akuza të forta nga anëtari i kryesisë socialiste dhe njëkohësisht nënkryetari i grupit parlamentar Erion Braçe. Duke akuzuar më parë Presidentin e vendit, Nishani, dhe Kryeministrin Berisha lidhur me reagimet e tyre për 29 Nëntorin, deputeti socialist e cilësoi si ndyrësi politike komentet e dhëna për mediat nga kreu i LSI-së. “Ilir Meta tha sot publikisht: Për sa kohë po rivlerësohet figura e Ahmet Zogut, nuk ka arsye të mos rivlerësohet dhe figura e Enver Hoxhës; të njihet merita e komunistëve shqiptarë në Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare!!! Pra, sipas Ilir Metës, rivlerësimin e Ahmet Zogut duhet ta marrim të mirëqenë, edhe pse ky rivlerësim është i turpshëm dhe i pa mbështetur në fakte historike. Për më tepër, me që po u rivlerësoka ky, duhet të rivlerësohet figura e Enver Hoxhës. Natyrisht që krahasimi çalon, çalon aq shumë sa boshllëku i zotërisë në njohuritë historike apo edhe filozofike. Ilir, njeri është tradhtari, tjetri – të paktën për luftën antifashiste – luftëtari. Në fakt Ilir Meta nuk hyn kaq thellë. Ju kam thënë, po lëviz majtës e po lëpin gjithë çka pështyrë kur u bashkua me Berishën. Po kërkon vota të majta për t’i çuar tek Berisha!! Siç bëri në Tiranë. Mori votat e komunistëve dhe i çoi tek Lulëzim Basha!”, – u shpreh në reagimin e tij në rrjetin social Facebook deputeti socialist Erion Braçe.

 

Meta

Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ka nderuar dje të rënët në Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare, ku kanë vënë kurora me lule në memorialin “Nënë Shqipëri” në Varrezat e Dëshmorëve. Pas nderimeve, Meta pohoi se 28 dhe 29 Nëntori do të qëndrojnë përjetësisht në historinë e Shqipërisë ashtu siç qëndrojnë dy kokat e shqiponjës në flamurin kombëtar. Sipas tij, këto janë dy data shumë të lidhura me njëra-tjetrën, sepse më 29 nëntor 1944 partizanët dhe partizanet e Shqipërisë, ata që drejtuan luftën antifashiste, i kthyen vendit pavarësinë. I pyetur se a duhet një rivlerësim i figurës së Enver Hoxhës në historinë moderne shqiptare, kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim iu përgjigj se do ishte një kompleks të mos përmendim rolin e të Partisë Komuniste dhe të komunistëve shqiptarë, sepse 90% e atyre që prehen këtu, theksoi Meta, kanë qenë anëtarë të kësaj partie. “Përderisa i jepen merita Zogut në disa aspekte, nuk ka arsye që të mos i jepen merita edhe Enver Hoxhës, sidomos për sa i takon drejtimit të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare. Megjithatë unë mendoj se nuk është detyrë e politikanëve për të bërë historinë sepse politikanët kanë edhe interesat e tyre politike. Mendoj se koha e bën historinë më të mirë, bën rivlerësim më të mirë të këtyre figurave por kur flasim për Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare absolutisht që do ishte një kompleks të mos përmendim rolin e jashtëzakonshëm të Partisë Komuniste dhe të komunistëve shqiptarë sepse 90% e atyre që prehen këtu kanë qenë anëtarë të kësaj partie por natyrisht që ata kanë dhënë jetën e tyre në emër të idealit të lirisë, të pavarësisë për të ringritur flamurin e Skënderbeut dhe të Ismail Qemalit në një Shqipëri të lirë dhe të pavarur”, – theksoi kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta.

 

Dita e Çlirimit, kreu i PS-së: Nderim heronjve, Majko: Nacionalizimi ynë është patriotik

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, bashkë me aleatët e tij në koalicionin e majtë nderuan dje të rënët në Luftën Nacional-Çlirimtare, duke vendosur kurora me lule në monumentin “Nënë Shqipëri”, në Varrezat e Dëshmorëve. “Kjo festë e vogël këtu vjen si përmbyllje e këtyre dy ditëve të mrekullueshme, e ditës historike që jetuam dje dhe që na dha një kënaqësi dhe një emocion shumë të veçantë si shqiptarë të kësaj kohe dhe kësaj dite që jetojmë sot, që është vazhdimi më i natyrshëm i një historie të nisur 100 vjet më parë, por edhe të afirmuar me sakrifica të jashtëzakonshme të Luftës Nacional-Çlirimtare. Ky 28 dhe 29 Nëntor kishin me vete një mundësi të jashtëzakonshme, jo vetëm për të lexuar me krenari dy faqe të ndritura të së shkuarës, por edhe për të parë nëpërmjet këtyre faqeve se e ardhmja jonë mund të jetë e ndritur nëse ne kemi guximin të besojmë, ashtu siç besuan ata, që në kohë shumë më të zymta i dhanë mundësi Shqipërisë të rilindë. Ne e kemi këtë guxim dhe ne do ta rilindim Shqipërinë”, – deklaroi Rama. Pas homazheve tek Varrezat e Dëshmorëve, kreu socialist dhe drejtues të tjerë të PS-së organizuan një pritje me rastin e festës së 29 Nëntorit. Ndërkohë, anëtari i kryesisë së Partisë Socialiste, Pandeli Majko, zhvilloi dje homazhe tek dëshmorët e Korçës, ku nuk ngurroi të komentonte edhe refuzimin e ministrit grek dhe maqedonas për të marrë pjesë në festimet e 100-vjetorit, duke theksuar se nacionalizimi i shqiptarëve është patriotik. “Nacionalizmi ynë është patriotik, fqinjët të mos tremben”, – u shpreh Majko.