Lirimi i Xhakes, KLD vendos sot shkarkimin e Neritan Tabakut

0
233

Sonja Caka

Mosprania e gjyqtarit shtyu procedimin dhe vendimin, njoftimi u bë publik në media dhe me shkresë zyrtare

 

Këshilli i Lartë i Drejtësisë vendos sot për shkarkimin e gjyqtarit Neritan Tabaku, i cili është nën hetim për lirimin e Ilir Xhakes, të akuzuarit për vrasjen e kryekomisarit të Shijakut, Adem Tahiraj. Pasi u shty një mbledhje më parë si procedim disiplinor, për shkak të mosmarrjes së një njoftimi zyrtar nga ana e gjyqtarit për këtë thirrje për procedim disiplinor në KLD ndaj tij, sot pritet që ky procedim të ekzekutohet. Për të mos i lënë shteg gjyqtarit të Gjykatës së Durrësit për të mohuar marrjen e një njoftimi të tillë, KLD dhe nënkryetari Elvis Cefa kanë shfrytëzuar median e pranishme në mbledhje për ta bërë publike mediatikisht njoftimin për procedimin disiplinor të kërkuar nga ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, ndërsa i është dërguar edhe një tjetër njoftim zyrtar në adresën e tij. Paraqitet apo jo gjyqtari i pezulluar Tabaku në mbledhjen e sotme, parashikohet që procedimi të bëhet dhe të vendoset mbi masën e kërkuar nga ministri, pra shkarkimi i tij nga funksioni i gjyqtarit.

Debatet

Neritan Tabaku, gjyqtari që liroi Ilir Xhaken nga burgu, ka qenë pika më e nxehtë e mbledhjes së dy javëve më parë në KLD, ndonëse në rend dite ishte nga fundi i mbledhjes. Në momentin që u prezantua diskutimi për procedimin disiplinor të gjyqtarit, nënkryetari i KLD-së Elvis Cefa deklaroi se Tabaku nuk kishte dijeni zyrtarisht për këtë proces disiplinor. Sipas tij, zyrtarisht ai nuk ka marrë dijeni, ndërsa privatisht po. Dosja për procedim është gati në KLD, por përderisa zyrtarisht nuk është njoftuar, nënkryetari Cefa shprehu mendim që diskutimi për këtë rend dite të shtyhej për në seancën e radhës. Por, ka qenë kundër ministri Halimi për shtyrjen e këtij procedimi, duke u shprehur se gjyqtari Tabaku ka marrë dijeni dhe është fshehur duke fikur telefonin. Sipas tij, quhet e marrë dijeni kur dokumentin e ka marrë kryetari i gjykatës dhe gjyqtari është njohur me të. “Nëse gjyqtari s’merr njoftim kjo nuk do të thotë që s’duhet të procedohet. Ka marrë kryetari i gjykatës njoftim dhe quhet i kryer” është shprehur ministri Halimi lidhur me rastin e gjyqtarit të pezulluar Tabaku, për të cilin është propozuar shkarkimi nga funksioni i gjyqtarit. Pasi këtyre diskutimeve, u vendos që gjyqtari Tabaku të procedohet në një ditë të posaçme nga KLD dhe i është bërë thirrje publikisht nga nënkryetari Cefa që është duke u proceduar dhe të mos bëjë si i sëmurë, pasi KLD ka dijeni për fizioterapinë që ai po bën. Pas komunikimit publik që iu bë përmes medias, diskutimi u shty nga kryetari i KLD-së, z. Nishani, dhe u mor vendim për t’u zhvilluar paraditen e sotme.

Pezullimi

KLD pezulloi muaj më parë nga detyra gjyqtarin Neritan Tabaku, i cili po hetohet për “Shpërdorim detyre” në lidhje me lirimin nga burgu të Ilir Xhakes. Këshilli pranoi kërkesën e prokurorisë për hetimin e gjyqtarit Tabaku, i cili nuk zbardhi për një vit e 8 muaj vendimin e lirimit të Xhakes. Pas hetimit të dosjeve të këtij gjyqtari, prokuroria dorëzoi në KLD kërkesën për autorizimin e fillimit të procedimit penal ndaj gjyqtarit të Gjykatës së Durrësit, ndërkohë që për çështjet e gjykuara prej tij nisi edhe një inspektim nga dy inspektoratet, ai i Ministrisë së Drejtësisë dhe KLD-së. Këshilli vendosi unanimisht të autorizojnë prokurorinë për hetimin e gjyqtarit Tabaku lidhur me moszbardhjen në kohë të vendimit dhe pengimin e zhvillimit të procesit gjyqësor ndaj Ilir Xhakes në Gjykatën e Apelit Durrës.

 

Skandali/ Gjyqtari Tabaku, kampion i vendimeve të pazbardhura

Hetimi i prokurorisë zbuloi një skandal në Gjykatën e Durrësit, pasi gjyqtari Tabaku rezultoi të ishte kampion i vendimeve të pazbardhura prej 2 vjetësh. Sipas hetimeve dhe njërit prej vendimeve të sekuestruara nga organi i akuzës, rezulton se gjyqtari ka dhënë pafajësi për një të akuzuar për falsifikim dokumentesh, ndërsa arsyetimi është dorëzuar në sekretari vetëm pas dy vitesh. U desh të ndodhte vrasja e kryekomisarit të Shijakut që të zbuloheshin të tjera shkelje të këtij gjyqtari. Verifikimet e akuzës treguan se në listën e vendimeve të pazbardhura nga ana e gjyqtarit tashmë te pezulluar është edhe rasti i shtetasit Jordan Findiku. Ky person është akuzuar për “falsifikim dokumentesh” nga prokuroria e Durrësit dhe në përfundim të gjykimit është kërkuar dënimi me 4 vjet heqje lirie. Në mars të vitit 2010, i pandehuri është shpallur i pafajshëm nga gjyqtari Neritan Tabaku, ndërsa vendimi i arsyetuar nuk është depozituar për dy vite me radhë në kryesekretarinë e gjykatës. Vendimi i zbardhur është vënë në dispozicion të sekretarisë vetëm në shtator të këtij viti, pas publikimit të skandalit me mungesën e vendimit ndaj të pandehurit Ilir Xhakja, i arrestuar për vrasjen e kryekomisar Adem Tahiraj. Edhe në këtë rast, prokuroria ka depozituar ankim në Gjykatën e Apelit, por çështja ka mbetur pezull, pasi nuk ishte dorëzuar ende dosja ndaj të pandehurve për shkak të moszbardhjes së vendimit nga ana e gjyqtarit. Mungesa e vendimeve të zbardhura në Gjykatën e Durrësit prej vitesh ishte kthyer në fenomen, aq sa kryetari ka vendosur të përjashtojë nga marrja e çështjeve të reja gjyqtarin Neritan Tabaku.

Debatet për Neritan Tabakun

Elvis Cefa, nënkryetari

“Neritan Tabaku nuk është informuar zyrtarisht se sot do të nisë procedimi i tij disiplinor. Ai e ka pasur celularin të fikur dhe është zhdukur. Por, në formë jo zyrtare ka marrë dijeni dhe ka gjithë materialet e dosjes. Kërkoj që seanca të shtyhet”.

Eduard Halimi, ministri i Drejtësisë

“Kemi të bëjmë me një gjyqtar që zhduket dhe nuk do të paraqitet duke evituar drejtësinë. Sipas ligjit, nëse gjyqtari nuk gjendet atëherë mjafton të vihet në dijeni Kryetari i Gjykatës duke iu dorëzuar materialet. Në këtë rast materialet janë dorëzuar dhe Kryetari i Gjykatës së Durrësit është në dijeni”.

Elvis Cefa, nënkryetari

“Duke shfrytëzuar edhe praninë e medias e vë në dijeni publikisht gjyqtarin Tabaku se është në procedim disiplinor. E dimë që është duke bërë seanca fizioterapie ndërsa ai rezulton i zhdukur”.

 

Paraqitet apo jo gjyqtari i pezulluar Tabaku në mbledhjen e sotme, parashikohet që procedimi të bëhet dhe të vendoset mbi masën e kërkuar nga ministri, pra shkarkimi i tij nga funksioni i gjyqtarit