Vetëvritet ushtaraku i ndërlidhjes, probleme me kredinë e shtëpisë

0
226

Elton Qyno

Kushtet e vështira ekonomike mendohet se kanë detyruar një efektiv të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë t’i japë fund jetës së tij, duke u vetëvrarë me një plumb në kokë me pistoletën e shokut. 49-vjeçari Gëzim Tarja kishte disa vite që endej me problemet ekonomike pasi kishte marrë një kredi për blerjen e shtëpisë si dhe hapjen e një dyqani ushqimor në zonën e “Don Boskos”. Mirëpo për shkak edhe të mungesës së të ardhurave të mjaftueshme, babai i tre fëmijëve ka vendosur t’i japë fund jetës ditën e djeshme, në ambientet e zyrës së tij. Aktualisht, kjo ngjarje është duke u hetuar nga Prokuroria Ushtarake në dy drejtime, pasi dyshohet se vrasja ka si motiv problemet financiare si dhe motivi i dytë lidhet me pozicionin tepër delikat të 49-vjeçarit në Drejtorinë e Ndërlidhjes, ku shumë informacione merren dhe jepen në struktura të tjera ushtarake vendase dhe të NATO-s. Gëzim Tarja kishte disa kohë që shërbente në Drejtorinë e Ndërlidhjes dhe gjatë mbrëmjes së djeshme ka qenë duke shërbyer në turnin e tretë. Ushtaraku, me gradën e rreshterit, kishte marrë turnin në orën 23:00 të mesnatës, fill pasi kishte përfunduar parada ushtarake që u zhvillua në sheshin “Skënderbej” me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë. Para se të merrte shërbimin, ushtaraku Gëzim Tare ishte ngarkuar të kryente ndarjen e ftesave tek personalitetet si dhe persona të tjerë të rëndësishëm, që do të merrnin pjesë për të vëzhguar paradën ushtarake që zhvillohej nga Forcat e Armatosura të Shqipërisë. Ky mision është kryer me sukses nga rreshteri Gëzim Tarja, i cili pas përfundimit është rikthyer në detyrën e tij, për të marrë turnin e tretë në Drejtorinë e Ndërlidhjes të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë,dhe teksa ora ka shkuar 04:30 e mëngjesit, Tarja ka vendosur t’i japë fund jetës me pistoletën e shërbimit, duke u vetëqëlluar në kokë me një plumb të vetëm.

“Amanet tre fëmijët”

Përpara se të merrte aktin ekstrem, ushtaraku Gëzim Tarja mësohet se në orët e mesnatës ka kryer një telefonatë në banesën e tij, duke arritur të kontaktojë me bashkëshorten. Nga biseda që ka zhvilluar me këtë të fundit, mendohet se ai e ka vënë në dijeni gruan e tij për aktin fatal që do të ndërmerrte dhe se nisur nga kjo situatë, Tare ka kërkuar që gruaja e tij të kujdeset më tej për rritjen dhe fatin e tre fëmijëve të tyre. “Amanet tre fëmijët”, pas këtyre fjalëve 49-vjeçari ka zgjedhur t’i japë fund jetës, duke u qëlluar me një plumb të vetëm, ndërkohë që burimet pranë policisë së Tiranës nuk janë në gjendje të shpjegojnë nëse ushtaraku ka shkruar letrën e lamtumirës ose jo, pasi menjëherë pas marrjes së njoftimit për vetëvrasjen ngjarja është hetuar nga Policia dhe Prokuroria Ushtarake. Për shkak se krimi ndodhi në ambientet e një institucioni të rëndësisë së veçantë dhe ku shumë pak njerëz kanë akses të hyjnë, rreth kësaj vetëvrasjeje u dhanë shumë pak detaje lidhur me mënyrën dhe shkaqet që sollën në ndërmarrjen e aktit ekstrem të ushtarakut të ndërlidhjes. Ndërkohë që djali i viktimës pas asaj që i tregoi e ëma, ka shkuar në Ministrinë e Mbrojtjes, për të takuar të atin, por që në fakt nuk është lejuar të hyjë brenda nga ushtarët.

Hetimet për ngjarjen

Lajmi për vetëvrasjen e rreshterit Gëzim Tarja është mësuar fillimisht nga kolegu i tij i zyrës, i cili në orët e para të mëngjesit ka shkuar për ta zëvendësuar 49-vjeçarin, por ka konstatuar se dera ishte mbyllur. Sipas rregullores së brendshme të Shtabit të Përgjithshëm, dera e Drejtorisë së Ndërlidhjes duhej të ishte e mbyllur dhe e vulosur me dyllë. Mirëpo, duke qenë se një detaj i tillë mungonte, strukturave të shtabit u është dashur që të hyjnë nga dritarja e zyrës. Nëpërmjet shkallëve, disa ushtarakë kanë mundur të hyjnë në zyrë dhe më pas konstatuan trupin e pajetë të oficerit të vrarë, shtetasit Gëzim Tarja. Lidhur me ngjarjen e rëndë, në vendngjarje kanë shkuar krerët më të lartë të mbrojtjes, si ministri Arben Imami dhe shefi i Shtabit të Ushtrisë Xhemal Gjunkshi. Me shpejtësi ka mbërritur edhe një grup hetimor i Policisë dhe Prokurorisë Ushtarake, i cili ka kryer veprimet hetimore. Në vendngjarje ka qenë edhe drejtori i Spitalit Ushtarak, si dhe ekspertë të mjekësisë ligjore, të cilët bënë transportimin në institut të trupit të pajetë të Tares, me qëllim kryerjen e ekspertizës shkencore.

 

 

Ndërlidhja

Drejtoria e Ndërlidhjes është drejtoria e gjashtë në SHP. Ajo përbëhet nga sektori i planifikimit dhe procedurave, sektori i sistemeve të transmetimit e telekomunikacioneve dhe sektori i informatizimit e mbrojtjes së informacionit. Përgjegjësia kryesore e Drejtorisë së Ndërlidhjes është planifikimi, organizimi, zhvillimi dhe modernizimi i shërbimit të ndërlidhjes dhe informacionit në mbështetje të realizimit të komandimit dhe drejtimit të Forcave të Armatosura.