Holtkemper: Jemi në krah të Shqipërisë për të plotësuar të gjitha kushtet për t’u bërë vend anëtar

0
131

Ambasadorja e Gjermanisë në Tiranë, Carola Müller-Holtkemper, deklaroi një ditë më parë se klasa politike në Shqipëri duhet të marrë shembull nga themeluesit e shtetit shqiptar për të bashkëpunuar mes tyre për interesat kombëtare duke përmbushur zbatimin e 12 prioriteteve të vëna nga BE-ja. “Unë mbetem shpresëplotë që klasa politike shqiptare do të frymëzohet nga fryma e festimeve kombëtare, për të arritur zgjidhjen e çështjeve të mbetura, për të mirën e shqiptarëve. Ju duhet të jeni krenarë për historinë, pasi siç edhe unë e kuptoj, në të shkuarën baballarët që themeluan shtetin tuaj tejkaluan problemet fetare, politike dhe shumë ndarje që ekzistonin për një qëllim të përbashkët. Kjo shpresoj të shërbejë si diçka frymëzuese për sot”, – tha ambasadorja gjermane. Sipas saj arritjet e Shqipërisë janë të dukshme dhe tashmë priten rezultate konkrete në zbatimin e legjislacionit. “Shqipëria ka bërë një progres të madh, gjë e cila është reflektuar në progres-raportin e Komisionit Evropian, por natyrisht mbetet disa çështje të cilat janë detajuar në progres-raport. Ne si gjermanë dhe disa partnerë të tjerë besojmë se progresi i arritur deri më tani në fushën e legjislacionit, tashmë duhet të kthehet në zbatim, pra në praktikë. Janë disa fusha me shumë rëndësi për ne, si zbatimi i shtetit ligjor, lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar. Mendoj se është e mundur në realizimin e progresit të duhur”, – deklaroi ambasadorja gjermane. Carola Müller-Holtkemper deklaroi se vendi i saj mbështet plotësisht proceset integruese të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. “Mund t’ju them vetëm se nga ana jonë premtimi për vendet e Ballkanit për t’ju bashkuar BE-së qëndron, siç edhe qëndroi në vitin 2000. Ne me projektet dhe vendosmërinë tonë, së bashku me partnerët tanë jemi në krah të Shqipërisë për të plotësuar të gjitha kushtet që kërkohen për t’u bërë vend anëtar. Është një proces bazuar në meritë”, – u shpreh ambasadorja gjermane, Carola Müller-Holtkemper në një intervistë për “TCH”.