Sonja Caka
Anëtarët e KLD-së përcaktojnë mënyrën e testimit, vlerësimit dhe korrigjimit, ky i fundit do të bëhet elektronikisht. Mbledhja, Tritan Hamitaj zgjidhet kreu i Komisionit të Administrimit të procesit
Këshilli i Lartë i Drejtësisë përcaktoi dje praktikën që do të ndiqet për testimin e gjyqtarëve që kanë shfaqur interes për të qenë pjesë e Gjykatës Administrative. Dje ka qenë dita e fundit e paraqitjes së kërkesës për të qenë pjesë e kësaj gjykate, ndërsa nga anëtarët e KLD-së u përcaktuan detaje për datën e testimit, mënyrën se si do të zhvillohet dhe vlerësimin përfundimtar të tyre përmes sistemit elektronik. Mbledhja e djeshme u karakterizua nga debate konstruktive lidhur me këtë proces të rëndësishëm, ndërsa nga ministri i Drejtësisë u bë me dije se në javët në vazhdim pritet të përurohet edhe Gjykata e Shkallës së Parë e Gjykatës Administrative për Tiranën. Po dje, me vendim unanim, anëtarët e KLD-së zgjodhën si kryetar të Komisionit të Administrimit të këtij procesi kolegun e tyre Tritan Hamitaj.
Mbledhja
I takoi anëtarit të KLD-së, Ilir Mustafaj, të relatonte projektvendimin për Gjykatën Administrative. Sipas tij, faza e parë ka të bëjë me përzgjedhjen e kërkesave, të cilat afatin e fundit të dorëzimit e kishin dje. Pas kësaj faze, është ajo e ngritjes së fondeve me pyetjet për konkursin, i cili nuk parashikohet si një testim shkollor, por ka të bëjë me mënyrën e trajtimit të çështjeve administrative, procesin e rregullt ligjor. Komisioni për ngritjen e fondit të pyetjeve do të përbëhet nga një anëtar i KLD-së, një nga Shkolla e Magjistraturës dhe një nga Fakulteti i Drejtësisë. Do të jenë 1 mijë pyetje në fond, nga të cilat do të përbëhet testi prej 90 pyetjesh alternative dhe një kazusi. Pas paraqitjes së elementeve të detajuare të testimit, dy ishin momentet për të cilat u dhanë mendime nga anëtarët, pasi u pa si shqetësuese prej tyre. E para kishte të bënte me datën e afërt të propozuar, pra fundi i muajit dhjetor, duke propozuar që të ishte java e parë apo e dytë e janarit si datë konkursi. E dyta kishte të bënte me mundësinë e ngeljes bosh të disa gjykatave administrative në rrethe të largëta, si Gjirokastra, Korça e Shkodra, që sipas anëtarëve të KLD-së, rrezikojnë edhe të mos kenë konkurrentë. Por, sipas Presidentit Nishani, njëkohësisht edhe kreu i KLD-së, procesi do të jetë transparent dhe nuk do të ketë asnjë mangësi që të mund të sjellë vonesa në punën e Gjykatës Administrative. “Do të merren të gjitha masat për të mos ngelur asnjë vend i paplotësuar në gjykatat administrative. KLD nuk do të lejojë asnjë situatë ku shërbimi t’i mungojë popullit”, – sqaroi për këtë moment kreu i KLD-së. Në përfundim, z. Nishani vendosi që konkursi për gjyqtarë administrativë të bëhet më datat 21-22 janar 2013, për gjyqtarë të shkallës së parë dhe të apelit. Ministri Halimi propozoi që në përfundim, vendimi të botohet në “Fletoren zyrtare”, kërkesë kjo që u pranua nga anëtarët.
Sipas Presidentit Nishani, njëkohësisht edhe kreu i KLD-së, procesi do të jetë transparent dhe nuk do të ketë asnjë mangësi që të mund të sjellë vonesa në punën e Gjykatës Administrative. “Do të merren të gjitha masat për të mos ngelur asnjë vend i paplotësuar në gjykatat administrative. KLD nuk do të lejojë asnjë situatë ku shërbimi t’i mungojë popullit”, – sqaroi për këtë moment kreu i KLD-së
Raporti
“Jam sëmurë”, KLD shtyn për më 7 dhjetor procedimin për Tabakun
Nishani: Nëse nuk paraqitet sërish në mbledhje, të dërgojë avokatin apo përfaqësuesin ligjor
Pritej vendimi i shkarkimit nga funksioni i gjyqtarit për Neritan Tabakun, gjyqtarin e Gjykatës së Durrësit, që akuzohet për lirimin e vrasësit të kryekomisarit të Shijakut. Por, sërish kishte dërguar një raport mjekësor, ku ngrinte pretendimin se vazhdonte të ishte i sëmurë dhe për këtë kërkonte shtyrjen e procedimit disiplinor. “Ka sjellë raport mjekësor ku thotë se është i sëmurë. Raporti i parë u dërgua më 5 nëntor dhe ky tjetri ka ardhur në KLD dhe është 15-ditor. Mbaron më 5 dhjetor dhe më 7 dhjetor po lëmë mbledhje të posaçme vetëm për procedimin disiplinor të këtij gjyqtari”, – deklaroi kreu i KLD-së, z. Nishani, lidhur me momentin e procedimit të këtij gjyqtari. Por, nëse dhe javën e ardhshme Tabaku nuk do të jetë i pranishëm në mbledhje, u vendos që ai duhet të paraqesë avokatin e tij ose përfaqësues për të proceduar me masën disiplinore. “Propozimi im është që, të detyruar nga procedura dhe ligji për ta pasur prezent, shtyhet dhe mbledhja e radhës do të bëhet të premten e ardhshme në orën 11:00. Mbledhja do të jetë vetëm për Tabakun dhe nëse ai nuk paraqitet sërish, atëherë të dërgojë një avokat apo përfaqësues ligjor, pasi mbledhja do të zhvillohet”, – sqaroi Presidenti Nishani. Ndërkohë, ministri Halimi ka kërkuar shkarkimin e tij, pasi ka abuzuar me detyrën. Pak ditë më parë, Tabaku është marrë në pyetje nga Prokuroria e Tiranës, ku është paraqitur me një qafore, që, sipas tij, e kishte vendosur për shkak të problemeve shëndetësore që ka pasur kohët e fundit. Fillimisht, ai është shprehur i gatshëm t’u përgjigjet pyetjeve të prokurorisë, por më pas ka kërkuar të rikthehet një ditë tjetër, i shoqëruar nga avokati i tij. Tabaku është pezulluar nga detyra, sepse dyshohet se ka vonuar qëllimisht zbardhjen e vendimit që liroi nga burgu Ilir Xhaken, i cili më 13 shtator të këtij viti ekzekutoi shefin e policisë së Shijakut, kryekomisarin Adem Tahiraj. Ilir Xhakja pati fituar lirinë përmes një vendimi të Gjykatës së Lartë, që prishi vendimet e dy shkallëve të Gjykatës së Krimeve të Rënda, që e dënonin Xhaken me 21 vjet burg për vrasjen me paramendim të Qerim Malokut, duke e kthyer çështjen për rigjykim në Gjykatën e Shkallës së Parë të Durrësit për kompetencë. Pikërisht në Gjykatën e Durrësit treshja e gjyqtarëve, e kryesuar nga Neritan Tabaku, e shpalli të pafajshëm të dënuarin e Krimeve të Rënda. Vendimi u apelua menjëherë nga organi i akuzës që kishte kërkuar 25 vjet burg për autorin, por moszbardhja e vendimit nga gjyqtari Tabaku për plot 19 muaj kalendarikë mbajti peng gjykimin në Apel të çështjes dhe i dha lirinë Xhakes.