Blendi Hasani
Tradita shqiptare kërkon nga i zoti i shtëpisë të luajë gjithnjë rolin e njeriut të pjekur, paqësor dhe që merr vendime të urta. A mund të themi që ne, shqiptarët, kemi luajtur këtë rol, sipas zakonit, edhe në rastin e “bujtjes”, që i ofruam kompanisë çeke që u tregua e gatshme të eksperimentonte në tregun e parregullt shqiptar të energjisë? Mund të bëhen analiza nga më të ndryshmet, por një gjë nuk duhet harruar. Situata e krijuar aktualisht në Shqipëri me CEZ-in duhet parë në një lidhje të ngushtë me aspektin e të ardhmes së investimeve të huaja direkte. Suksesi i kësaj kompanie nxit ardhjen e investimeve të tjera serioze, dështimi i saj rrezikon rritjen e tyre. Deklaratat e drejtuesve të CEZ Group në “Reuters” dhe “Bloomberg” kanë shumë ndikim tek investitorët privatë, ato mund të krijojnë apo konsolidojnë perceptime negative për mundësinë për biznes në vendin tonë. Dështimet e privatizimit do të ndikonin negativisht në rritjen e kostove dhe pasigurive dhe në uljen e investimeve të huaja.
Zinxhiri i borxheve të këqija, arrestimi i punonjësve të një kompanie private, ndërhyrja në stacionet e shpërndarjes së energjisë dhe deklaratat publike për djegien e tyre nëse nuk rilidhet energjia, abuzimet në mbledhjen e tatimeve e taksave, mosrimbursimi i detyrimeve të paguara tepër, janë momente që do ta rëndojnë pozicionin tonë në rast të një arbitrazhi ndërkombëtar me CEZ-in. Nëse ky privatizim dështon, CEZ mund ta penalizojë vendin tonë me një gjobë që mund të shkoje 250-500 milionë dollarë. Gjoba mund të jetë sa 50-100% e investimeve publike të një viti nga burimet e brendshme, që financohen nga taksapaguesit shqiptare.
Politika qeveritare lidhur me privatizimet ka qenë gjithnjë e qartë: Privatizimi i aseteve shtetërore, në thelb, nuk është një politikë buxhetore, por një politikë ekonomike, që synon të rrisë efikasitetin e kompanive publike apo të sektorëve të ndryshëm. Në këtë kuptim, përmirësimi i situatës në marrëdhëniet me CEZ-in, kërkon që konsumatorët publikë e privatë, kompani apo individë, duhet të paguajnë dritat bazuar në kontratat ligjore të furnizimit. Raportet midis tyre dhe CEZ-it duhet të zgjidhen ligjërisht dhe jo nëpërmjet qeverisë. Qeveria duhet të garantojë reformat apo skemat e financimit për ujësjellësit dhe institucionet e konsideruara të sigurisë kombëtare, çka edhe në këtë rast nuk nënkupton mospagesë të mallit apo shërbimit të blerë. Rimbursimi i shtresave në nevojë duhet të jetë i menjëhershëm, që ata të mos penalizohen dhe të mos rritet borxhi i keq i kompanive private.
Enti Rregullator duhet të mbikëqyrë profesionalisht respektimin e të gjitha detyrimeve të CEZ-it, si investimet e parashikuara, uljen e humbjeve, mosaplikimin e ndërprerjeve kolektive, faturimet abuzive etj. Entet duhet ta bëjnë mirë detyrën e tyre në çdo kohë, në dinamikë dhe shumë të dokumentuar, që të rriten përgjegjësitë e palëve dhe të mbrohen taksapaguesit nga deformimet e tregut dhe dështimet e kompanive private. Gjithnjë synimi kryesor duhet të jetë suksesi i një privatizimi, i cili duhet të matet te përmirësimet në tregun përkatës dhe te konsumatorët përkatës, siç janë blerësit e energjisë, të ujit, shërbimeve telefonike, shërbimeve bankare etj.
Vonesa në investime në rrjetin shpërndarës të energjisë ka ndikuar negativisht në këtë situatë të krijuar. Ndoshta Banka Botërore duhet ta rishikojë mundësinë që të mbështesë investimet për përmirësimin e rrjetit shpërndarës si një kusht i rëndësishëm për uljen e humbjeve dhe rritjen e cilësisë së furnizimit, reduktimin e kufizimeve apo eliminimin e ndërprerjeve kolektive. Në rast të kundërt, kostot e dështimit të një privatizimi të këshilluar dhe ndjekur nga afër edhe prej saj, mund të jenë shumë më të mëdha.
E mira, në këtë situatë, do të ishte që të krijohej sa më shpejt një ambient i ri besimi, që të rritet vullneti për pagimin e detyrimeve, CEZ duhet të rrisë bashkëpunimin me konsumatorët privatë dhe publikë, duke u garantuar furnizimin dhe cilësinë e energjisë, duke shmangur faturimet abuzive, duke eliminuar ndërprerjet kolektive dhe duke ristrukturuar borxhet e këqija të konsumatorëve privatë. Këto mund të krijojnë një ambient besimi dhe respekti reciprok midis kompanisë CEZ dhe konsumatorëve të saj, i cili aktualisht është i dëmtuar rëndë.
Pas situatës së krijuar dhe të rinegociuar, ERE duhet të ndjekë në mënyrë periodike dhe nga afër respektimin e të gjitha kushteve specifike të vendosura nga CEZ-i, si dhe deformimet që ka tregu i energjisë nga subvencionet indirekte të qeverisë apo nga zinxhiri i borxheve të këqija të rritura në nivele kritike edhe nga mospagesat e enteve dhe kompanive publike. Enti, CEZ dhe qeveria shqiptare duhet të rrisin bashkëpunimin në qartësimin e problematikës dhe të identifikojnë zgjidhje oportune duke synuar suksesin e privatizimit dhe jo dështimin e përshpejtuar apo të sforcuar të tij.
Ende ka kohë që gjithshka të rifillojë nga e para, mbi baza të ligjit, rregullave të ekonomisë së tregut, që duhen respektuar nga të gjithë lojtarët. Në rast se ndonjë subjekt i huaj ka qenë autor i nxitjes së prishjes së marrëdhënieve Shqipëri-CEZ, ai duhet zbuluar dhe dënuar publikisht.