Shpërndarja e mandateve, zbardhet letra e dytë për Ministrinë e Brendshme

0
136

Florenc Drizari

Letra: Ripërsërisim kërkesën tonë për informacion, si është shtuar numri i popullsisë për muajt qershor – nëntor për komunat Topojan, Shishtavec, Fierzë dhe Tropojë të Qarkut Kukës

 

Përfaqësuesit e opozitës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve i kanë dërguar një letër të dytë Ministrisë së Brendshme në të cilën kërkojnë informacione për lëvizjet demografike të popullsisë në katër komuna të Qarkut të Kukësit. Pas përgjigjes që morën për letrën e parë, tre anëtarët e propozuar nga Partia Socialiste në KQZ u shprehën të pakënaqur me përgjigjen e ministrisë së Brendshme duke mos votuar në parim projektvendimin për shpërndarjen e mandateve nga komisioni më i lartë zgjedhor. Letra vjen në një moment kur ende demokratët nuk i janë drejtuar Kolegjit Zgjedhor, për të ankimuar rrëzimin e vendimit që u mor në KQZ me katër votat e mazhorancës, ndërkohë që për kalimin e projektvendimit duheshin edhe votat e opozitës. Nga ana e tyre përfaqësuesit e djathtë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kanë deklaruar se kërkesa për informacione është e plotësuar nga Ministria e Brendshme me të dhënat që ka paraqit në KQZ dhe anëtarët e këtij komisioni nuk kanë të drejtë të vënë në dyshim besueshmërinë e institucioneve qendrore. Sipas tyre korrespondenca nga ministria ka qenë brenda afateve ligjore dhe çdo kërkesë tjetër përpiqet të pengojnë procesin e rishpërndarjen së mandateve për të cilët KQZ është e detyruar ti miratojë në mënyrë që t’i hapet rruga procesit zgjedhor në tërësi.

Letra

Anëtarët e KQZ-së, Denar Biba, Albana Shtylla dhe Jani Jani në letrën e tyre kërkojnë nga Ministria e Brendshme informacion mbi lëvizjen e popullsisë në 4 komuna të Qarkut të Kukësit, Topojan, Shishtavec, Fierzës dhe Tropojë. “Ripërsërisim kërkesën tonë për informacion, në lidhje me: Si është shtuar numri i popullsisë për muajt qershor – nëntor për komunat Topojan, Shishtavec, Fierzë dhe Tropojë të Qarkut Kukës. Kush janë këta persona, si dhe cili është dokumentacioni shoqërues që ata kanë paraqitur pranë njësive përkatëse vendore sipas përcaktimeve të VKM-së nr. 1243, datë 11.12.2009, e konkretisht: kërkesën me shkrim të tyre, dokumentacionin e pronësisë së banesës ose kontratat e qiramarrjes, fotokopje të letërnjoftimit të çdo personi madhor, dhe nga cilat njësi të pushtetit vendor janë transferuar këta shtetas” thuhet në letrën e tre anëtarëve të opozitës në KQZ. Lidhur me përgjigjen që Ministria e Brendshme i ktheu letrës së parë, anëtarët socialist shkruajnë se “kërkesa për informacion ishte absolutisht e kufizuar në vetëm 4 komunat Topojan, Shishtavec, Fierzë dhe Tropojë, të Qarkut Kukës dhe se neni 6 i ligjit nr. 9887/2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, i cituar nga kjo ministri në shkresën e parë, shpjegon gjithashtu se këto të dhëna lejohen të përpunohen për kryerjen e një detyre ligjore me interes publik, gjë që sipas tyre, ata janë të legjitimuar në ushtrimin e funksionit të detyrës për kontrollin e procesit parazgjedhor, siç është edhe ndarja e mandateve. Ndërkaq, ndarja e re e mandateve, e cila i heq një deputet Beratit dhe Korçës dhe ia shton Tiranës e Durrësit, pas ndryshimeve të popullsisë, nuk mori votat e nevojshme në KQZ duke e bërë të pamundur të procedohej me secilin qark.

Ministria e Brendshme

Kërkesës së parë të bërë nga anëtarët e opozitës në KQZ më datë 21.11.2012 për informacion dhe dokumentacion në Ministrinë e Brendshme për lëvizjet e fundit demografike në disa komuna të Qarkut të Kukësit, kjo ministri iu përgjigj duke thënë se dhënat e saj janë të dorëzuara më parë në komision zgjedhor sipas ligjeve në fuqi dhe se për informacione më të detajuara, cenohet ligji për të dhënat personale të shtetasve. “Ministria e Brendshme me qëllim garantimin e transparencës maksimale, brenda kufijve të ligjit dhe në përputhje me procedurat dhe mënyrën e organizimit të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile sipas zyrave të gjendjes civile të bashkive e komunave dhe të grupuar në qarqe. Udhëzuar me të dhënat personale që kërkoni në piken 2, të kërkesës Suaj, sqarojmë se neni 3 i ligjit nr. 10129 datë 5.11.2009, i ndryshuar “Për Gjendjen Gjendjet Civile pika 1, përcakton: “Të dhënat individuale e familjare të përbërësve të Gjendjes Civile me karakter personal. Aktet, të dhënat dhe konfirmimet shkresore për gjendjen civile i jepen vetëm personit që i përkasin këto të dhëna; anëtarit të familjes”, – thuhet në shkresën e ministrisë.