Elton Qyno
E. K. rrëmbehet në fshatin Farkë dhe keqtrajtohet në Paskuqan. Nuk i kthehu lekët e drogës dy maqedonasve të shpallur në kërkim
Një oficer i batalionit të Forcave Speciale të Ushtrisë është përfshirë në një pengmarrje në Tiranë, duke rrëmbyer një banor të fshatit Farkë dhe duke e keqtrajtuar atë deri në momentin kur në vendngjarje kanë shkuar efektivët e komisariatit nr. 1 dhe 3. Përparim Halili, pjesë e Batalionit të Forcave Speciale, që pak ditë më parë mori pjesë në paradën ushtarake, ka përdorur pistoletën e shërbimit për të marrë peng shtetasin me inicialet E. K., duke i kërkuar këtij të fundit një sasi parash, të cilat ishin dhënë nga dy persona nga Maqedonia për sigurimin e një sasie droge të llojit hashash në Shqipëri. Pjesë e kësaj pengmarrjeje, që ka ndodhur gjatë mbrëmjes së djeshme, kanë qenë edhe dy vëllezërit Emiljo dhe Ermir Muja si dhe dy shtetas maqedonas, të cilët në prani edhe të oficerit të ushtrisë kanë marrë nga fshati Farkë shtetasin E.K. dhe më pas e kanë transportuar atë me një automjet tip “Seat” në drejtim të zonës së Paskuqanit, ku pikërisht në këtë fshat e kanë rrahur dhe keqtrajtuar pengun, për shkak se ky i fundit u kishte marrë një sasi parash për t’u siguruar drogë dy shtetasve maqedonas. Këtë veprim ai duket se ka dashur ta kryejë me oficerin e ushtrisë si dhe me dy vëllezërit Muja, por që pas marrjes së parave, E. K. nuk ka kryer asnjë nga detyrat e lëna nga anëtarët e tjerë të grupit, të cilët kryenin trafikimin e drogës në drejtim të Maqedonisë. Nisur nga kjo situatë, pesë personat kanë vendosur të marrin peng shtetasin E. K., duke e rrëmbyer atë nga fshati Farkë dhe duke e transportuar në Paskuqan.
Lirimi i pengut nga policia
Shtetasi E. K. është marrë nga oficeri i Forcave Speciale në fshatin e tij në Farkë. Përparim Halili, dy vëllezërit Emiljo dhe Ermir Muja si dhe dy shtetasit maqedonas që tashmë janë shpallur në kërkim nga policia e Tiranës, kanë shkuar në fshatin Farkë, ku jeton me familjen shtetasi E. K. Ky i fundit u ka deklaruar të afërmve se disa persona po e shqetësonin dhe se nëse do të vonohej shumë, atëherë duhet të njoftonin policinë e Tiranës. Pasi ka hipur në makinën “Seat” me targa italiane dhe është larguar nën shoqërinë e pesë personave, të afërmit kanë filluar të shqetësohen, duke menduar se diçka e keqe i kishte ndodhur. Nisur nga kjo situatë, ata kanë njoftuar komisariatin nr. 1, të cilit i kanë dhënë karakteristikat e makinës. Menjëherë strukturat e këtij komisariati në bashkëpunim edhe me efektivët e komisariatit nr. 3 kanë bërë të mundur lokalizmin e automjetit, duke konstatuar se pengu mbahej në zonën e Paskuqanit në Tiranë. E. K. ishte futur në ambientet e një magazinë dhe pikërisht aty ishte keqtrajtuar me sende të forta, ndërkohë që i është bërë edhe presion me armën e ushtarakut se nëse nuk kthente sasinë e parave të marra nga dy shtetasit maqedonas, ata do ta vrisnin. Mirëpo, teksa E. K. mbahej peng, në vendngjarje është afruar policia e Tiranës, gjë e cila ka bërë që pesë pengmarrësit të largoheshin me shpejtësi. Pas shoqërimit të pengut, efektivat e policisë janë vënë në ndjekje të autorëve të këtij krimi, duke arritur të arrestojnë fillimisht dy vëllezërit Emiljo dhe Ermir Muja dhe më pas edhe ushtarakun e Forcave Speciale, Përparim Halili. Ky i fundit është prangosur në zonën e stacionit të trenit në Tiranë, teksa ishte duke ecur i vetëm në rrugë. Ndërkohë, gjatë momentit të arrestimit, speciali i ushtrisë ka nxjerrë pistoletën dhe ka kanosur me jetë efektivët e policisë që mundësuan arrestimin e tij. Kërkime janë kryer edhe për dy shtetasit maqedonas, por deri në orët vona të mbrëmjes së djeshme nuk është arritur të bëhet arrestimi i tyre. Aktualisht, dy shtetasit maqedonas janë shpallur në kërkim nga policia e kryeqytetit.
Trafiku i drogës
Pas zbardhjen së pengmarrjes policia e Tiranës tashmë ka rënë në gjurmët e një trafiku droge mes Shqipërisë dhe Maqedonisë, ku në këtë rrjet dyshohet se ka qenë dhe oficeri i Forcave Speciale të Ushtrisë, shtetasi Përparim Halili. Dyshimet paraprake flasin se pengu E. K., dy vëllezërit Muja si dhe ushtaraku Halili, kundrejt parave që merrnin nga dy maqedonasit e shpallur në kërkim, arrinin të siguronin drogën dhe ta dërgonin atë në drejtim të Maqedonisë. Lekët paguheshin për çdo dërgesë, mirëpo në këtë rast shuma e parave kishte rënë në dorë të shtetasit me inicialet E. K., i cili duket se i ka harxhuar duke mos blerë lëndën narkotike, por edhe s’ka pasur mundësi të kthehej sasinë e lekëve.
Hetimi
Lidhur me arrestimin e ushtarakut Përparim Halili, tashmë hetime janë duke u kryer edhe nga Policia Ushtarake për të mësuar nëse në këtë trafik droge janë të përfshirë anëtarë të tjerë të Batalionit të Forcave Speciale, që kryen misione paqeruajtëse në Afganistan dhe Irak.