Blendi Hasani
Enti Rregullator kishte shumë në dorë për të normalizuar situatën, por nuk e bëri
Para pak muajsh, Grupi CEZ njoftoi se kishte vendosur t’i përgjigjej pozitivisht qeverisë shqiptare duke ndërrmarrë ndryshime në pozicionet e Bordit të saj Mbikëqyrës dhe Bordit të Drejtorëve të CEZ Shpërndarje, nëpërmjet sjelljes së ekspertëve të pavarur nga SCHINDLERS, një kompani me bazë në Britaninë e Madhe dhe me përvojë të gjatë në negociatat strategjike. Kompania kërkoi që nëpërmjet këtij veprimi të ndihmojë në çtensionimin e mënyrës së deritanishme të komunikimit dhe gjithashtu të jetë e dobishme në ndërmarrjen e të gjitha hapave të nevojshëm për të zgjidhur situatën në Shqipëri.
Avokatët me përvojë u morën që të luajnë rolin e ndërmjetësve të pavarur dhe do të përpiqen për të zgjidhur çështjet në fjalë, të cilat janë më tepër të një kuadri ligjor, se sa të një natyre biznesi. Të gjithë këta ekspertë kanë marrë tashmë detyra të veçanta pas një mbledhjeje të përgjithshme të CEZ Shpërndarje.
Aktivitetet operacionale dhe struktura organizative e CEZ Shpërndarje nuk janë prekur nga ndryshimi në organet statutore dhe kompania është e angazhuar për të ofruar furnizim të pandërprerë me energji elektrike për të gjithë klientët e saj të rregullt.
CEZ njoftoi me atë rast se organet statutore të CEZ Albania (qendra e përbashkët e shërbimit dhe njësia e menaxhimit) nuk preken nga ndryshimet dhe pjesëtarët e tyre së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm për vendin janë të angazhuar për të punuar së bashku me SCHINDLERS për të stabilizuar situatën në Shqipëri.
Por, pakkush e ka vrarë mendjen të shtrojë pyetjen: pse kompania detyrohet të punësojë si administratorë avokatë jashtë saj?
Kjo ndodhi sepse gjërat filluan të mos funksiononin siç duhej. Gjërat janë acaruar kryesisht pas një ngjarjeje domethënëse: Kompania e shpërndarjes së energjisë me pakicë CEZ – në të njëjtën kohë dhe për të njëjtin problem – është vënë përballë gjobave nga dy institucione: Enti Rregullator i Energjisë dhe Tatimet. Janë disa dhjetëra miliona euro që kompania duhet t’u paguajë dy institucioneve. Çfarë ka ndodhur në të vërtetë? Burime nga kjo kompani janë shprehur se, në kontratën e nënshkruar midis palëve, si dhe për shkak të vendimeve rregullatore, CEZ duhet të blejë vetë një sasi energjie për të mbuluar humbjet në rrjet. E ndodhur në vështirësi financiare, CEZ prej kohësh ka njoftuar ERE-n për pamundësinë e blerjes së kësaj sasie energjie, të nevojshme për të mbajtur në punë sistemin.
Në këtë rast, në një marrëveshje me KESH-in dhe në dijeni të plotë të ERE-s, energjia e munguar është siguruar nga KESH, me kushtin që të kompensohet në momentin më të parë, sapo situata e CEZ-it të jetë përmirësuar. CEZ, nga ana e saj, me fushatën e ndërmarrë muajt e fundit, ka filluar të rrisë performancën e vet, duke grumbulluar burimet financiare të nevojshmë për mbijetesën e kompanisë dhe për vazhdimin e investimeve. Por, në kulmin e kësaj situate, dhe pas letërkëmbimeve të pafundme, ERE gjen si rrugë “efikase” vendosjen e një gjobe të re ndaj CEZ-it, duke rritur detyrimet që kompania duhet të paguajë tek institucionet shqiptare. ERE duket se e ka vendosur veten në rolin e një arbitri që vetëm që penalizon, por nuk ka kuptuar pjesën tjetër të funksionit: atë të rregullimit të situatës. Në fund të fundit, qëllimi është krijimi i kushteve sa më të favorshme për operatorët në treg, që të mundësojë kryerjen e veprimtarisë në mënyrë korrekte dhe në mosdëmtim të interesave të konsumatorëve. “ERE në asnjë rast nuk e ka luajtur këtë funksion, por ka lënë situatën të precipitojë dhe, vetëm në fund, për mosveprimet e deklaruara të CEZ dhe për zgjidhjen e vendosur nga të dy kompanitë – CEZ dhe KESH – ka penalizuar CEZ-in”, shtuan përfaqësuesit e kompanisë.
Në këtë situatë, janë përfshirë në gjoba dhe Tatimet, që kanë quajtur “fitim të padeklaruar” atë çfarë të gjithë palët e konsiderojnë si humbje. Sipas specialistëve të këtij sektori, “niveli i njohur i humbjeve, në asnjë lloj rrethane nuk mund të konsiderohet si energji që duhet t’iu ishte shitur blerësve hipotetikë për qëllime fiskale, duke krijuar, si pasojë, një të ardhur të pavërtetë për shoqërinë”. Ekspertët fiskalë vazhdojnë më tej kur shprehen se këto humbje përbëjnë kosto për shoqërinë. Humbja gjatë transportit të energjisë është një fenomen mjaft i njohur dhe që mund të ndodhë për arsye teknike dhe joteknike. Ky fakt është i njohur dhe i pranuar nga ligjet dhe kuadri rregullator në fuqi. Ende nuk ka asnjë dispozitë ligjore që të parashikojë se humbjet e njohura të energjisë duhet të trajtohen si të ardhura për CEZ-in. Mosndërhyrja e ERE-s për të sqaruar këtë situatë dhe për të zgjidhur këtë arsyetim absurd ka çuar në humbje financiare të konsiderueshme të CEZ-it, sepse, siç dihet, për të ankimuar një vendim, duhet të paguhet rreth 40% e vlerës së gjobës së vënë.
Një tjetër mëkat, që ERE i ngarkon vetes për shkak të mosveprimit të vet dhe që shkakton gjendje të pasigurtë financiare tek kompania përgjegjëse për furnizimin me energji të të gjithë vendit, ka të bëjë me bllokimin e aseteve të CEZ-it që shërbejnë si kolateral për kreditimin e energjisë. Prej dy vitesh, ERE ka ngrirë vendimmarrjen për vendosjen e aseteve të CEZ-it si kolateral për kreditimin e kompanisë, i nevojshëm për investimet që do të kryhen në sistem për ta përmirësuar atë, por edhe për të përmbushur detyrimet kontraktore. Vendimin për të mos pranuar propozimin e CEZ-it për vendosjen si kolateral për kreditim, ERE e ka marrë vetëm një muaj më parë, duke mbyllur mundësinë e kësaj kompanie për të pasur akses në likuiditet. Kreditimi është një shtysë e rëndësishme për të bërë biznes. Por sot gjendja është e tillë që të gjithë palët duan të marrin para nga CEZi: Tatimet, ERE, etj, ndërkohë që nuk i lejojnë kompanisë të gjejë mundësi financimi. Ky arsyetim e vendos CEZ-in në pozita shumë të pafavorshme dhe në një situatë ku të gjithë janë të interesuar që CEZ-i të mos përparojë në përmbushjen e detyrimeve të veta.
Kjo situatë u përkeqësua më tej me përplasjet për borxhin e ujësjellësve, por ndërkohë ekipi i juristëve anglezë ishte njohur me problemet dhe realitetin shqiptar.
Aktualisht, situata duket si “e ngrirë”, por ajo nuk parathotë asgjë pozitive për marrëdhëniet midis shtetit shqiptar dhe kompanisë së huaj. Largimi i CEZ-it nga tregu shqiptar do të krijonte një mori pengesash për furnizimin me energji elektrike, ose do të krijonte një borxh shtesë për shtetin shqiptar.