Blendi Hasani
Depozitat bankare në muajin tetor regjistruan një rritje të mëtejshme me 2.6 miliardë lekë. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, sistemi bankar zotëronte në fund të tetorit afro 933 miliardë lekë depozita, me një rritje vjetore 7.6%. Një vit më parë ky ndryshim ishte 14%.
Ekonomia shqiptare vazhdon të theksojë një prirje drejt kursimit, që duket qartë nga krahasimi i normave të rritjes së kredisë dhe të depozitave. Me bazë vjetore, depozitat janë rritur pothuajse dy herë më shumë se kreditë, pavarësisht se depozitat rriten mbi një bazë shumë më të lartë, çka do të thotë se në vlerë absolute diferenca është më e madhe.
Në 12 muajt e fundit, kredia është rritur 21 miliardë lekë, ndërsa depozitat me 66 miliardë lekë, çka e ka bërë sistemin bankar gjithnjë e më likuid. Raporti mes kredive dhe depozitave ka zbritur më tej në 59.2%, nga 59.9% që ishte në fund të Shtatorit. Kjo tregon se fondet e lira për kreditim janë në rritje, por, sipas Bankës së Shqipërisë, kërkesa për kreditim është e ulët, ndërsa oferta e shtrënguar për shkak të rreziqeve në rritje që vijnë nga përkeqësimi i ekonomisë.
Megjithatë, rezulton se ritmi i rritjes së depozitave është ngadalësuar ndjeshëm gjatë periudhës shtator-tetor, sipas statistikave të bëra publike nga Banka e Shqipërisë. Pas ngecjes në shtator, ku kursimet e shqiptarëve nëpër banka nuk u shtuan, ato u gjallëruan disi në tetor, por gjithsesi me ritme më të ulëta në krahasim me muajt e mëparshëm. Ndryshe nga muajt e tjerë, ku zgjerimi i depozitave vinte pothuajse tërësisht nga kursimet në valutë, në tetor përmirësimi ka ardhur nga monedha vendase, ku shqiptarët kanë shtuar në banka rreth 2.28 miliardë lekë.
Në krahasim me fundin e vitit 2011, depozitat në sistem janë rritur me rreth 6.6%. Një vit më parë, ky ndryshim ishte 10.4%, çka tregon se ngadalësimi i rritjes ekonomike po e jep ndikimin e vet dhe tek kursimet e shqiptarëve. Për 10 mujorin, ecurinë më të mirë e kanë shënuar depozitat në valutë, të cilat janë rritur me 10% në krahasim me dhjetorin 2011, në një kohë që kursimet në monedhën vendase kanë performuar më dobët, me një zgjerim për të njëjtën periudhë prej 3.3%. Në fund të tetorit, leku dhe valuta ndanin pothuajse në mënyrë të barabartë kursimet e shqiptarëve.
Tregtia
Nga ana tjetër, ajo që vlen të theksohet është se, sipas statistikave zyrtare, kriza ekonomike që ka prekur shumicën e vendeve të Bashkimit Evropian nuk i ka ulur këmbimet tregtare të Shqipërisë me këto vende. Të dhënat e Institutit të Statistikave, tregojnë se edhe gjatë këtij viti, Bashkimi Evropian mbetet partneri kryesor tregtar i Shqipërisë, me një volum total tregtie prej afro 402 miliardë lekësh, me rritje të lehtë prej 0.7% krahasuar me vitin e kaluar.
Por ajo çka është më e rëndësishme të thuhet është se struktura e tregtisë së Shqipërisë me këto vende është përmirësuar. Në rast se importet nga vendet e BE janë ulur me 4.4%, eksportet shqiptare drejt BE gjatë 10 muajve të parë të këtij viti janë rritur me afro 13%. Kjo vlen edhe për vendet anëtare të Bashkimit Evropian ku kriza ka goditur më rëndë, Italinë dhe Greqinë dhe që janë dy ndër partnerët kryesorë tregtarë të Shqipërisë. Për 10 muajt e parë të këtij viti, eksportet drejt Italisë janë rritur me rreth 5%.
Italia vazhdon të jetë partneri kryesor tregtar i Shqipërisë, si në eksporte, ashtu edhe në importe. Më të prekura nga kriza janë këmbimet tregtare me Greqinë, por jo në një masë drastike. Volumi total i tregtisë me Greqinë për këtë vit ka rënë me 8%, ndërsa volume i eksporteve me vetëm 1.2%.
Në të dhënat e tregtisë së jashtme bie në sy është rritja e ndjeshme e eksporteve drejt Spanjës. Për 10 mujorin e këtij viti, Spanja është bërë vendi i dytë partner në eksporte, me një total prej 15.5 miliardë lekësh, 2.6 herë më shumë se vitin e kaluar.