Komisioni për Sigurinë Kombëtare miratoi në parim projektbuxhetin për vitin 2013 duke bërë që ai të jetë gati për t’u votuar në seancë e radhës parlamentare. Me 10 vota pro dhe 7 kundër, komisioni miratoi buxhetin për tre institucionet që mbulon, Ministrinë e Mbrojtjes, Ministrisë e Brendshme dhe Shërbimin Informativ Shtetëror. Gjatë diskutimit me përfaqësuesit e Ministrisë së Mbrojtjes në Komisionin për Sigurinë Kombëtare u rikthyen sërish debatet për numrin e punonjësve të SHIU-t dhe shumat e përcaktuara në buxhetin e 2013. Duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve, specialistët e ministrisë së Mbrojtjes deklaruan se në organikën e strukturave të Shërbimit Informativ Shtetëror punojnë 342 punonjës. Gjithashtu specialistët e Mbrojtjes sqaruan deputetët e opozitës se për vitin e ardhshëm nuk janë parashikuar investime në organike dhe në infrastrukturë. Sipas tyre, 66 milion lekët e përcaktuara nga buxheti i shtetit do të përdoren për mallra dhe shërbime. Por përfaqësuesit e opozitës nuk u mjaftuan me këto të dhëna. Nënkryetari socialist i Komisionit për Sigurinë Kombëtare, Ilir Gjoni tha se në relacionet shpjeguese të buxhetit mungojnë të dhënat për këtë shërbim informativ, ndërsa deputetit i opozitës Gazmir Bizhga u shpreh se numri i punonjëse të SHIU-t që u deklarua nga përfaqësuesit e ministrisë është i tepërt krahasuar me totalin e punonjësve të këtij dikasteri. Përpos këtyre, zv.ministri i Mbrojtjes Arian Starova vlerësoi buxhetin e hartuar nga Ministria e Financave si pozitiv për institucionin që ai përfaqëson. Lidhur me këtë, ai citoi edhe deklaratat e një zyrtari të lartë të NATO-s, që mësohet të ketë thënë se Shqipëria është në 5 vendet e para që ka rritje të buxhetit për Forcat e Armatosura, krahasuar me vendet e tjera aleate në këtë kohë krize. Ndërkaq, gjatë paradites së të martës, Komisioni për Sigurinë Kombëtare pritet t’i rikthehet sërish debateve nen për nen për Agjencinë e Inteligjencës së Mbrojtjes, agjenci e cila zëvendëson emrin e SHIU-t, Shërbimit Informativ të Ushtrisë.