Info/kult

0
213

“Skënderbeu”, shfaqet premiera e filmit të restauruar

 

Afro 59 vjet pas realizimit të filmit “Skënderbeu”, në premierën e tij mbrëmjen e djeshme ai tingëlloi ndryshe. Një trupë prej 60 aktorësh kanë dubluar zërat origjinalë, në filmin e restauruar me parametra bashkëkohorë dhe në gjuhën letrare, nga Piro Milkani dhe Esat Musliu. Skënderbeu flet gjuhën letrare me zërin e aktorit Rikard Larja, ndërkohë që zëra të tjerë janë të aktorëve Roza Anagnosti që dublon Donikën, Tinka Kurti nënën, Robert Ndrenika etj.

Filmi “Skënderbeu” është realizuar me parametra shumë më të mirë teknikë dhe të interpretimit, por struktura është ajo e realizuar në vitin 1953 nga regjisori rus, Surgei Jutkeviç. Komiteti Shtetëror për 100-vjetorin ka lëvruar një fond për restaurimin e filmit që u shfaq në kuadër të 100-vjetorit të pavarësisë në kinema “Kristal”. Që prej ditës së sotme, filmi shfaqet për publikun në rrjetin e kinemave “Imperial”.

Muzika e kompozitorit rus, Sviridov, dhe Çesk Zadesë është ribërë stereo, në bazë edhe të partiturave që u siguruan në arkivin e Moskës. Ndërkohë që janë përmirësuar zhurmat dhe janë shtuar shumë elemente të munguara, si përplasja e shpatave apo rrëzimi i kuajve. Dublimi është bërë në studion “NGS Recording”, ndërsa për restaurim filmi u dërgua në Itali në studiot e “Augusta Color”, ku u punua për çdo kuadër.

“Skënderbeu” është një film historik mbi jetën e Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Gjergj Kastrioti bashkon princërit shqiptarë duke u martuar me Donikën dhe duke organizuar Lidhjen e Lezhës, por përballet edhe me tradhtinë e Hamzait, nipit të tij. Filmi ka skena masive të betejave historike dhe rrethimit të Krujës. Është filmi i parë artistik, frut i bashkëpunimit shqiptaro-sovjetik. Protagonisti është interpretuar nga Akaki Khorava, në role të tjera, Besa Imami, Naim Frashëri, Marie Logoreci e aktorë të tjerë rusë.

 

 

Një vit nga ndarja me plakun Godo

 

Në kuadër të 1-vjetorit të ndarjes nga jeta të shkrimtarit, politikanit dhe intelektualit të shquar Sabri Godo, mbahet sot një mbrëmje përkujtimore. Është Ministria e Kulturës që organizon në mjediset e Teatrit Kombëtar sonte në orën 18:00 takimin me miq e të afërm, personalitete të kulturës për të nderuar shkrimtarin. Sabri Godo ka ndërruar jetë më 3 dhjetor 2011 në moshën 82-vjeçare. Sabri Godo vuante nga një sëmundje e rëndë në mushkëri.

Godo është një nga figurat më të shquara të politikës shqiptare, por jo vetëm. 82-vjeçari aktualisht mbante postin e kryetarit të Asamblesë Kombëtare të Partisë Republikane të Shqipërisë, e themeluar prej tij në vitin 1991 ndërkohë që e ka udhëhequr PR-në për 7 vjet.

Si shkrimtar, ai ka pasur veprimtari të dendur në publicistikë, veçanërisht në revistën “Hosteni”, ku ka botuar mbi tri mijë faqe fejtone e shkrime kritike me pseudonime. Disa nga veprat më të rëndësishme të tij janë: “Plaku i Butkës”, “Ali Pashë Tepelena”, “Zëra nga burime të nxehta”, “Skënderbeu”, “Prova e zjarrit”, “Ujërat e qeta”, etj. Lindur më 8 gusht 1929, Delvinë, Sabri Godo ishte politikan, shkrimtar dhe skenarist shqiptar. Ka lindur në Delvinë më 8 gusht 1929. Shkollën e fillore e kreu ne Delvinë dhe më pas të mesmen e vazhdoi në Tiranë ku ketë të fundit e la në gjysmë në vitin e tretë, ku mori pjesë në luftën antifashiste nga 15 korriku i vitit 1943 deri në maj 1945, kur u kthye nga Jugosllavia. Ka pasur veprimtari të dendur në publicistikë, veçanërisht në revistën “Hosteni”, ku ka botuar mbi tri mijë faqe fejtone e shkrime kritike me pseudonime. Në janar të vitit 1991 S. Godo themeloi Partinë Republikane të Shqipërisë dhe ishte kryetar i saj për shtatë vjet. Sabri Godo ishte kryetar i Asamblesë Kombëtare të PRSH-së dhe President Nderi i saj që pas lënies së drejtimit të saj në duart e Fatmir Mediut. Ka qenë deputet i Kuvendit të Shqipërisë në dy legjislatura, ku ka ushtruar detyrën e kryetarit të Komisionit të Çështjeve Sociale dhe të atij të Politikës së Jashtme.

 

 

Udhëtarët e ‘800-ës, si e panë Shqipërinë?!

 

Vështrimi i gjeografëve dhe udhëtarëve mes viteve ‘800 dhe ‘900, nga arkiva fotografike e shoqërisë së Gjeografëve Italianë do të sjellin në Tiranë një ekspozitë me portrete e peizazhe të Shqipërisë. Në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar prej ditës së premte deri më 14 dhjetor kjo ekspozitë do të shoqërohet edhe me projeksionin e dokumentarit “Shqipëria. Vendi përballë” të Roland Sejkos. Kjo shënon një nga aktivitetet e realizuara nga Instituti Italian i Kulturës në kuadrin e festimeve për Njëqind vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Arkivat e Shoqërisë së Gjeografëve Italianë ruajnë në fakt libra, fotografi dhe karta gjeografike që i përkasin periudhës së ekspeditave të shumta shkencore të realizuara në Shqipëri nga studiuesit dhe gjeografët italianë më të rëndësishëm: Antonio Baldaçi (1867 – 1950), Roberto Almagià (1884 – 1962), Aldo Sestini (1904-1988), Bruno Castiglioni (1898-1945). Të gjithë këto dokumente të çmuara, pjesa më e madhe të panjohura, do të ekspozohen në publik për të parën herë dhe do të sjellin një imazh të menjëhershëm dhe të drejtpërdrejtë të Shqipërisë së gjysmës së parë të viteve ‘900. Ekspozita, që do të qëndrojë e hapur deri më 14 dhjetor, organizohet nga Shoqëria e Gjeografëve Italianë dhe nga Instituti i Kulturës, në bashkëpunim me Muzeun Historik në Tiranë, nën kujdesin e Ambasadës Italiane në Tiranë dhe të Ministrisë së Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve dhe me mbështetjen e Ansaldo Energia.

Në përurim do të referojnë ambasadori i Italisë, Sh.T. Massimo Gaiani, president i Shoqërisë së Gjeografëve Italianë, Profesor Franco Salvatori, dhe kuratorja, dr. Nadia Fusco.

Do të jetë i pranishëm, gjithashtu, regjisori Roland Sejko, që do të prezantojë, në orën 19, dokumentarin “Shqipëria. Vendi përballë”, realizuar nga ai dhe Mauro Brescia në 2009 për të përshkuar, nëpërmjet imazheve të panjohura të arkivave të Institutit Luce dhe të Arkivave të Filmit Shqiptar, historinë e Shqipërisë së viteve ‘900 e lidhur dyfish me ngjarjet italiane.

Ekspozita, që do të jetë e hapur deri më 14 dhjetor, dhe dokumentari do të prezantohen më tej në Shkodër, Vlorë dhe në qytete të tjera të vendi