Prej dy ditësh në Tiranë ka nisur vendosja e dekorit të festave të fundvitit. Në rrugë dhe bulevardet kryesore ka filluar veshja e rrugëve dhe pemëve me elementet dekorative të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri. Pas përmbylljes së festave të nëntorit, kur bulevardi “Dëshmorët e Kombit” dhe sheshet kryesore të Tiranës u hijeshuan nën ngjyrat kuqezi, ditët e para të dhjetorit po na ftojnë të gjithëve në festat e bukura të Krishtlindjes dhe Vitit të Ri. Në vetëm pak ditë të fillimdhjetorit, atmosfera festive ka nisur të ndihet. Bashkë me dekorin, vendosjen e dritave dhe elementëve dekorativë, edhe subjektet private kanë nisur të zbukurojnë ambientet e tyre. Ndërkohë që vitin e kaluar Tirana stolis me pemën e Vitit të Ri, me një gjatësi prej 14 metrash, e cila u vendos në qendër të sheshit para Pallatit të Operës dhe Baletit, kjo pemë do të jetë pjesë edhe në dekorin e sivjetshëm. Po kështu, edhe këtë vit, sikurse vitin e kaluar, do të vazhdojë të jetë në funksion rruga pedonale në “Murat Toptani”, e cila do të stoliset nga 40 shtëpi karakteristike dimri. Konkretisht, këto ndërtesa të konceptuara si shtëpi dimri për Vitin e Ri do të funksionojnë për një muaj si një treg i hapur, ku do të tregtohen ushqime, pije, dekorime Krishtlindjesh, produkte të tjera tradicionale.