Ekonomi dhe futboll Mançester Siti dhe Betis Sevilja, dy “të kundërtat” që i bashkon futbolli

0
171

Në fushën e blertë zbresin pak nga të gjitha. Ka skuadra super të pasuara, por ka edhe nga ato që mezi likuidojnë të punësuarit e tyre. I pari është rasti i Mançester Sitit, ndërkohë i dyti është rasti i Betisit të Seviljes.

 

Siti… kur milionat nuk bëjnë punë

Mançester Siti është në shënjestrën e medias angleze pas dështimit total në Champions. Të gjithë në kor kanë shfryrë vrer ndaj Mançinit dhe futbollistëve të tij, të cilët jo vetëm që nuk janë kualifikuar, por në 6 takime kanë grumbulluar vetëm 3 pikë, dhe kjo shifër nuk korrespondon me një fitore, por me tri barazime. Ndaj, nisur nga kjo statistikë, Siti ka njollosur historinë e klubeve angleze në Champions, sepse kurrë më parë nuk kishte ndodhur që një skuadër e ishullit ta mbyllte fazën e grupeve pa fituar minimalisht një ndeshje, e cila i kushton xhepave të sheikut Mansur një mal me para. Dihet që sheikët nuk është se mendohen shumë para se të nxjerrin paratë nga xhepi, sepse të tilla kanë me thasë dhe mbase në këtë periudhë krize janë të vetmit që mund të shpenzojnë. Por edhe një miliarder, kur e sheh që në tri vitet e fundit ka shpenzuar 1 miliard dollarë dhe në dy edicione të Ligës së Kampioneve nuk arrin të kalojë as fazën e grupeve, atëherë kjo shifër fillon seriozisht të peshojë dhe shumë shpejt dikush duhet të paguajë për të. Nëse mendojmë se Mançester Siti, një skuadër me yje milionerë si David Silva, Jaja Ture, Karlos Tevez, Mario Baloteli, Edin Dzeko e shumë emra të tjerë, që përfitojnë nga 5-12 milionë euro në sezon secili, atëherë fatura e dy edicioneve të fundit në Champions i ka kaluar 700 milionë eurot, e thënë ndryshe, afro 1 miliard dollarë. Por, tragjik është fakti që edhe pse i jepet lamtumira Ligës së Kampioneve, kampionët e Anglisë nuk luftojnë as për të vazhduar aventurën evropiane në Ligën e Evropës, një kompeticion që me talentet e Mançinit mund të jetë një objektiv më se i arritshëm dhe për më shumë, forcat për ta fituar nuk mungojnë. Siç duket, paratë nuk blejnë stimujt, por kjo nuk do të thotë se diçka e tillë do të tolerohet ende në sezonin e ardhshëm.

 

Betis… ku paratë nuk janë gjithçka

Një qytet i dashuruar, një trajner shkrimtar, një skuadër e mirë moshash, një klub pa asnjë euro, një sezon përtej çdo parashikimi. Betisi tani është i katërti, vetëm 4 pikë nga Reali i Madridit. Vitin e kaluar në këtë fazë të kampionatit kishte 12 pikë më pak dhe ishte një pikë larg rënies nga kategoria, sepse pas 4 fitoresh radhazi, skuadra e Pepe Mel kishte regjistruar një seri prej 10 humbjes dhe një barazimi. Migel Guilen, presidenti që po merr me menaxhimin e situatës pas largimit të Loperas, i cili vazhdon të jetë pronar i klubit, por nuk e menaxhon më, është shumë mik me Mel dhe ky fakt ka shmangur shkarkime të nxituara. Ka pasur të drejtë: Mel ka kthyer ekipin në drejtimin e duhur dhe pasi ka siguruar mbijetesën sezonin e kaluar tani ka ardhur momenti i shpërthimit. Pepe Mel konsiderohet si “Fergusoni” i Betisit: madrilen, i dalë nga të ekipet e moshave të Realit, nuk ka pasur fat dhe ka jetuar rreth e përqark Spanjës. Me 4 vite të suksesshme te Betis: mbulonte rolin e sulmuesit dhe në sezonin 1989-1990 në kategorinë inferiore ka realizuar një lumë golash (23). I dashur si lojtar, tani adhurohet në rolin e trajnerit. Një profesion që qëndron në krah të pasionit për të shkruar: vitin e kaluar ka publikuar romanin e tij të parë, “El mentiroso”, gënjeshtari. Mel ka lexuar gjithmonë, dhe dëshiron që të njëjtën gjë ta bëjnë edhe lojtarët e tij. Si Vadilo, talenti i fundit i dalë nga moshat, nga i cili tekniku pretendon përmirësim dhe leximin e librave të shkollës. “Lojtarët duhet të kuptojnë se futbolli nuk është gjithçka”, ka thënë Mel. Që provon të luajë një futboll të bukur dhe po shfrytëzon me sukses lojtarët e rinj: janë 13 lojtarët e moshave që kanë debutuar me të në më pak se 3 vite, disa prej tyre titullarë dhe gati të shpërthejnë. Mbi të gjithë Benat, bask i kërkuar nga Atletik Bilbao, më pas vjen Kanas, portieri Adrian, Vadilo dhe Pozuelo. Heroi tjetër i momentit quhet Ruben Kastro, i lindur në Ishujt Kanarie dhe që ka shpërthyer te Betisi: me 8 gola të shënuar, bashkë me Aduriz, është golashënuesi më i mirë spanjoll i Primera Divizion. Betisit i ka kushtuar 1,6 milionë euro, që Deportivo nuk i ka marrë akoma: skuadra e Seviljes, afër falimentimit, nuk ka më asnjë euro për shkak të borxheve. Dhe për këtë arsye në verë janë marrë vetëm lojtarë në huazim ose me kosto zero: i riu Kampbell i Arsenalit, nigeriani Nosa, portugezi Agra, polaku Perkuis, braziliani Paulao më interesantët. Më pas, për pjesën tjetër ka menduar Mel.