Integrimi, eurodeputetja Gonc: Miratoni tri ligjet

0
189

“Shpresoj që Shqipëria do të jetë vendi i ardhshëm që do të marrë statusin e kandidatit dhe të hidhet kështu një hap tjetër i rëndësishëm për rajonin”

Eurodeputetja Kinga Gonc u shpreh dje se vendi duhet të miratojë tri ligjet e integrimit evropian të vendit, në mënyrë që statusi i kandidatit të jetë më i sigurt për të në votimin e javës së ardhshme. Duke u ndalur tek anët pozitive të politikës shqiptare, ajo vuri në dukje se janë bërë hapa përpara në dialogun konstruktiv midis mazhorancës dhe opozitës, por ky dialog duhet të konkretizohet duhet votuar dhe miratuar tre ligjet që ndodhen në Parlament dhe që njëkohësisht janë edhe rekomandimet që Komisioni Evropian ka miratuar. “Mendoj vërtet që ka pasur një kthesë të dukshme këtë vit dhe dialog konstruktiv midis mazhorancës dhe opozitës. Ka diçka që ne e besojmë fort në Evropë. Nëse ka dialog të gjithë problemet mund të zgjidhen. Kjo është ajo që po shohim në Shqipëri; Sigurisht që jam në dijeni që mbeten disa çështje. Duhen të trajtohen probleme si lufta kundër korrupsionit apo krimit të organizuar. Por shpresoj që Shqipëria do të jetë vendi i ardhshëm që do marrë statusin e kandidatit dhe të hidhet kështu një hap tjetër i rëndësishëm për rajonin”, – tha eurodeputetja Gonc. Ajo siguroi se mbështetja e Komisionit Evropian dhe e Parlamentit për Shqipërinë ka qenë e pakufizuar dhe ata janë të gatshëm që të ndihmojnë në çdo moment organet në vend. Sa i përket mbështetjes që disa vende kanë për Shqipërinë dhe të tjerë jo, zonja Gonc deklaroi se kjo varet edhe nga afërsia dhe interesat që ka secili shtet në lidhje me vendin tonë. Në lidhje me këtë çështje ajo shpreh: “Kur një vend kërkon të avancojë në integrimin e tij evropian për anëtarësimin në BE duhen bindur të 27 shtetet anëtare. Ka shtete që janë mbështetëse të forta, ka të tjera që janë më pak mbështetëse, pasi ato e njohin më pak rajonin e Ballkanit dhe janë më pak të angazhuar për të. Ndaj është shumë e rëndësishme që të tregojmë, që Shqipëria po ecën përpara dhe po bën të gjitha përpjekjet e nevojshme për integrimin evropian. Dhe është shumë e rëndësishme që të kesh mbështetjen e të gjitha shteteve anëtare përveç Parlamentit Evropian, që është shumë mbështetës për Shqipërinë”. Ajo nënvizoi se hapi i radhës është që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat për tu plotësuar i gjithë rajoni, pasi Kroacia është në prag të anëtarësimit, ndërsa Mali i Zi hapi negociatat. Seanca e radhës e Parlamentit Evropian do të zhvillohet javën e ardhshme, ku do të vendoset nëse Shqipëria do të marrë apo jo statusin e vendit kandidat, pasi Komisioni Evropian e rekomandoi atë.