Policia e Kakavijës ka ndaluar dy shoferët e një autobusi të linjës Tiranë – Greqi, pasi dyshohen për trafik të lëndëve narkotike. Gjatë kontrollit në PKK, në brendësi të dy parafangove të autobusit janë zbuluar 25 pako marijuanë, me peshë totale 50 kg. Autobusi me targë AA 115 AI ishte nisur drejt Athinës, ndërsa dy shoferët e tij, Arben Çotaj, 40 vjeç, nga Durrësi dhe Gentian Seferi, 32 vjeç, nga Lushnja, janë ndaluar pasi dyshohet se janë poseduesit e drogës. Lënda narkotike është fshehur më së miri nga trafikantët e drogës, por që sasia e drogës është pikasur nga qeni nuhatës, i pikës së kalimit kufitar. Kjo ka bërë që kontrollorët të ushtronin më tepër kontroll, duke hapur plotësisht parafangon e autobusit, prej nga kanë zbuluar sasinë e drogës prej rreth 50 kg lëndë narkotike. Lidhur me këtë rast menjëherë është bërë arrestimi i dy shoferëve të autobusit, të cilët janë marrë në pyetje, por që në fakt nuk kanë pranuar të tregojnë origjinën e lëndës narkotike. Gjatë marrjes në pyetje ata kanë treguar se nuk kanë pasur dijeni për lëndën narkotike, pasi nuk merreshin me anën teknike të autobusit. Ata kanë deklaruar se ndonjë person, mund ta ketë strehuar drogën në parafangot e autobusit, por nuk kanë qenë në gjendje të tregojnë emrat e personave që kanë mundësuar futjen e drogës. Aktualisht, sasia e drogës është dërguar në laborator për ekspertim, ndërkohë që materialet hetimore ndaj dy të arrestuarve iu referuan Prokurorisë së Krimeve të Rënda për akuzën e “Trafikimit të narkotikëve” mbetur në tentativë.