Mediat gossip në Itali njoftojnë se ish-e dashura e futbollistit të Manchester City, lindi vajzë në qytetin e Napolit ditën e enjte më 6 dhjetor, të cilën e quajti Pia. Të cituara nga mediat italiane, burime pranë vajzës së spektakleve thonë se çdo gjë shkoi me sukses, dhe si vajza ashtu edhe nëna e saj gëzojnë shëndet të plotë. Lindja u krye në një klinikë të Napolit, qyteti i lindjes dhe vendbanimi aktual i Rafaella-s dhe Balotelli nuk ishte prezent për shkak të angazhimit të tij në kampionatin anglez me Manchester City. Por kush e di, ndoshta 6 dhjetori do të jetë tatuazhi i radhës për Balotellin që bëhet baba për herë të parë. Futbollisti dhe bukuroshja napoletane qëndruan për disa muaj bashkë. Ndarja mbërriti në muajt e verës dhe që prej asaj kohe, Fico ka braktisur Anglinë dhe jeton në Itali. Thirrja e fundit e saj drejtuar Balotellit ishte për lidhje kurore, në të mirë të vajzës që solli në jetë. Megjithatë, në deklarata të mëhershme, Super-Mario është shprehur i dyzuar për atësinë e fëmijës dhe ka kërkuar analizat për të vërtetuar këtë fakt, kërkesë kjo që është pranuar nga Fico.