Merkato Janari, “vendimtar” në Superiore

0
189

Altin Vorpsi

Merkatoja e janarit, që konsiderohet nga drejtuesit bardheblu një mundësi e mirë për afrimin e elementëve cilësorë për arritjen e objektivave të mbetur në pjesën e dytë të sezonit, mund të kthehet në bumerang. Problemet e shumta që kanë shoqëruar skuadrën gjatë kësaj pjese të parë të kampionatit, kanë “mërzitur” Gilman Likën dhe Erion Dushkun.

 Muaji janar mund të ndryshojë “letrat” në tavolinën e Superiores. Ekipet e kreut, që janë edhe pretendente për titull, mund të humbin disa prej lojtarëve të tyre më të mirë. Dy ditë më parë, Skënderbeu mësoi nëpërmjet internetit se mesfushori i vet më i mirë, Nuredin Orelesi, do të vazhdojë karrierën në Ukrainë. Ndërkohë, edhe tek Tirana gjendja nuk është më e mirë. Dy prej futbollistëve kyç të këtij ekipi nuk e kanë të sigurt nëse do të qëndrojnë apo jo bardheblu.

 

Tek Tirana

Merkatoja e janarit, që konsiderohet nga drejtuesit bardheblu një mundësi e mirë për afrimin e elementëve cilësorë për arritjen e objektivave të mbetura në pjesën e dytë të sezonit, mund të kthehet në bumerang. Problemet e shumta që kanë shoqëruar skuadrën gjatë kësaj pjese të parë të kampionatit, kanë “mërzitur” Gilman Likën dhe Erion Dushkun. Të parit, kontrata e të cilit i skadon më 9 janar, i kanë ardhur disa oferta konkrete nga kampionatet e huaja, ndërkohë që edhe në drejtim të Dushkut kanë mbërritur jo pak oferta. Mbrojtësi 27-vjeçar, që është një nga pikat më të forta të Tiranës, pranon se do ta marrë në konsideratë mundësinë e largimit vetëm nëse nuk do të ketë përmirësim të situatës. Ndërsa Gilman Lika, i cili po shqyrton disa oferta të klubeve të huaja, pranoi se në Kampionatin Shqiptar, Tirana mbetet ekipi i parë për të vijuar karrierën, pavarësisht problemeve financiare, të cilat beson se do të zgjidhen.

 

Tek Skënderbeu

Mesfushori i Skënderbeut, Nuredin Orelesi, ka zbuluar për mediat nigeriane se me shumë mundësi do të luajë në kampionatin ukrainas. Sipas tij, shanset janë të larta që ai të transferohet që në merkaton e janarit. Në një bisedë për portalin “mtnfootball.com”, lojtari ka rrëfyer edhe eksperiencën e tij në Shqipëri. Ai ka theksuar se është momenti për të provuar një tjetër eksperiencë në një kampionat më të fortë në Evropë. Gjithashtu, 23-vjeçari Orelesi flet edhe për ëndrrën e tij të parealizuar, që është grumbullimi me kombëtaren e Nigerisë.

 

 

Kategoria e Parë

Pa rroga, pa “aksioner”, vigjilja e Partizani – Lushnja është shumë e trazuar

Sfida kryesore e Kategorisë së Parë, ajo mes Partizanit dhe Lushnjës, vjen pas një sërë zhvillimesh mjaft të rëndësishme tek “të kuqtë”. Në fillim ishte përjashtimi i disa prej futbollistëve që braktisën stërvitjen në formë proteste, pasi nuk kishin marrë rrogat. Më pas ndodhi një tjetër ngjarje. Dje u arrestua edhe njëri prej aksionerëve të këtij ekipi. Flasim për Paro Laçin, që u ndalua nga forcat speciale pranë “21 Dhjetorit”, me akuzën e trafikut ndërkombëtar të drogës. Në fakt, arrestimi i aksionerit të Partizanit u bë për llogari të drejtësisë italiane, pasi Laçi është dënuar në mungesë nga një gjykatë e Milanos në vitin 2011 me 10 vite burg me akuzën e trafikut ndërkombëtar të drogës. Ky personazh, i përfshirë në botën e futbollit tre vjet më parë, është i njohur edhe për drejtësinë shqiptare, pasi po në vitin 2011 u arrestua nga policia shqiptare dhe qëndroi për disa muaj në burg me akuzën e marrjes së ryshfetit. Sa i përket sfidës me shumë mundësi do të luhet me drita. Ka qenë pikërisht zëdhënësi për shtyp i të kuqve, që ka konfirmuar faktin se ndeshja do të zhvillohet në orën 17:00: “Kemi negociuar me drejtuesit e stadiumit dhe kemi rënë dakord, që takimi të zhvillohet me drita në orën 17:00. Janë bërë të gjitha pagesat dhe gjithçka është vendosur zyrtarisht”, – ka thënë Ranxhi. Ndërkohë, klubi i kuq nuk ka dalë me asnjë deklaratë zyrtare në lidhje me arrestimin e aksionarit Paro Laçi. Por, nuk përjashtohet mundësia që një gjë e tillë të bëhet në ditët në vijim. Sa u përket pagave, dita e djeshme pritej të ishte një ditë rrogash, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Presidenti i skuadrës, Lulëzim Sallaku, pati deklaruar se shlyerja do të bëhej pikërisht një ditë përpara takimit me Lushnjën, por edhe ky afat është shtyrë. Ndërkohë, që lojtarët, duke parë se nuk kanë marrë rrogat ashtu siç i ishte premtuar kanë dashur që ditën e djeshme të bojkotojnë stërvitjen në grup, në prag të takimit me Lushnjën. Por, gjatë bisedimeve, që ata kanë pasur me njëri-tjetrin, por edhe me trajnerin Nikolin Çoçlli kanë vendosur të zhvillojnë stërvitje dhe më par të diskutojnë edhe çështjen e rrogave. Kjo mbledhje u mbajt në ambientet e kompleksit stërvitor në Kamëz rreth orës 17:00. Në këtë takim, që zgjati rreth 60 minuta, lojtarët kanë shprehur pakënaqësinë e tyre në lidhje me pagat e prapambetura, të cilat shkojnë në tre të tilla dhe kanë kërkuar shlyerjen sa më shpejt të tyre. Ndërkohë nga ana e presidentit Sallaku është premtuar se gjithçka do të mbyllet pikërisht sot, përpara takimit. Para ndeshjes me Lushnjën, lojtarët e kuq do të drekojnë së bashku dhe më pas do të nisen drejt stadiumit “Qemal Stafa”, ku do të luhet edhe takimi.