Blendi Hasani
AL-Tax publikon statistikat për të zgjeruar debatin e politikave publike në raport me transparencën
Cilat janë organet e pushtetit lokal, që kërkojnë më shumë taksa në vend? Si qëndron raporti i taksave me të ardhurat në 10 shtete të Ballkanit? Pyetjeve të tilla u është përgjigjur me një analizë të thellë të shumë fenomeneve fiskale AL-Tax, një qendër studimore fiskale që punon që të rritë mirëkuptimin e qeverisë dhe publikut për çështje të lidhura me ndershmërinë e sistemit ekonomik, fiskal dhe social në Shqipëri, si dhe kryerjes së shërbimeve publike vendore dhe qendrore të duhura dhe të qëndrueshme.
AL-Tax kërkon të zgjerojë parametrat e debatit të politikave publike për të lejuar mundësinë e ndryshimit të parimeve tradicionale të qeverisjes ne raport me transparencën. Në realizimin e objektivave të saj, AL-Tax kërkon të tërheqë sa më tepër publik të interesuar të përfshihet në këto diskutime dhe të jetë pjesë e ndryshimeve të debateve të politikave të qeverisjes për publikun dhe me publikun.
Shifrat fiskale
Raporti i tatimeve, i detyrimeve doganore, i taksave nacionale, i taksave lokale dhe i tarifave lokale, si dhe i kontributeve shoqërore në vendin tonë është sa 23.1% e PBB-së. Vetëm detyrimet tatimore qendrore dhe doganore përbëjnë një barrë fiskale në vend sa 17.9% e PBB-së. Barra tatimore nga administrimi tatimor vendor (administratat lokale) është sa 0.9% e PBB-së. Ndërsa kontributet shoqërore përbëjnë një barrë fiskale sa 4.3% e PBB-së. Raporti i barrës tatimore të pushtetit qendror (17.9%) ndaj totalit të barrës tatimore (23.1%) është 77%. Raporti i barrës tatimore të pushtetit vendor (0.9%) ndaj totalit të barrës tatimore (23.1%) është 4%. Ndërsa, raporti i kontributeve shoqërore (4.3%) ndaj të totalit të barrës tatimore (23.1%) është 19%.
Nga llogaritja e shpërndarjes së barrës tatimore sipas strukturës së tyre (tatime indirekte dhe tatime direkte), ka një proporcion shpërndarje në raportin 55% barrë tatimore nga tatimet indirekte me 45% barrë tatimore nga tatimet direkte. Nëpërmjet këtij raporti, shikohet se barra kryesore në Shqipëri është drejt zhvendosjes së barrës mbi konsumin te të ardhurat personale. Në këtë mënyrë, barra tatimore ka një shpërndarje që prek masivisht gjithë popullsinë, nëpërmjet çmimeve të mallrave dhe shërbimeve që konsumojnë përditë, por edhe duke tentuar të shpërndahet mbi tatimet nga kapitalet dhe kursimet e individëve dhe shoqërive tregtare.
Nga llogaritja e shpërndarjes së barrës tatimore sipas muajve të vitit 2011 ka një proporcion të barabartë shpërndarjeje. Çdo muaj barra tatimore është në nivelin e 8% të totalit të barrës tatimore. Më e ulët është në muajin Shkurt me peshë sa 7% e totalit të barrës tatimore vjetore. Më e lartë është në muajin Dhjetor me peshë sa 10% e totalit të barrës tatimore vjetore.
Barra tatimore e pushtetit vendor është më e ulët në muajin Qershor me peshë sa 4% e totalit të barrës tatimore vendore. Më e lartë është në muajin Prill me peshë sa 18% e totalit të barrës tatimore vjetore.
Bashkia me barrën tatimore më të ulët
Nga raporti midis tatimeve dhe taksave të paguara në vitin 2011 me numrin e banorëve rezidentë sipas regjistrit të popullsisë, barra tatimore më e ulët është në Bashkinë e Krumës. Kjo bashki ka një barrë tatimore prej 17.400 lekë për banor e pasuar nga Bashkia e Koplikut me 18.200 lekë për banor. Të 10 bashkitë me barrën tatimore më të ulët janë me përhapje në veri, verilindje, juglindje, perëndim.
Bashkia me barrën tatimore më të lartë
Nga raporti midis tatimeve dhe taksave të paguara në vitin 2011 me numrin e banorëve rezidentë sipas regjistrit të popullsisë, barra tatimore më e lartë është në Bashkinë e Tiranës. Kjo bashki ka një barrë tatimore prej 64.500 lekë për banor e pasuar nga Bashkia e Durrësit me 62.800 lekë për banor. Të 10 bashkitë me barrën tatimore më të lartë janë me përhapje në veri, verilindje, juglindje, perëndim, kryesisht në Bashkitë më të mëdha në vend si: Tirana, Durrësi, Vlora, Korça, Shkodra, Gjirokastra.
Taksat dhe rajoni
Krahasimi i shkallëve tatimore midis shteteve edhe pse është një tregues që tregon barrën sipas përqindjeve që aplikohen për tatime të ndryshme është i vështirë dhe mbart subjektivizëm në analizën që bëhet. Arsyeja është te legjislacioni tatimor që ndryshon sipas shteteve, por edhe politikat sipas grupeve të popullsisë dhe industrive të ekonomisë kanë specifika në politikat fiskale.
Në 10 shtete të Ballkanit, lidhur me tre tatimet kryesore të sistemeve tatimore të shteteve, Kosova ka shkallët më të ulëta tatimore. Rumania ka shkallët më të larta. Shqipëria ndodhet në këtë renditje në vend të katërt. Nga kryqëzimi i barrës tatimore ndaj PBB me shkallët tatimore që zbatohen në shtetet e Ballkanit nuk ka përkueshmëri midis tyre. Kjo mospërputhje e të njëjtit shtet e renditjes që mban sipas barrës tatimore me shkallët tatimore është rezultat i përjashtimeve tatimore, politikës së taksimit, si dhe barazisë në shpërndarjen e barrës që kanë sistemet tatimore.
Shqipëria dhe Kosova rezultojnë me peshën më të ulët ndaj PBB-së, të dyja 23.1 për qind. Vendet e ndryshme të zhvilluara kanë peshë shumë të lartë në këtë drejtim, duke filluar nga Franca me afro 45 për qind.
Bashkitë me barrën tatimore më të lartë, 2011
(lekë)
1 Tirana 64.500
2 Durrësi 62.800
3 Vlora 52.000
4 Gjirokastra 46.500
5 Saranda 43.900
6 Bajram Curri 40.900
7 Korça 38.900
8 Shkodra 38.500
9 Kukësi 37.000
10 Tepelena 36.900
Bashkitë me barrën tatimore më të ulët, 2011
(lekë)
1 Kruma 17.400
2 Kopliku 18.200
3 Librazhdi 19.200
4 Lushnja 19.700
5 Kuçova 20.200
6 Ballshi 21.100
7 Peqini 23.400
8 Laçi 24.600
9 Puka 25.100
10 Bilishti 26.200