Dojeni njëri-tjetrin

0
208

Lev Tolstoi

“Para se t’ju them lamtumirë (e në moshën time çdo takim është një lamtumirë) dua t’ju them shkurt se si, sipas meje, njerëzit duhet ta organizojnë ekzistencën e tyre, kur kjo shfaqet për ta e varfër dhe e pakënaqshme, siç është sot për shumicën, e të bëhet siç duhet të jetë, si Zoti e dëshiron e të gjithë ne e dëshirojmë, pra të mirë e të kënaqshme.

Gjithçka varet nga se si gjithsecili e koncepton ekzistencën e tij. Në qoftë se dikush mendon: e gjithë jeta është në trupin tim, pra në trupin e Ivanit, Pietros, Marias e qëllimi i jetës konsiston në sigurimin e sa më shumë kënaqësive e argëtimeve, pra të Ivanit, Pietros, Marias, atëherë jeta do të jetë gjithmonë për gjithë këta e palumtur dhe e hidhur.

Do të jetë e palumtur dhe e hidhur pasi gjithçka që ata duan për vete e duan të gjithë të tjerët po për vete. Në qoftë se dikush dëshiron çdo të mirë materiale për vete e në sasinë sa më të madhe të mundur e meqenëse këto të mira janë të limituara, nuk do jenë kurrë të mjaftueshme për të gjithë. Prandaj kur njerëzit jetojnë, duke menduar çdokush për vete, nuk bëjnë dot pa ja marrë këto të mira dikujt tjetër, duke luftuar për të qenë armiq midis tyre. Për këtë jeta u bëhet e palumtur. Jeta na është dhënë për të qenë për ne një e mirë e ne këtë presim nga ajo. Pikërisht pse është kështu duhet të kuptojmë se jeta e vërtetë nuk është në trup, nuk ka të bëjë me kënaqësitë e trupit e as të bëjë atë çka trupi i kërkon, por në bërjen e asaj çka kërkon shpirti i vetëm që jeton tek të gjithë ne.

Ky shpirt kërkon vetëm të mirën e tij, pra të mirën e shpirtit e që është i njëjtë tek të gjithë pra dëshiron të mirën e të gjithë njerëzve. Të dëshirosh të mirën e të tjerëve do të thotë t’i duash. E asgjë nuk na ndalon të dashurojmë e sa më shumë të duam më shumë jeta bëhet e lirë dhe e lumtur.

Si rrjedhim njerëzit, për atë që bëjnë nuk janë kurrë në gjendje të kënaqin dëshirat e tyre materiale, pasi çka i shërben trupit jo gjithmonë është e mundur të sigurohet e për t’i siguruar duhet të luftosh kundër të tjerëve; në të kundërt shpirti që ka nevojë vetëm për dashuri, mund të kënaqet lehtësisht; për të dashuruar nuk duhet të luftojmë kundër askujt, përkundrazi sa më shumë dashurojmë aq më shumë shkojmë dakord me njëri tjetrin.

Asgjë nuk mund ta pengojë dashurinë e sa më shumë dikush dashuron aq më shumë është i gëzuar e i lumtur, e jo vetëm, bën të lumtur e të gëzuar dhe të tjerët. Ja të dashur vëllezër kjo ishte ajo çka doja t’ju thosha para se ta lë këtë tokë.

Në ditët e sotme dëgjohet të thuhet nga çdo anë se jeta jonë është e hidhur e pa lumtur e pa organizuar mirë, duhet të transformojmë strukturat sociale e jeta jonë do të bëhet e lumtur. Mos i besoni aspak kësaj të dashur vëllezër!

Mos besoni se kjo apo ajo strukturë sociale do përmirësoj jetën tuaj. Ndërkaq të gjithë ata persona që po impenjohen për të organizuar shoqërinë nuk shkojnë dakord mes tyre. Disa propozojnë një projekt si më të mirin, të tjerë afirmojnë se ai është më i keqi e se projekti i tyre adoptohet më mirë, persona të tjerë e hedhin poshtë këtë e propozojnë një projekt të tretë si më të mirin.

Por dhe sikur të pranojmë se gjendet organizimi social ideal, si mund të bëjmë të pranohet nga të gjithë, si mund të realizohet kur njerëzit janë plot me vese?

Për të pasur një jetë më të mirë, duhet të bëhen individët më të mirë.

*1907 (shkruar tre vjet para vdekjes)