Sonja Caka
Reforma, drejt një burgu të sigurisë së zakonshme, me financim dhe monitorim jopublik. Të dënuarit punojnë, por edhe paguhen për punën e bërë
Ministri i Drejtësisë lançoi dje në Ditën Ndërkombëtare të Lirive dhe të Drejtave të Njeriut se në janar të vitit 2013 do të këtë një reformë të re në sistemin e vuajtjes së dënimi. Sipas tij, reforma në burgjet shqiptare do të bëhet sipas modeleve të SHBA-së. Ministri deklaroi se “përpjekjet tona për përmirësimin e trajtimit të të dënuarve dhe integrimin e tyre ne jetën publike, në janar drejt një dimensioni të jashtëzakonshëm. Një ekip ekspertësh ne MD po finalizojnë një nga nismat më reformatore në ketë drejtim. Drejt modelit të një burgu të sigurisë së zakonshme, me financim dhe monitorim jopublik, duke i dhënë mundësi të dënuarve të punojnë, por dhe të paguhen për punën qe ata kryejnë”. Sipas ministrit, kjo reformë inspirohet nga modelet e zbatuara në SHBA dhe ka si qëllim të të përmirësojë kushtet për trajtimin e të dënuarve, por edhe të uljes së shpenzimeve në buxhet. Më tej, në fjalën e tij, ai shprehu angazhimin e Ministrisë së Drejtësisë dhe qeverisë shqiptare në drejtim të respektimit të lirive dhe të drejtave te të dënuarve, si dhe riintegrimit të tyre në shoqëri nëpërmjet projekteve ambicioze qe stimulojnë punën e tyre krijuese në vendet e vuajtjes së dënimit. Ministria e Drejtësisë dhe institucionet e vuajtjes së dënimit në vend kanë punuar në krijimin e kushteve për realizimin e projekteve të punësimit dhe veprimtarive të tjera krijuese të të dënuarve në institucione të vuajtjes së dënimit. Këto projekte kanë synuar dhe arritur arsimimin e të dënuarve nëpërmjet hapjes së sistemeve 9-vjeçare në burgje; punësimin e personave me liri të kufizuar, lirinë e ushtrimit të së drejtës së besimit. Sipas ministrit Halimi, vitin e ardhshëm mbaron ndërtimi i burgut të Fierit, më i madhi në vend, por dhe me standardet më të larta në rajon, mbaron paraburgimi i Beratit, dhe fillon ndërtimi i burgut më të madh të zonës së veriut, ai i Shkodrës, me një vlerë prej18 milionë euro. Gjithashtu, sipas ministrit, nga 1 janari do të fillojë aplikimi i sistemit më modern në rajon dhe më gjerë, ai i monitorimit elektronik. “Ky sistem që inauguruam pak ditë më parë, do të çlirojë akoma më shumë sistemin e burgjeve, do të ulë kostot, por edhe do të ndihmojë në trajtimin dhe integrimin e të dënuarve. Të dënuarit do të mund të ndjekin edhe shkollën jashtë burgut, por edhe mund të punojnë jashtë burgut”, – u shpreh ministri në aktivitetin e organizuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.
10 Dhjetori
Përtej pendimit, aktivitet në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, në Ditën Ndërkombëtare të Drejtave të Njeriut, organizoi aktivitetin “Përtej pendimit”, i cili është kthyer në një traditë. Simbolika e kësaj dite është e veçantë pasi respektimi i të drejtave të personave me liri të kufizuar mbetet një nga aspektet më të rëndësishme të drejtave të njeriut në Shqipëri. Në këtë 100-vjetor, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve vjen me realizime të reja të suksesshme, të cilat u vlerësuan dhe në konkluzionet e raportit të fundit të vitit 2012 të Komisionit Evropian, ku citohet se “ka pasur progres në sistemin e burgjeve, duke zbatuar në mënyrë të vazhdueshme programe trajnimi, rritje në numrin e aktiviteteve të ofruar për të burgosurit, si dhe përmirësimin e kushteve të përgjithshme të trajtimit të dënuarve dhe paraburgosurve”, ku spikasin shtrirja e procesit arsimor në institucionet e paraburgimeve, ku mbahen të mitur; miratimi i kontratës me Institutin e Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor për përfshirjen e të dënuarve dhe paraburgosurve në skemën e sigurimeve shëndetësore; si dhe trajnimi i 1400 punonjësve në sistemin e burgjeve. Këto momente, u përcollën përmes imazheve filmike, ndjesive personale emocionuese, që përjetojnë personat me liri të kufizuar përtej mureve të burgimit, me mungesën e lirisë, forcën për ndryshim dhe shpresën për një rikthimin të shpejtë në jetën normale. Në fjalën e tij, drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, z. Gazmend Dibra, analizoi të gjitha përpjekjet dhe iniciativat që janë bërë në kuadër të respektimit të drejtave themelore të personave me liri të kufizuar, duke realizuar në këtë mënyrë një nga objektivat kryesore të sistemit, kthimin në një mundësi rehabilitimi dhe integrimi në shoqëri të personave me liri të kufizuar. Sipas Dibrës, në arritjen e këtij vizioni ka ndikuar “hapja e vendeve të vuajtjes së dënimit ndaj monitoruesve, ku përpos marrëveshjeve të bashkëpunimit me 17 OJQ, prioritet i është dhënë dhe medias së shkruar dhe asaj vizive. Që prej janarit të 2012 e në vazhdim, janë zhvilluar 27 reportazhe nga media të ndryshme me fokus kushtet që ofrojnë burgjet dhe paraburgimet për personat me liri të kufizuar, si dhe 8 kronika për rehabilitimin social të personave të privuar nga liria”. Gjatë aktivitetit u shpërndanë disa çmime, ku me punimin artistik më të mirë u vlerësua Ilia Xoxe nga IEVP Vaqarr; Eseja më e mirë titulluar “100 vjet pavarësi”, iu dha Gjergj Xhaho, IEVP Rrogozhinë; Për foton më të mirë, u vlerësua Aurel Hysa IEVP Kavajë; Grupi artistik polifonik më i mirë, u vlerësua grupi i IEVP Peqin.