Pas disfatës në derbi Mançini kundër lojtarëve

0
166

Tabloidi anglez “The Sun” ka zbuluar debatin e trajnerit të Mançester Sitit dhe lojtarëve të tij në dhomat e zhveshjes pas humbjes së derbit me Junajtidin. Spiuni i zakonshëm i tabloidit ka treguar shpërthimet e teknikut italian për humbjen e parë pas 37 ndeshjesh në Premier Ligë. “Është faji yt”, – iu drejtua menaxheri Xho Hartit. Ishte përgjegjësia e portierit që nuk i vendosi mirë lojtarët përpara porte. Pastaj 47-vjeçari u drejtoi gishtin Mario Balotelit, Karlos Tevezit dhe Samir Nasrisë. Super-Mario e tradhtoi për të disatën herë këtë sezon, duke qenë inekzistent në fushë. E sikur të mos mjaftonte kjo, pas zëvendësimit me Tevezin në minutën e 52-të, sulmuesi italian u largua në shenjë proteste në dhomat e zhveshjes, duke e parë shtrembër trajnerin. Mançini e kritikoi publikisht se ai po rrezikon karrierën në Mançester, por zgjedhja e tij për ta hedhur titullar në fushë ishte i gjithi faji i tij. Pas zëvendësimit të Marios me Tevezin, sulmi i kampionëve ndryshoi fytyrë. “Mançini u tërbua. Dukej sikur do të zihej me grushte me të gjithë”, – tregon burimi për post-zhvillimet në “Etihad Stadium”. Trajneri e akuzoi Tevezin për faullin e panevojshëm ndaj Da Silvës dhe refuzimin foshnjarak të tij për të formuar barrierën. “Nuk e di përse? E kuptova menjëherë se një goditje dënimi në ato rrethana do të ishte shumë e rrezikshme. Ai që do të godiste ishte Van Persi dhe të gjithë e dimë se ai është i pagabueshëm. E thërrita Karlosin që të rikthehej në barrierë, por ai ishte shumë larg dhe nuk më dëgjoi”, – shpjegoi Manço për mediat lidhur me golin e holandezit, që vulosi fitoren e rivalëve 3-2. Ai që shkoi për të zëvendësuar argjentinasin në mur ishte Samir Nasri. Ishte pikërisht keqvendosja e fantazistit francez (u tremb nga topi duke u fshehur pas Xhekos), shkaku i devijimit të topit në rrjetë. “Bëmë gabim që vendosëm vetëm tre lojtarë në mur. Në të vërtetë ne nuk kishim as tre futbollistë, por dy e gjysmë. Nuk e mbrojtëm pasqyrën e portës dhe portieri nuk duhej të ishte nxituar. Në sekondat e fundit të shtesës duhet të ishim më të kujdesshëm dhe të përqendruar në maksimum. Nëse të duhet të qëndrosh me fytyrë përballë, atëherë ashtu duhet të pozicionohesh dhe jo t’i shmangesh asaj”, – përfundoi ish-tekniku i Interit.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency